Opozita: Muri nuk u rrënua, Qeveria të jap dorëheqje

Aktuale

Opozita: Muri nuk u rrënua, Qeveria të jap dorëheqje

Më: 1 shkurt 2017 Në ora: 12:42
Glauk Konjufca, Pal Lekaj dhe Haxhi Shala në konferencë për media

(E plotësuar) - Iniciuesi i Rezolutës për rrëzimin e murit në veri thotë se Qeveria e Kosovës duhet të jap dorëheqje.

Një ditë pas skadimit të datës ku ishte  paraparë që të rrënohet muri që është ndërtuar matanë urës së lumit Ibër , Pal Lekaj, shef i GP të AAK-së bashkë edhe me Glauk Konjufcën e Vetëvendosjes dhe Haxhi Shalën e Nismës janë takuar në një takim ku kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në lidhje me çështjen e murit.

Lekaj: Kjo Qeveri të jap dorëheqje

“Tre shefat e grupeve parlamentare mbajtëm takimin dhe nxorëm një deklaratë të përbashkët. Sepse Qeveria ka dështuar ta implementojë Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës. Nëse kjo Qeveri nuk është e aftë dhe është e pafuqishme, të miratojë Rezolutat e Kuvendit, atëherë pse ekziston. Lind pyetja dhe nga qytetarët,  por dhe nga vet deputetët e Parlamentit të Kosovës. Dhe ne duke u bazuar në këtë dhe në praktikat e mëhershme,  të mos respektimit të Rezolutave të Kuvendit, kemi ardhur në përfundim, që kjo Qeveri po e shkelë demokracinë parlamentare dhe pothuajse fare nuk merret me atë,  që është e rregulluar dhe me Kushtetutë të Kosovës, por dhe me rregulloren e Kuvendit, që Qeveria është e obliguar që të implementojë me përpikëri rezolutat e kuvendit, apo vendimet e Kuvendit. deri më tani nuk ka reaguar fare dhe ne sot m e një shkurt kemi thënë se derisa nuk e ka marrë Qeveria këtë veprim, atëherë duhet të jap dorëheqje, apo të shkarkohet”, tha Lekaj.

Sipas tij krerët e lartë shtetërorë  vetëm flasin por nuk veprojnë dhe se tashmë e kanë humbur kuptimin e të qenit zyrtarë të lartë të shtetit, pasi që po bëjnë lojëra me qytetarët e vendit.

Lekaj: Zyrtarët e lartë po bëjnë lojëra me qytetarët, ata nuk po veprojnë

“Ajo që po më lë përshtypje, tani këta po donë me kamuflu vendimin e Rezolutës së Kuvendit, meqë thuajse duhet të ndërmarrë masa vet kryetari i veriut të Mitrovicës Rakiq dhe ta rrëzojë murin. Por rezoluta është pru për Qeverinë e Kosovës dhe Qeveria e Kosovës, është dashur që deri me 31 janar t’i ndërmarrë të gjitha masat dhe ta rrënojë murin ilegal. Më çudit fakti që duke filluar nga presidenti i Kosovës, kryekuvendari, kryeministri e kanë thënë qartë disa herë që muri duhet të rrënohet sepse është i ndërtuar ilegalisht. A thua janë hajgare dhe a thua pse këta njerëz mund të flasin kaq lirshëm, kur nuk veprojnë. Dhe më e kanë humbur kuptimin dhe të qenit zyrtar të lartë, duke filluar nga presidenti, kryetari i kuvendit dhe kryeministri. Sepse shumë po bëjnë lojëra me qytetarët e Kosovës dhe më tani e kanë humbur legjitimitetin”, tha ai.

Ndryshe, megjithëse Rezoluta e Kuvendit parashihte që  31 janari të jetë data e fundit,  kur muri në veri të rrënohet,  një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Muri vazhdon të qëndroj aty ku u ndërtua. E institucionet nuk respektuan Rezolutën e cila u iniciua nga Pal Lekaj,  e  cila u votua  nga deputetët në Kuvendin e Kosovës, e cila i obligon institucionet e vendit,  që ta rrënojnë murin e ngritur në veri gjatë muajit janar.

Në lidhje me rrënimin e murit sot ka folur edhe ministri i Ambientit Ferat Shala. Në një intervistë për KosovaPress, Shala ka thënë se muri është ilegal dhe duhet të rrënohet por që siç tha ai “po presim një vendim tjetër të Qeverisë si dhe besojmë që kjo cështje do të zgjidhet me anë të dialogut”.

Opozita kërkon shkarkimin e qeverisë për mosrrënimin e murit në Mitrovicë (Dokument)

Tri partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, AAK e Nisma kanë kërkuar dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës dhe shkuarjen në zgjedhje të reja, për shkak të moszbatueshmërisë së rezolutës së Kuvendit të Kosovës për rrënimin e murit në Mitrovicë.

Me iniciativën e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj, është mbajtur një takim me shefat e grupeve parlamentare opozitare,  pas të cilit kanë dalë me një deklaratë të përbashkët  në të cilën kërkohet dorëheqja e Qeverisë.

“Si pasojë e mosrepektimit të vendimeve të Kuvendit të Kosovës dhe shkeljes së demokracisë në vend, e po ashtu për shkak të papërgjegjësisë në qeverisje që po i sjellë vendit dëme të konsiderueshme, zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e kësaj qeverie dhe shkuarja në zgjedhje”, thuhet ndër te tjerash në deklaratën e nënshkruar nga Glauk Konjufca, shef i GP të VV-së, atij të AAK-së Pal Lekaj si dhe Valdete Bajrami shefe e GP të Nismës për Kosovën.

Image
Dokumenti i opozitës

Opozita bëhet bashkë për murin në Mitrovicë

Shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare, janë mbledhur në një takim të përbashkët ku po diskutohet mosrespektimi i afatit për largimin e murit nga Ura e Ibrit në veri të Mitrovicës.

Takimi për të diskutuar rreth shkeljes së afatit të paracaktuar me Rezolutën e Miratuar në Kuvend, ka filluar në orën 11:00 dhe më pas opozitarët pritet t’iu drejtohen mediave me një konferencë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat