Haradinaj akuzon Thaçin e Mustafën për dialogun, ka një porosi edhe për serbët

Aktuale

Haradinaj akuzon Thaçin e Mustafën për dialogun, ka një porosi edhe për serbët

Nga: A.Zh Më: 23 janar 2017 Në ora: 12:39
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po qëndron në Francë, ka kritikuar kryeministrin dhe presidentin për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, duke i quajtur kukulla të Serbisë Thaçin e Mustafën, ka thënë se nuk mund të vazhdohet dialogu pa kushte, pas sulmeve të njëpasnjëshme të shtetit serb ndaj Kosovës, përcjell Bota sot.

Ndërsa, lidhur me deklarimet e prokurorëve e të politikanëve serbë për rastin e tij, Haradinaj ka porositur të gjithë ata, se kryeqyteti i tij nuk është Beogradi!

Postimi i plotë i Haradinajt:

Përcaktimi i Hashim Thaçit e Isa Mustafës, që pavarësisht rrethanave të krijuara nga sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës, të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, është pozicion i kukullave.

Që të ulësh në një tavolinë bisedimesh me Serbinë, që po i shkakton kaq shumë dëme Kosovës, kjo edhe përmes sulmeve e marifeteve të fundit, siç janë muri, treni dhe fletarrestet e sajuara, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd.

Të pranosh të ulesh e të dialogosh me Serbinë, në këto rrethana e në kohën e një kundërshtimi kaq të madh popullor kundër një dialogu pa kushte, do të thotë të mos e përfaqësosh popullin.

Ndërkaq sa i përket deklarimeve të prokurorëve e të politikanëve serbë për rastin tim, i porosis të gjithë ata, se kryeqyteti im nuk është Beogradi!/BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat