Demolli: Nevojitet mbështetja e Francës për ushtrinë

Aktuale

Demolli: Nevojitet mbështetja e Francës për ushtrinë

Më: 24 shkurt 2017 Në ora: 15:38
Pamje nga vizita e një delegacion nga Instituti i Studimeve të Larta të Sigurisë Kombëtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Francës

Një delegacion nga Instituti i Studimeve të Larta të Sigurisë Kombëtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Francës qëndroi sot për një vizitë zyrtare në Ministrinë për Forcën e Sigurisë të Kosovës.

“Mbështetja dhe përkrahja e Francës për Kosovën në drejtim të ndërtimit dhe funksionalizimit të sektorit të sigurisë, me theks të veçantë transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është më së i nevojshëm, nëpërmjet mekanizmave të fuqishëm që posedon aktualisht Franca, kudo në organizatat me peshë të organizmave evropiane e më gjerë”

Kështu u shpreh ministri i FSK-së, Haki Demolli, gjatë takimit me ambasadorin e ri në detyrë të Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, Didier Chabert dhe gjeneralin Daniel Argenson udhëheqës i delegacionit.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i MFSK-së, Muhamet Latifi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Ministri Haki Demolli ka çmuar lart kontributin e kontingjentit të Francës në kuadër  të KFOR-it, por edhe interesimin dhe angazhimin që ka treguar Franca në vazhdimësi për Kosovën. Ai po ashtu shprehu para tyre kërkesën që ky të mos mbetet takimi i vetëm, por të vazhdohet me takime konkrete edhe në të ardhmen në të mirë të bashkëpunimit të dyanshëm.

Ndërkaq, ambasadori i Francës në Prishtinë dhe gjenerali Argenson u shprehen jashtëzakonisht të interesuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen ndërmjet dy vendeve dhe dy forcave tona.

Sipas komunikatës së MFSK-së, më pastaj delegacioni nga Instituti i Studimeve të Larta të Sigurisë Kombëtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Francës vazhdoi takimin e përbashkët në sallën e konferencave, ku drejtori i Departamentit për Transformim, Modernizim dhe Standardizim, kolonel Agron Bajrami, përmes një prezantimi i njoftoi mysafirët për misionin, strukturën, shkollimet, trajnimet si dhe për procesin që ka të bëjë me transformimin e FSK-së. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat