Familja Dehari cakton ekspertë nga Zvicra për ta hetuar vdekjen e Astritit

Aktuale

Familja Dehari cakton ekspertë nga Zvicra për ta hetuar vdekjen e Astritit

Më: 25 shkurt 2017 Në ora: 12:13
Prindërit e aktivistit të vdekur në Burgun e Prizrenit, Astrit Dehari dhe avokati Tomë Gashi

(E plotësuar) - Prindërit e Astrit Deharit, Avni dhe Xhemile Dehari, kanë njoftuar se është përzgjedhur ekipi i ekspertëve nga Zvicra për të hetuar rastin e vdekjes së djalit të tyre. Nëna e Astriti edhe një herë tha se djali i tyre është vrarë.

Babai i Astritit, Avni Dehari në një konferecë për media, deklaroi se ekspertët e përzgjedhur janë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze, Romandi (CURML).

Sipas Deharit, janë përcaktuar ekspertët ndërkombëtarë nga Zvicra, pasi që ata nuk janë pajtuar konkludimet dhe deklaratat kontradiktore për vdekjen e Astritit.

Dehari: Kemi përcaktuar ekspertë dhe hetues ndërkombëtarë nga Zvicra

“Ne nuk jemi pajtuar me konkludimet që kanë nxjerr zyrtarët dhe kemi angazhuar ekspertët e pavarur. Pastaj, meqë Kuvendi morri një vendim në dhjetor që familjes i lejohet të bëj hetime të pavarura për shkak të deklarimeve shumë kontradiktore që dolën në atë kohë dhe për shkak të reagimeve tona, ne jemi angazhuar që të sjellim ekspert dhe hetues të pavarur ndërkombëtarë. Kemi kontaktuar me zyrtarë të qendrave universitare të mjekësisë ligjore në Bern, Cyrih në Gjenevë dhe në fund jemi përcaktuar që t’i angazhojmë ekspertët dhe hetuesit ndërkombëtarë të Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në pjesën franceze në Zvicër. Unë kam qenë personalisht dhe kam  kontaktuar me zyrtarët e kësaj qendre”, deklaroi Dehari.

Kurse, nëna e Astritit, Xhemile Dehari  tha se do e pranojnë juridikisht çdo vendim që del nga kjo ekspertizë, por jo edhe shpirtërisht, pasi që, zyrtarët të cilët kanë dhënë deklarata kontradiktore për vdekjen e Astritit  janë shpërblyer me poste edhe më të mira.

Dehari: Do e pranojmë juridikisht vendimin e ekspertizës, por jo edhe shpirtërisht

“A është vdekje e Astritit, a është vrasje apo vetëvrasje, e dinë ata që i kanë bo. Me pas në shpi Astritin, ju kishe tregu saktë se si ka vdekur Astriti, por ata që e kanë bërë le të tregojnë...Ne si prind kërkojmë hetim të pavarur jo për ndonjë arsye tjetër, aty kemi pasur shokë tonë, por na i kanë vra djem. Arsyeja e parë është që për Arbnorin nuk na kanë dhënë kurrfarë sqarimi. Tre vjet i bëri Arbnori, ende nuk e dimë si ka vdekur ai , po thonë se ka vdekur Astriti në burg, unë them se e kanë mbytur Astritin në burg, këtë nuk mund të ma hek as zvicerani se e kanë vrarë Astritin në burg. Mirëpo, këtë hetim që do të bëjnë sigurisht që do e pranojmë vendimin e tyre”, deklaroi Dehari.

Ajo tha se ende raport zyrtarë për vrasjen e Astritit nuk kanë marrë.

Në anën tjetër, Avokati i Familjes Dehari, Tomë Gashi deklaroi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e obliguar t’i kompensoj të gjitha shpenzimet e institutit të përzgjedhur, pasi që kjo bazohet në vendimin që Qeveria e ka marrë më parë për këtë rast.

Gashi: Qeveria, Parlamenti duhet t’i kryejnë të gjitha shpenzimet për hetimet e institutit

 “Ata do t’i kontaktojnë edhe organet zyrtare të Republikës së Kosovës dhe tani është çështje e Qeverisë, e Kuvendit dhe Ministrisë së Drejtësisë që t’i përmbahen zotimeve të tyre dhe premtimeve të tyre, se në momentin që familja Dehari të përzgjedh ndonjë institut për hetime të pavarura. Ata do t’i kryejnë të gjitha pagesat lidhur me punën e tyre dhe do t’i kryejnë të gjitha procedurat ligjore të  nevojshme që këto hetime dhe ekspertiza të jenë në kuadër të ligjit për bashkëpunim ndërkombëtarë”, deklaroi Gashi.

Gashi paralajmëroi se gjatë javës së ardhshme do të bëj kërkesën zyrtare tek organet kompetente të Republikës së Kosovës, për angazhim të menjëhershëm të ekspertëve.

Ndryshe, ekipi i institutit të përzgjedhur nga familja Dehari, udhëhiqet nga dy ekspertë eminentë dhe kolegë të fushave përkatëse. Ekspertët janë me përvojë dhe renome ndërkombëtare të dëshmuara në raste të ngjashme.

Astrit Dehari pati vdekur më 05.11.2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Vdekja e Deharit do të hetohet nga Qendra Universitare e Zvicrës franceze

Në një konferencë të përbashkët për media kanë dalë prindërit e tashmë të ndjerit Astrit Dehari, Avni e Xhemile Dehari dhe avokati Tomë Gashi, për të treguar se Instituti për Mjekësi Ligjore i Qendrës Universitare të pjesës franceze të Zvicrës është zgjedhur për të bërë hetim të pavarur në rastin e vdekjes tash për tash ende të pasqaruar të aktivistit të Vetëvendosjes.

Ka qenë fillimisht i ati i Astritit, Avni Dehari, ai që ka kujtuar se janë kryer hetime nga institucionet vendore, me rezultatet e të cilave ata nuk janë pranuar.

“Pas mundësisë që na dha Kuvendi i Kosovës ne jemi angazhuar që të sjellim ekspertë të pavarur ndërkombëtarë. Kemi kontaktuar me disa Qendra. Jemi përcaktuar që t’i besojmë Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore të pjesës franceze të Zvicrës”, ka thënë Dehari.

E ëma e Astritit, Xhemile Dehari, ka thënë se është zgjedhur Zvicra për shkak se ata si familje kanë jetuar 19 vjet atje.

“Presim hetim të pavarur dhe presim që të vërtetohet bindja jonë se Astriti është vrarë. Nëse rezultati i këtij instituti del i njëjtë me atë të institucioneve të Kosovës ne juridikisht do ta pranojmë, por shpirtërisht kurrë nuk do të bindem se djali im është vetëvrarë”, ka thënë ajo.

Avokati Gashi ka thënë se “ata janë pajtuar se do të angazhojnë ekspertët më të mirë”.

Ai ka thënë se si avokat do të bëjë kërkesë zyrtare e do të njoftojë Ministrinë e Drejtësisë, prokurorin e rastit, si dhe Parlamentin e Kosovës. “Institucionet do të heqin shpenzimet që do të bëhen për punën e këtij Instituti. Është koha që ata të mbajnë premtimin dhe të kryejnë obligimin që kanë marrë”, ka thënë Gashi.

a
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat