“Klika e Thaçit” stopon hetimin e krimeve politike

Aktuale

“Klika e Thaçit” stopon hetimin e krimeve politike

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 21 janar 2017 Në ora: 21:48
Hashim Thaçi

Premtimet në politikë janë çdoherë të mëdha dhe se do të realizohen shpejt, por është krejt ndryshe kur bëhet fjalë për t’i realizuar ato. 

Kanë kaluar më shumë se tre muaj, që kur Presidenti i vendit Hashim Thaçi, nisi në drejtim të Prokurorisë 4 letra me anë të të cilave kërkonte, zbardhjen e krimeve të luftës, por edhe të atyre të pasluftës, siç ishte tentim atentati ndaj ish Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Por as pas gjithë kësaj kohe, nga organet përkatëse të drejtësisë nuk është parë ndonjë veprim konkret sa i përket hetimit të këtyre rasteve.  Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorit të Shtetit, ka thënë se, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga kryeprokurorët të prokurorive Themelore dhe Prokurorisë Speciale, që të mbledhin informacione sa i përket këtyre rasteve.  “Ju informoj se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i është drejtuar të gjithë kryeprokurorëve të prokurorive Themelore dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me një shkresë, përmes së cilës ka kërkuar që për rastet të cilat nuk kanë qenë të hetuara, të fillojnë të mbledhin informata të nevojshme për të vërtetuar se kush janë autorët e këtyre krimeve. Sapo të zbulohet identiteti i autorëve të këtyre veprave penale do të merren veprimet e nevojshme që të njëjtit të vihen para drejtësisë, nëse ata persona do të jenë të arritshëm për organet e ndjekjes”, ka thënë Kozmaqi për “Bota sot”.

Letrat për të rikujtuar prokurorinë

Për analistin Albrim Badallaj, Prokuroria nuk ka nevojë të marrë sugjerime nga politika, për hetimin e krimeve të luftës. Ai ka theksuar se, tashmë Gjykata Speciale do të merret me hetimin e krimeve të supozuara.  “Prokuroria duhet ta dijë vetë punën e saj dhe nuk është e nevojshme të presë sugjerime dhe presione nga politika, meqë është organ i pavarur. Krimet e pasluftës janë çështje e ndjeshme për t'u trajtuar, meqë është përfolur që ka pasur edhe shumë shërbime të shteteve të huaja që kanë vepruar në vend, bile edhe të atyre armike. Nga ana tjetër për krimet e luftës veçse është themeluar Gjykata Speciale, andaj ajo do të merret ekskluzivisht me këto krime të supozuara”, ka thënë Badallaj.  Sipas tij, kërkesat e presidentit Thaçi për hetimin e këtyre krimeve janë të drejta, mirëpo Prokuroria duhet ta di vendin dhe detyrën e saj dhe nuk ka nevojë për tutorë apo të shërbejë si marionetë e politikës. “Letrat e tilla janë si rikujtim ndaj prokurorisë, mirëpo tani e sa vite ne nuk shohim guxim nga vendorët që të trajtojnë këto çështje, e nga ana tjetër prokurorët evropian kanë filluar të merren me disa çështje të tilla, mirëpo ka pasur raste kur edhe ata kanë "ditur" të korruptohen. Besoj që çdo shtet, për të rrugëtuar drejt familjes euro-atlantike duhet medoemos të merren me krimet e supozuara, e sidomos ato krime me prapavijë politike, meqë kësisoj largohen njollat nga shteti dhe nuk ka hapësirë për kritika nga shtetet armike”, ka nënvizuar ai.  Nga ana tjetër, sipas analistit Badallaj, luftimi i krimit nuk duhet përdorur për poenë politik nga askush, qoftë parti apo institucion, meqë është obligim shtetëror dhe parakusht për anëtarësim në shumë organe euro-atlantike.

Metodat manipulative të Presidentit

Ndërsa, analisti Hidajet Ahmeti ka thënë,  se letrat e Presidentit Thaçi ishin vazhdimësi e metodave manipulative të tij, duke i bërë marketing vetes, por të njëjtën kohë duke manipuluar me qytetarët e lodhur nga gjendja e rëndë socio-ekonomike.   “E sistemi prokurorial e gjyqësor nuk mund të veprojë jashtë filozofisë politike  të shkollës Thaçiane, pasi që një pjesë e prokurorëve gjyqtarëve janë emëruar nga telefonatat e tipit Grabovci. Një pjesë e prokurorëve, gjykatësve janë shërbyes e nënshtrues të klikës Thaçiane, me një fjalë ju bindën urdhrave politik të orkestruar nga kjo shkollë. Në këtë mënyrë kur politika udhëhoqët nga propaganduesit, matrapazët, analfabetët, zhvatësit, korruptuesit  nuk mund të këtë sundim të ligjit. Kontuiniteti i kësaj politike degraduese në favor të një klike të vogël e në dëm të qytetarëve duhet të përfundoj. Qytetarët e Kosovës nuk meritojnë  të fyhen me manipulimet dhe lojërat e  vazhdueshme të arkitektit të  të këqijave, Hashim Thaçi”, ka thënë Ahmeti. Më tej, analisti Hidajet Ahmeti, ka vlerësuar se Presidenti Thaçi, gjithherë ka ditur t’iu përshtatet rrethanave politike.  “Në njërën anë  ka sajuar probleme për të shpërqendruar opinionin publik karshi problemeve reale, kurse në anën tjetër ka ditur të propagandojë përmes mediave që i kontrollon vetë ai, kuptohet gjithherë për qëllime politike. Thaçi prej kur është futur në politikë shquhet për dinakëri politike, veprime amorale, jo seriozitet, por edhe për qëndrime  jo të sinqerta dhe qëndrimeve jokonsistente, me të vetmin qëllim mbijetesën e  pushtetit të tij. Njerëzit të cilat ja kanë turbulluar ujin apo ia kanë rrezikuar pushtetin, edhe nëse kanë qenë bashkë partiakët  të tij  i ka  eliminuar politikisht, por edhe shumë herë ka ditur  t’i  djeg kundërshtarët politik. Mbi të gjitha, Thaçi ka ditur të notojë nëpër këto ujëra të  turbullta, që kanë mbizotëruar që nga paslufta dhe përmes metodave dinake ja  ka arritur qëllimit. Për dy mandate duke qenë i pari i ekzekutivit, por edhe realizimin e ambicieve  të tij të sëmura  për të qenë i pari i shtetit”, ka thënë ai. Ahmeti ka potencuar se edhe kapja e institucioneve të pavarura ka ndodhur në mënyrë të orkestruar, me qëllimin e vetëm politik për mbajtjen, marrjen dhe ruajtjen e pushtetit.   “Pikërisht kjo shtrirje e kapjes së institucioneve të pavarura, siguron mbijetesën e krimineleve, spekulatoreve, korruptuesve, shpifësve dhe zhvatësve të shtetit. Përmes kapjes dhe ndikimit politik në sistemin e drejtësisë, kemi krijuar një gjendje anarkie në shumë fusha, dhe pikërisht shkaku i saj mbijeton politika manipulative, shantazhuse, korruptuese e Hashim Thaçit. Shkollës Thaçiane duhet t’i vie fundi, sepse metoda makiavelistë e tij duke përdorur tiparin e luanit dhe dhelprës nuk i ka sjellë të mira Kosovës, përveç të mirave që ja ka sjellë klikës së tij politike”, ka përfunduar Ahmeti./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat