BE kërkon nga Kosova ratifikim sa më të shpejtë të demarkacionit

Aktuale

BE kërkon nga Kosova ratifikim sa më të shpejtë të demarkacionit

Më: 20 shkurt 2017 Në ora: 07:33
Pamje nga Samiti i komisioneve për Punë të Jashtme i parlamenteve të shteteve të Evropës

(E plotësuar) - Çështja e mos liberalizimit të vizave për Kosovën, ishte ndër temat kryesore, për të cilën u diskutua në Samitin e Komisioneve Parlamentare për Punë të Jashtme, ku u tha se parlamentarët e Kosovës nuk duhet ta bllokojnë liberalizimin e vizave për interesa partiake.

Përfaqësuesja speciale e BE-së, Nataliya Apostolova në fillim të fjalimit të saj kishte një mesazh për Kosovën.

Ajo tha se BE do të vazhdojë ta mbështes rajonin dhe Kosovën, ndërsa, tha se Kosova duhet t’i përmbush edhe dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave, që sa më shpejtë ta miratojnë demarkacionit dhe të marrin masa në luftën kundër korrupsionit.

Apostolova: Politikanët e Kosovës mbajnë çelësin e liberalizimit të vizave

“Institucionet e Kosovës dhe ligjet e Kosovës qëndrojnë më mirë në përmbushjen e obligimeve të tyre, dhe ne insistojmë që Kosova t’i përmbush edhe dy kriteret e mbetura. Politikanet e Kosovës mbajnë çelësin që të arrihet liberalizimi i vizave, që të bëhet miratimi i demarkacionit me kufirin me Malin e Zi dhe të ndërmarrin masa me të fuqishme në luftën kundër korrupsionit. I inkurajoi politikanët e Qeverisë së Kosovës, ata të opozitës dhe pozitës që ta gjejnë konsensusin e nevojshëm për t’i përmbushur dhe dy kushtet e mbetura, që qytetarët e Kosovës ta kenë liberalizimin e vizave. Në Kosovë polarizimi i partive opozitare dhe pozitare ka rezultuar me një ngërç politik, pavarësisht faktit që partitë opozitare janë kthyer në Kuvend, polarizimi mes opozitës dhe pozitës ka vazhduar ta ngadalësoj punën e Kuvendit”, tha ajo.

Edhe anëtarja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon tha se Kosova ka arritur progres të madh viteve të fundit. Ajo përmendi MSA-në si një arritje e rëndësishme për vendin dhe agjenda evropiane për reforma, duke pohuar se që të dyja duhet të implemtohen, pasi që do ta bëjnë Kosovën me të fuqishme dhe me të sigurte për të jetuar.

Fajon: Mos bllokoni liberalizimin për interesa partiake

“Është shumë e rëndësishme që të përfundojmë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Iu siguroj që jemi shumë të përkushtuar, të bëjmë çfarëdo që është e mundur për ta bërë këtë realitet. Kosova ka bërë progres domethënës në luftën kundër korrupsionit, që është proces i zhvilluar mirë, por duhet të punohet me tutje. Kemi çështjen e demarkacionit dhe dua të iu ofroj mbështetje për demarkacionin. I ftoj të gjithë parlamentarët e Kosovës, iu lutem mos i stoponi proceset dhe mos e bllokoni liberalizimin e vizave për interesa partiake. I ftoj të gjithë ata që janë përgjegjës, të bëjnë çfarëdo që është e mundur, për ta ratifikuar marrëveshjen në ditët e ardhshme...tani ju e keni radhën. Mendoj që duhet të zhvillohet me tutje dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i siguruar të drejta të gjithë qytetarëve të Kosovës, kjo është esenciale”, tha ajo.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se si asnjëherë më parë në histori, vendet e rajonit, ndajnë vlerat e përbashkëta demokratike, vizionin politik dhe aspiratat e qytetarëve tanë për të qenë qytetarë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

Veseli: BE po kalon momente kritike

“Kohëve të fundit, të gjithë jemi dëshmitarë se Bashkimi Evropian është duke kaluar momente kritike, ka zëra që flasin për një krizë pa shtegdalje, të tjerë flasin për skenarë të shpërbërjes. Natyrshëm kjo është duke shkaktuar huti dhe ndonjëherë edhe pasiguri për të ardhmen në mesin e qytetarëve tanë. Jam i mendimit se këto pikëpamje shpejt do të përgënjeshtrohen, vullneti për të qëndruar të bashkuar është shumë herë më i fortë se tendencat që kërkojnë të kundërtën. Bashkimi Evropian është shumë më shumë se sa burokracia e një grupi mekanizmash institucional...Republika e Kosovës qëndron fuqishëm mbi parimet e politikës së fqinjësisë së mire dhe komunikimit pa barriera. Ne të gjitha fushat, ne kemi ndërtuar raporte shumë të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe prej disa vitesh jemi përfshirë në një dialog të hapur me fqinjin tonë verior, Republikën e Serbisë, në mënyrë që marrëdhëniet tona, fillimisht të normalizohen, si hap i parë në rrugën e pashmangshme të njohjes reciproke”, tha ai.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se ndihet krenar që përfaqëson popullatën me pro evropiane dhe më pro amerikane në Evropë. Ai foli dhe për konsolidimit të shtetit, duke pohuar se kanë qenë të suksesshme dhe në anëtarësimin organizatave ndërkombëtare. Ndërsa, i bëri thirrje Rusisë që ta njoh Kosovën.

Ai foli për procesin e liberalizimit të vizave, duke pohuar se institucionet e vendit po punojnë maksimalisht dhe se shpreson që në ditët e ardhshme Parlamenti i Kosovës, do ta ratifikojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Ndërsa tha se e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE.

Thaçi: E ardhmja e Kosovës në NATO dhe BE

“Është e vërtetë se ka shume skepticizëm për projektin e BE, madje dhe preje vet shteteve anëtare. Nganjëherë ndoshta me të drejtë, pasi që BE rrezikon te kthehet ne institucion burokratik, që është larguar nga qytetari. Ndonjëherë lihet përshtypja se ne BE nuk ka lidership dhe vizion për zgjerim. Nuk ka lidership dhe vizion sa i përket qasjes strategjike për Ballkanin perëndimor. Jam një nga ata që flas zëshëm dhe fuqishëm që Brukselit i mungon vizioni strategjik për Ballkanin perëndimor, por nuk kemi alternativë tjetër, as nuk jemi duke kërkuar alternativë tjetër, po askush s’mund ta kontestojë që projekti i BE-së, ka arritur me sukses misionin themeltar, për ta ruajtur paqen në vendet e veta anëtare, prandaj edhe ne Kosova por dhe rajoni i Ballkanit perëndimor synojmë anëtarësimin në BE dhe NATO. Këto do të jenë themelet e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë“, tha ai.

Në këtë samit u përmend dhe gazi lotsjellës në Kuvend. Ishte Anne Mulder, anëtar i komisionit për punë të jashtme, nga dhoma e përfaqësuesve në Holandë, i cili tha se pamjet e tilla nuk e ndihmojnë aspak Kosovën. Ajo tha se Kosovës i duhen edhe shumë vite për t’u integruar në BE, pasi që ka ende shumë detyra për të bërë.

Mulder: Do të iu duhen dhe shumë vite të bëheni pjesë e BE-së

“Kam parë që është përdor gaz lotsjellës në parlament, nuk e di kush qëndron prapa kësaj, por kjo nuk iu ndihmon as mua dhe as ju, iu lutem mos veproni kështu. Pastaj shumë folën dhe për liberalizimin e vizave, unë mendoj që politikanët në Kosovë, duhet t’i përmbushin pritjet e Bashkimit Evropian, duhet t’i përmbushni kriteret, siç është demarkacioni me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit. Mos e luftoni korrupsionin vetëm pse dëshironi ta merrni liberalizimin e vizave, por bëjeni për të mirën e vendit tuaj, duhet të jeni realist sa i përket anëtarësimit në BE, pra, me lejoni të iu them se do t’u duhet akoma shumë vite derisa të bëheni pjesë e BE-së, sepse ka detyra që duhet t’i bëni ju si vend”, tha ai.

Me fjalimet e përfaqësueseve të BE-së nuk u pajtua Sabri Hamiti, i cili pati kritika drejtë BE-së, e cila nuk po u lejon kosovarëve lëvizje të lirë.

Hamiti: Liberalizimi nuk varet prej parlamentit të Kosovës

“E dëgjova zonjën Apostollova, e cila i tha ato shifrat e famshme që Kosova prej 95 kushteve, 93 i ka plotësuar. Ne s’mund të flasim për Evropën, asnjë gjysmë sekondi edhe të jemi të bindshëm nëse ne nuk kemi lëvizje të lirë, sepse ndalja e një lëvizje të lirë është ndalja e një të drejte universale, evropiane globale njerëzore. Nëse shkelen të drejtat në Kosovë për lëvizje të lirë në Evropë, Evropa është diçka që nuk merret vesh çka është për një njeri të cilit si lejohet lëvizja, prandaj ky problem i 93 dhe 95, nuk e di ky 95 a është fiks, kush din me tregu a është fiks. Nuk besoj që din dikush me më tregu sot për sot, a bëhet nesër 96, sepse ka qenë një rrëshqitje e përhershme e kushteve të reja, që unë i quaj pengesa të reja... I drejtohem zonjës Tanja Fajon, e cila ka përvojë të mirë në këto punë. Ajo e bëri një thirrje të çuditshme që mu duk shumë sfiduese për parlamentin e Koso vës, tha parlamentar mos i bllokoni vizat. Parlamenti i Kosovës as nuk i ka në dorë, as nuk i ka pasur, as nuk do të zhbllokoj, as s’do t’i bllokoj, kjo është politike përmes së cilës mbrohen qeveritë dhe institucionet e ndryshme, për Parlament të Kosovës do t’i kishim vizat që pesë vjet, nuk është ashtu”, tha ai.

E Hamitit iu përgjigj Apostolova, e cila tha se ata duhet ta bindin opozitën që ta votojë demarkacionin.

Apostolova: Nuk është proces politik, bindeni opozitën për demarkacion

“Liberalizimi i vizave nuk është proces politik, por pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe BE-së. Janë disa kushte për të cilat kanë rënë dakord së bashku Be dhe Qeveria e Kosovës, kjo nuk është një surprizë, janë 95 kushte, shumica prej tyre janë përmbushur 93 prej tyre, këto kushte janë krijuar gjatë procesit të negocimit... Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, duhet të votohet në Parlament, është ne duar të deputeteve që ta bëjnë atë. Nuk pajtohem me parafolësin që tha se është një gjë artificiale për arsye se është në duart e juaja që ta bindni opozitën dhe personat që janë pjesë e pozitës, e që janë kundër demarkacionit, është në duart tuaja t’i bindni ata. Rinia nuk duhet të mbesin peng i këtij liberalizimi nuk është e drejtë për ta”, tha ajo.

Ndryshe, në këtë samit pritet të flas edhe kryeministri Isa Mustafa.

Thaçi: Sfida e vetme e Kosovës, çështja e Demarkacionit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se çështja e demarkacionit me Malin e Zi, është çështje e brendshme e Kosovës dhe shpreson që Kuvendi në ditët e ardhme do të ratifikojë demarkacionin, kurse, Brukseli të lëvizë sa i përket liberalizimit të vizave.

Thaçi në samitin e komisioneve për Punë të Jashtme i parlamenteve të shteteve të Evropës, ka thënë se këto ditë shënuan 9 vjetorin e shpalljes së shtetit të Kosovës, dhe presin njohje të reja.

“Për fat të keq Rusia vazhdon të vëjë veto në Këshillin e Sigurimit për pavarësinë e Kosovës. Kosova nuk ka asgjë të keqe me Rusinë. Moska raportet me Kosovën duhet t’i sheh përtej raportit dhe interesit me Serbinë, edhe sot ftoj Moskën ta njoh Kosovën”, tha ai.

Ai shtoi se kanë qenë pa kompronis në luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit, ndërkohë, po punohet maksimalisht që edhe për Kosovën të ndodhë liberalizimi.

“Ka shumë skepticizëm për projektin e BE dhe nga shtetet anëtare. BE rrezikon të kthehet në institucion burokratik, lihet përshtypja se në BE nuk ka lidership dhe vizion për zgjerim”, tha ai.

Image
Presidenti i vendit Hashim Thaçi

Hoxha: Fuqizimi i sundimit të ligjit përshpejton procesin euro-integrues

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha sot ka marrë pjesë në Samitin e kryetarëve të Komisioneve për Politikë të Jashtme të vendeve të Evropës jug-lindore, në të cilin u diskutua për “Perspektivat e zgjerimit të BE-së, hapja e dyerve për vendet e Ballkanit”, njofton kumtesa ministrore.

Gjatë këtij Samiti, në fjalën e rastit, Hoxha theksoi se Ballkani sot më shumë se kurrë, ka nevojë për fqinjësi të mirë, integrim dhe promovim të vlerave të përbashkëta, të bashkuar me diversitet. Ministria e Drejtësisë, është ndër institucionet kryesore që u prin aktiviteteve në agjendën euro-integruese të Republikës së Kosovës në sektorin e sundimit të ligjit duke përqafuar vlerat e kësaj agjende si pasuri për neve dhe gjeneratat që do të vijnë, shtoi ajo.

“Fuqizimi i sektorit të sundimit të ligjit dhe garantimi i një sistemi të pavarur dhe funksional i sistemit të drejtësisë, i cili garanton standardet më të larta të të drejtave të njeriut, është njëra prej obligimeve kryesore që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e nënshkruar mes Kosovës dhe BE-së dhe e hyrë në fuqi në prill të vitit të kaluar. Këto obligime të MSA-së janë prioritete kryesore dhe njëkohësisht sfidat e Ministrisë që unë drejtoj”, theksoi Hoxha dhe e cila shtoi se fuqizimi i sundimit të ligjit, përshpejton procesin euro-integrues të Kosovës.

Image
Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha në Samit

Apostolova: Politikanët e mbajnë çelësin për liberalizim

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovës, Nataliya Apostovova ka deklaruar se ata insistojmë që Kosova t’i përmbush edhe dy kriteret e mbetura, andaj, ata duhet të miratojnë demarkacionit dhe të marrin masa në luftën kundër korrupsionit.

Apostolova tha se BE do të vazhdojë ta mbështesë rajonin dhe Kosovën, e cila ka bërë përparim në përmbushjen e kritereve për liberalizim.

“Ne insistojmë që Kosova t’i përmbush edhe dy kritere. Politikanët e mbajnë çelësin për liberalizim, ata duhet të miratojnë demarkacionit dhe të marrin masa në luftën kundër korrupsionit. I inkurajoj politikanet ta gjejnë konsensusin për t’i përmbushur edhe dy kushtet e mbetura për liberalizim”, tha ajo.

Ai shtoi se polarizimi i partive pozitë-opozitë ka rezultuar me një ngërç politik dhe se kjo ka ngadalësuar punën e Kuvendit.

Image
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovës, Nataliya Apostovova

Fajon: Parlamentarë, për interesa partiake mos bllokoni proceset dhe liberalizimin e vizave

Eurodeputetja Tanja Fajon nga Prishtina sot ka përgëzuar popullin e Kosovës me rastin e shënimit të 9-vjetorit të Pavarësisë.

Fajon tha se Kosova ka pasur progres të madh viteve të fundit. Ajo tha se hyrja në MSA ka qenë arritje e rëndësishme, duke përmendur po ashtu rëndësinë që ka për vendin agjenda evropiane për reforma. “Duhet të implemtohet dhe agjenda dhe do ta bëjë Kosovën më të fuqishme dhe më të sigurt për të jetuar. Është e rëndësishme të përfundojmë procesin e liberalizimit. Jemi të përkushtuar që këtë ta bëjmë realitet”, tha eurodeputetja Fajon.

Ndërkohë ajo lavdëroj se Kosova ka bërë progres domethënës në luftën kundër korrupsionit, që është proces që ka ecur mirë dhe duhet të punohet më tutje.

“Dua të iu ofroj mbështetje për demarkacionin. I ftoj parlamentarët dhe iu lutem që mos t’i stoponi proceset dhe liberalizimin e vizave për interesa partiake. Duhet bëhet çfarë është e mundur për ta ratifikuar marrëveshjen në ditët e ardhshme. Tani ju e keni radhën”, ka dhënë porosinë e saj Fajon, drejtuar partive parlamentare në Kosovë.

Nga ana tjetër, eurodeputetja në fjalën e saj në Samitin e komisioneve për Punë të Jashtme që po mbahet në Prishtinë, tha se Kosova dhe Serbia duhet ta vazhdojnë dialogun edhe më tutje.

Tanja Fajon momentet që po i kalon Bashkimi Evropian i ka quajtur si kohë të sfidave të mëdha.

“Jemi duke kaluar nga një krizë në një krizë tjetër. Në këtë situatë kemi shumë sfida dhe ne duhet të jemi më të fuqishëm se më parë. Asnjë vend në BE nuk mund të ballafaqohet me këto sfida vetëm. Për zgjerimin e BE-së na nevojitet ndihma e njëri tjetrit”, ka thënë Fajon. 

Veseli: Kosova është pro fqinjësisë së mire dhe komunikimit pa barriera

Ka nisur në Prishtinë, nga mëngjesi i sotëm, Samiti i komisioneve për Punë të Jashtme.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në hyrje të fjalës së tij në samitin e sotëm tha se ngjarje të tilla janë një lajm shumë pozitiv për vendin.

“Takimet e një formati të tillë janë shprehje e qartë e përkushtimit të përbashkët të vendeve tona për thellim të bashkëpunimit të gjithanshëm institucional, në funksion të agjendës evropiane të integrimit”, tha Veseli.

Ndërkohë ai përmendi edhe momentet kritike që po kalon Bashkimi Evropian, për të cilët zëra të ndryshëm japin analiza të kundërta, por sipas Veselit këto pikëpamje shumë shpejt do të përgënjeshtrohen.

“Vullneti për të qëndruar të bashkuar është shumë here më i fortë se tendencat që kërkojnë të kundërtën. Bashkimi Evropian është shumë më shumë se sa burokracia e një grupi mekanizmash institucional”, tha Veseli.

Ndërkohë duke folur për 9-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit tha se shteti i Kosovës e ka bërë më të qëndrueshëm rajonin dhe më të sigurt perspektivën e tij evropiane.

“Republika e Kosovës qëndron fuqishëm mbi parimet e politikës së fqinjësisë së mire dhe komunikimit pa barriera. Ne të gjitha fushat, ne kemi ndërtuar raporte shumë të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe prej disa vitesh jemi përfshirë në një dialog të hapur me fqinjin tonë verior, Republikën e Serbisë, në mënyrë që marrëdhëniet tona, fillimisht të normalizohen, si hap i parë në rrugën e pashmangshme të njohjes reciproke”, është shprehur Veseli.

I pari i Kuvendit të Kosovës tha se nuk duhet lejuar që retorika e ashpër nacionaliste, që bëhet për fushata elektorale, të dëmtoj frymën dhe efektivitetin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se për qytetarët serbë të Kosovës garancia më e madhe janë ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, e jo trenat me simbolika që nxisin urrejtje dhe muret e ndarjes.

Samiti i komisioneve për Punë të Jashtme, dy ditë në Prishtinë

Nën organizimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, për dy ditë rresht, përkatësisht me 20 e 21 shkurt (sot dhe nesër), në Prishtinë mbahet Samiti i komisioneve për Punë të Jashtme i parlamenteve të shteteve të Evropës.

Në këtë samit do të marrin pjesë përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të shteteve të ndryshme evropiane, drejtues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe institucioneve vendore.

Panelistët dhe pjesëmarrësit e tjerë do të diskutojnë për perspektivat e zgjerimit të BE-së, përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimeve në organizatat ndërkombëtare, për krizën e emigracionit, si dhe për luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit në rajon.

Në këtë samit do të flasin liderët e institucional të Kosovës.

E pranishme do të jetë edhe euro-deputetja Tanja Fajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat