Flet djali i Haki Imerit, ja çfarë ndodhi me 3 llapjanët që ia vranë babain

Aktuale

Flet djali i Haki Imerit, ja çfarë ndodhi me 3 llapjanët që ia vranë babain

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 6 shkurt 2017 Në ora: 10:10
Imer dhe Kastriot Imeri

Ditë më parë, Imer Imeri, vëllai i Haki Imerit nga Vojniku i Skenderajt, i vrarë në vitin 1999, ka deklaruar së fundmi se i ka zbuluar vrasësit e vëllait të tij.

Ai ka thënë se vrasësit të cilët u paguan për t’ia marrë jetën Hakiut, janë Naim Kadriu, Agron Sylejmani dhe Avni Feta, të tre llapjanë.

“Jam i bindur që këta të tre janë vrasësit. Policia e UNMIK-ut m’i kanë pru me emër e mbiemër e po ashtu edhe policia jonë. Por, kush i solli në Drenicë me na vra. Mua më intereson se kush i solli ta vrasin vëllanë tim”, është shprehur Imer Imeri  për mediat, teksa ka theksuar se është shumë afër t’a marrë vesh edhe porositësin për vrasjen e vëllait të tij.

“Jemi në rrugë të mbarë, vetëm një hap na ndan me gjet atë se kush i sjelli ata me m’a vra vëllanë”, ka thënë ai.

Çështjen në fjalë e ka komentuar Kastriot Imeri, djali i të ndjerit, Hakiut.

Duke rikonfirmuar për “Bota sot” se të dyshuarit për vrasjen e babait të tij, janë tre të lartpërmendurit, Kastrioti ka treguar se çfarë ka ndodhur me ta.

“Agron Sylejmani është vrarë nga policia e UNMIK-ut në vitin 2004, ku janë vrarë edhe dy policë në përleshje me të dhe grupin e tij. Naim Kadriu ka vdekur në një aksident në Podujevë. Ndërsa, për fatin e Avni Fetës nuk dihet se a është i vdekur apo ku gjendet. Këtë nuk e din askush”, ka pohuar Kastriot Imeri.

Kastriot Imeri: Drejtësia ta thotë fjalën

I pyetur se a ka informata familja e tij nëse Prokuroria i ka hetuar tre të dyshuarit për vrasjen e babait të tij, ai ka thënë se nuk beson që ka Prokuroria ka bërë një gjë të tillë.

Edhe pse xhaxhai i tij ka pohuar se ka prova që dëshmojnë se cilët janë vrasësit e vërtet, Kastriot Imeri ka thënë se familja do të pres që institucionet e drejtësisë të zbardhin rastin e babait të tij.

“Do t’i presim institucionet e drejtësisë të zbardhin rastin e babait tim dhe të gjitha vrasjet politike që janë bërë në Kosovë. Për të gjitha ato vrasje që janë bërë pas luftës, shpresojmë që së shpejti drejtësia do t’a thotë fjalën e fundit”, ka theksuar ai.

Por, a e ka hetuar Prokuroria e Shtetit këtë çështje, dhe pse autorët nuk janë sjellur para drejtësisë?!

Lidhur me këtë, ndonëse nga Prokuroria e Shtetit, gazetës “Bota sot” i është thënë se janë duke shqyrtuar pyetjet dhe se përgjigjet do t’i kemi së shpejti, gazeta nuk ka marr përgjigje as pas tre ditëve./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat