Protestuesit: Franca mos t’i zbatojë urdhrat e Serbisë

Aktuale

Protestuesit: Franca mos t’i zbatojë urdhrat e Serbisë

Më: 21 janar 2017 Në ora: 13:05
Protesta

(E plotësuar)- Mijëra qytetarë kanë protestuar sot në Prishtinë në mbështetje të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ku përveç lirimit të Haradinajt u kërkua edhe pezullimi i bisedimeve me Serbinë.

Protesta ishte paraparë të zhvillohet në sheshin :Zahir Pajaziti”, por për shkak të interesimit të madh të qytetarëve, ajo është vendosur në sheshin “Skenderbe”.

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj i tha protestuesve se fletë-arresti për Ramushin, ka ardhur nga njerëzit të cilët kanë udhëhequr masakra në Kroaci, Bosnjë e Kosovë.

Sipas tij, me Vuçiqin duhet biseduar në gjuhën e tij dhe më e duhura në këtë rast është që të ketë pezullim të  menjëhershëm nga institucionet tona për bisedimet me Serbinë.

Limaj: Pezullim të menjëhershëm të bisedimeve me Serbinë

 “Ata të cilët udhëhoqën masakrat nga Kroacia, Bosnja dhe në Kosovë,  sot nxjerrin fletë-arreste politike për njerëzit të cilët iu kanë përgjigjur drejtësisë dhe asaj drejtësisë më të lartë ndërkombëtare.  Kjo jo që është fyese, ofenduese për ne si Kosovë, është fyese për çdo vend demokratik të cilët përdorin dhe bëhen instrument politik të politikave shoviniste të pasardhësve të Milosheviqit. Ne themi boll më se ia keni tepruar, mos luani me luftën e saj të shpejtë. Mos harroni se me prek Ramush Haradinaj, është më i prek themelet e shtetit të Kosovës dhe ne iu kemi përgjigjur saherë kur ka kërkuar përgjigje drejtësia, në çdo kohë, pavarësisht a ka qenë kërkesë e drejtë apo e padrejtë, pavarësisht proceseve të montuara politike, por kjo nuk do të thotë që ne jemi të gatshëm me ulë kokën para xhelatit, ne nuk e kemi ulur kokën as para Serbisë për asnjë çmim...Prandaj, kërkesa jonà « është që me Vuçiqin duhet me biseduar me gjuhën e tij, ai ndryshe nuk kupton. Kërkojmë nga institucionet pezullimin e menjëhershëm të bisedimeve me Serbinë, dhe paraqitjen e kushteve se si duhet të bisedohet me të. Ne nuk lejojmë që çdo ditë , e çdo javë të fyhet shteti jonë nga pazarsit e Miloshecvit”, tha Limaj.

Kurse, nënkryetari i partisë së AAK-së, Ardian Gjini, tha se Ramushi është i mërzitur për padrejtësitë, qeverisjen e keqe, nepotizmin dhe korrupsionin që po bëhet në Kosovë.

Sipas tij, Evropa nuk duhet të lejojë që disa të çmendur të cilët janë nga Beograd që edhe 18 vjet pas luftës ta mbajnë shtetin e vet dhe Ballkanin në mendësinë e luftës

Gjini: Ramushi është i mërzitur për gjendjen në Kosovë

“I mërzitur për një punë, i mërzitur me padrejtësitë siç jeni tanë ju, edhe krejt populli i Kosovës që këqyr televizion, të gjithë janë të mërzitur me padrejtësi, me qeverisje të keqe, njëjtë është Ramushi, sikur secili prej jush. Është i mërzitur me klientelizëm, me nepotizëm, me korrupsion me qeverisje pa pikë vizioni. Qytetarë të Kosovës edhe shtete shumë të vjetra dhe shumë të forta, janë gjunjëzuar prej këtyre punëve çka bëjnë qeveritë. Ju jeni sot  këtu me tregu që ju jeni në këmbë edhe Ramushi është në këmbë, edhe tanë jemi në këmbë edhe nuk ka me u gjunjëzua Kosova kurrë. Nuk ka me u poshtërua Kosova kurrë...Janë disa të çmendur në Beograd, që po donë me i mbajt popullin e vet, fëmijët e vet, qytetarët e vet më shumë në mendësi të luftës, të dhunës, po donë më mbajt krejt Ballkanin në mendësi të luftës e në mendësi të dhunës. Evropa nuk duhet me lejuar, ne nuk duhet me l ejuar që 18 vjet mas luftës, këta njerëz që kanë dhënë urdhra dhe i kanë vra fëmijët e vet për me na akuzua neve, nuk munden me mbajt krejt Ballkanin në psikozë të luftës dhe në mendësi të luftës”, tha Gjini.

Publicisti Dardan Islami tha se Ramushi është i pafajshëm dhe se ata kanë fabrikuar të pavërteta.

Islami kërkon nga Franca që ta dëshmon se e respekton të drejtën universale  që buron nga slogani ‘Liri, barazi dhe vëllazëri’.

Islami: Ramushi është i pafajshëm, ata kanë fabrikuar të pavërteta

“Shpesh e ke përsëritur moton tënde të jetës se për Kosovën, ia vlen të vuash padrejtësi të ndryshme nga armiqtë tanë. Pra, edhe nëse kjo vjen nga armiku që mundëm në luftë, unë pyes deri kur? Qëndresa jote heroike dhe burrërore në luftë, përballë Gjykatës së Hagës dhe kësaj në Francë, ... Andaj, vazhdo të qëndrosh i palëkundur sepse pafajësinë tënde e ka vulosur gjykata më e madhe në botë. Apelojmë në gjykatën e shtetit tonë mik Francës, qe ta dëshmoj se respekton të drejtën universale, si vatër nga buron vet slogani i njohur ‘Liri, barazi dhe vllazëri’, dhe ta liroj Ramush Haradinaj për tu kthyer në atdhe”, tha Islami.

Edhe kryetari i Organizatave të Dala nga Lufta (OVL-UCK), Hysni Gucati tha se akuzat nga Serbia, janë të fabrikuara dhe mashtruese ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, konkretisht edhe ndaj komandantit Haradinajt, sepse ai doli dy herë i pafajshëm nga Gjykata e Hagës.

Gucati: Serbia bën aktakuza mashtruese

 “Ne sot nga këtu u bëjmë thirrje të gjitha shteteve perëndimore që edhe ato të heqin dorën nga ndalimi dhe aktakuza mashtruese të Serbisë, ndaj ish-pjesëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, sepse ne dimë dhe jemi të sigurt sepse kemi bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare, kemi bërë luftë të pastër për liri, madje më të pastetën në fund-shekullin e kaluar. Në të kundërtën nuk do të kishim përkrahjen e shumë shteteve perëndimore dhe vendeve euro-atlantike NATO-s....... Gjeneral Ramush Haradinaj, njëherit ndër figurat kryesore të opozitës, dhe ish-kryeministri i Kosovës, dy herë doli i pafajshëm dhe fitimtar nga Gjykata në Hagë. Këtë e dinë mirë Parisi dhe e gjithë bota e qytetëruar dhe ne shpresojmë që Franca mike nuk do t’i zbatojë urdhrat e shovinizmit jugosllavë”, tha Gucati.

Në anën tjetër, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Deçanit, Avdyl Mushkolaj tha se përmes kësaj proteste i drejtohen Francës me lutje shumë të sinqerta, që të mos i zbatojnë urdhëresat e paligjshme të Serbisë.

Mushkolaj: Mos i zbatoni urdhrat e paligjshme të Serbisë

“Ua themi me lutje e sinqeritet, hiqni dorë nga përndjekja e juaj e padrejtë e aleatëve të djeshëm dhe të sotshëm, dhe mos i zbatoni urdhrat e padrejta e të paligjshme të Serbisë kriminale, sepse në këtë po i kontribuoni padrejtësisë ndërkombëtare dhe destabilizimit në rajon”, tha Mushkolaj.

Haradinaj është ndalur në Francë më 4 janar, në bazë të një flet arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2014. Lideri AAK-së pas daljes para trupit gjykues është liruar me kusht, por është i detyruar të qëndrojë në Francë deri në marrjen e vendimit për lirimin e  tij.

AAK: Protestuesit thanë se ndalja e Haradinajt s’ka të bëj me drejtësinë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha viset shqiptare, sot janë rreshtuar në krah të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, në protestën madhështore në Prishtinë.

AAK thotë se e vlerëson madhështore këtë protestë për faktin se në mbështetje të liderit Ramush Haradinaj, janë vënë qytetarë të të gjitha moshave e përcaktimeve politike e kulturore.

“Mesazhet e shpalosura në protestën e sotme, se ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë, është përpjekje për ta ndalur Kosovën, se prekja e Ramush Haradinajt do të thotë, me i prekë themelet e Kosovës dhe se ndalja e tij është politike dhe nuk ka të bëj me drejtësinë, sot janë mesazhet e Kosovës dhe të qytetarisë së saj! AAK u shpreh mirënjohje të gjithë pjesëmarrësve në protestën e sotme në Prishtinë e kudo tjetër, dhe e vlerëson lart dinjitetin e treguar në kundërshtim e ndalimit të tij në Francë, dinjitet i cili e karakterizon më shumë se këdo tjetër, vetë Kryetarin Haradinaj”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Gjini: Po vjen koha e Ramushit

Nënkryetari i Parë i AAK-së, Ardian Gjini, në fjalën e tij gati në përmbyllje të protestës së sotme, tha se ‘po vjen koha e Ramushit’.

Gjini tha se Haradinaj nuk është duke u mërzitur për vetën e tij dhe procesin që po e kalon, por është duke u mërzitur për atë që po e kalon Kosova me qeverisje të keqe, korrupsion e nepotizëm.

“Këtu sot po shohim Kosovën, gjithë ju jeni Kosova, jeni liria, jeni Ramushi.  Ramushi nuk mërzitët qysh po mendoni ju, nuk mërzitet një lider i madh, një patriot i madh, është qysh u kanë gjithë. Ai është patriot, në këmbë, trim. Ai është i mërzitur për padrejtësitë, me qeverisje të keqe, është i mërzitur me korrupsion, me nepotizëm”, tha Gjini. 

Image

Gucati: Nuk frikësohemi nga Beogradi

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucat ka deklaruar para protestuesve se janë mbledhur për t’i treguar regjimit fashist të Beogradit se nuk frikësohen, pasi UÇK-ja ka bërë luftë të pastër, madje luftën më të pastër në fundshekullin e kaluar.

“Gjeneral Haradinaj, figura kryesore e AAK, doli dy herë i pafajshëm nga gjykata në Hagë. Serbia në vend që të kërkojë falje për krimet e bërë në luftë, ajo po vazhdon me avazin e vjetër”, tha ai.

Portesta ku morën pjesë me mijëra qytetarë përfundoi e qetë.

Image

Limaj: Boll më e keni tepruar

Në protestën e sotme në përkrahje të Ramush Haradinajt, me kërkesë për lirim sa më të shpejtë të tij, morri pjesë edhe lideri I Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj.

Partneri politikë i Haradinajt, Limaj, ka thënë se ‘po të ishte Ramushi në këtë rast tubimi, çka do të thoshte? Boll më e keni tepruar, dhe lëreni rehat Kosovën’.

Limaj në fjalën e tij para protestuesve tha se  ata gjithmonë i janë përgjigjur drejtësisë kur u është kërkuar, pavarësisht a ka qenë e drejtë apo e padrejtë dhe e montuar politikisht.

“Shteti duhet t’i japi përkrahje secilit qytetar, çoftë Brenda apo jashtë vendit…Ramushi do të kthehet”, tha Limaj nën duartrokitjen dhe brohoritjen e protestuesve, duke porositur në fund se ‘ne nuk mund të fyhemi e as ofendohemi nga pasardhësit e Millosheviqit. 

Image

***

Me mijëra qytetarë po marrin pjesë në protestën e organizuar nga Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në mbështetje të gjeneralit dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Publicisti Dardan Islami tha se qëndresa heroike e Haradinajt na jep fuqi dhe shpresë për ta mbrojtur heroizmin.

Ramush i dashur, komandanti im, edhe sot jemi me ty. Qëndresa jote heroike në luftë, na jep fuqi dhe shpresë për ta mbrojt heroizmin tonë. Ti je i pafajshëm këtë e dinë edhe ata që fabrikojnë të pavërteta, pafajësinë tënde e ka vulosur gjykata më e madhe në botë”, tha ai.

Image
Protestë në mbështetje të Haradinajt (Drejtpërdrejt) 

Protesta gjithëpopullore në mbështetje të ish-kryeministrit, ish-komandantit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e organizuar nga Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haradinaj është ndalur në Francë më 4 janar, në bazë të një flet arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2014. Lideri AAK-së pas daljes para trupit gjykues është liruar me kusht, por është i detyruar të qëndrojë në Francë deri në marrjen e vendimit për lirimin e  tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat