MAShT mirëpret vendimin e Turqisë për futjen e lëndës së gjuhës shqipe në shkolla

Aktuale

MAShT mirëpret vendimin e Turqisë për futjen e lëndës së gjuhës shqipe në shkolla

Më: 24 shkurt 2017 Në ora: 13:21
Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit, mirëpret vendimin e autoriteteve turke për futjen e lëndës së Gjuhës Shqipe në shkollat turke si lëndë zgjedhore nga viti shkollor 2017/2018, në nivelin e arsimit fillor parauniversitar.

“Para pak kohësh, gjatë vizitës zyrtare në Turqi, ministri i Arsimit,  Arsim Bajrami, e ka biseduar çështjen e futjes së lëndës së Gjuhës Shqipe në shkollat turke, në takim me ministrin e Arsimit Kombëtar të Turqisë”, thuhet në një komunikatë të MASHT-it.

Andaj, MAShT e vlerëson si shumë të rëndësishëm këtë vendim për komunitetin shqiptar që jeton në Turqi, të cilit i është dhënë mundësia për kultivimin e gjuhës amtare dhe njëkohësisht promovon diversitetin etnik dhe të drejtat e komuniteteve.

Ministria e Arsimit zotohet se do të japë ndihën e pakursyer institucionale për shqiptarët që jetojnë në shtetin turk dhe zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe, përmes ofrimit të ndihmës në hartimin e Kurrikulës, planprogrameve dhe trajnimit të mësimdhënësve, në koordinim me institucionet arsimore të Turqisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat