“475 kriminelë serb të strehuar në veri, lista e përpiluar nga xhandarmëria franceze”

Aktuale

“475 kriminelë serb të strehuar në veri, lista e përpiluar nga xhandarmëria franceze”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 shkurt 2017 Në ora: 12:57
Marinsat nga Njësia e 26 ekspeditës detare të NATO-s, duke përcjellë ushtarët serbë në kufirin Kosovë-Serbi 1999

Kryetari i Këshillit rajonal për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Komunën e Mitrovicës, Halit Berani, së fundmi ka deklaruar se është i pakuptueshëm fakti  se si serbët të cilët kanë kryer krime dhe kanë ushtruar gjenocid në Kosovë nuk e kanë marr dënimin e merituar.

Barani në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka shpalosur fakte rreth krimeve të kryera nga serbët në Mitrovicë, ndërsa i ka vlerësuar si të padrejta ndjekjet që po iu bëhen ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai madje ka deklaruar se vetëm  në Mitrovicë, në pjesën e okupuar të qytetit, janë të strehuar mbi 475 kriminelë çetnik serbe, të cilët kanë kryer krime (gjenocid) mbi popullatën shqiptare.

I pyetur nga gazeta se ku i mbështet pohimet e tij, Barani ka thënë se regjistrin për kriminelët serbë në Mitrovicë, e kanë bërë hetues të xhandarmërisë franceze të KFOR-it, nga viti 1999 deri më 2004.

“Këtë regjistër e kanë bërë vet disa hetues të xhandarmërise franceze që nga gushti 1999 e deri në vitin 2004. Autori i këtyre rreshtave është dëshmitar okular për ish-policin, Tofill Voinoviq nga Mali i Zi i cili më 27. III. 1999 ditë e shtunë, në afërsi të stacionit të autobusëve në Mitrovicë ka pushkatuar në mes të rrugës, Rrahim (Vocen) (53) banor i lagjes "Bair"-Mitrovicë, Hajdin (Islam) Xonin (72) banor i lagjes "Ilirida" ish Tavnik-Mitrovicë, po ashtu jam dëshmitar okular për, Ratko Antonijeviq ish banor i lagjes "Ilirida" ish Tavnik-Mitrovicë, Dejan Saviq nga fshati Gojbulle-Vushtrri, Nenad Paviqeviq ish banor i lagjes "Qendra 2"-Mitrovicë, Boban Milosavleviq banor i lagjes "Bair"-Mitrovicë”, ka pohuar Barani.

Heshtja e MPB-së

Lidhur me këtë çështje, gazeta ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme më shumë informata se a janë në dijeni institucionet e sigurisë së Kosovës për këtë dhe se çfarë do të ndërmarrin ato në këtë aspekt, por “Bota sot”, nuk ka marrë një përgjigje.

Policia s’tregon a po i heton kriminelët

Ndërsa, Policia e Kosovës në përgjigjen e saj, nuk ka treguar se çfarë është duke bërë në këtë drejtim, por, ka thënë se ajo konform ligjit dhe detyrave që ka, ndërmerr veprime ligjore për hetimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit, ku ndër detyrat dhe autorizimet e përgjithshme të policisë janë parandalimi i rrezikut ndaj qytetarëve si dhe ta mbajë rendin dhe sigurinë publike në të gjithë territorin e RKS-së. Po ashtu, PK-ja në të gjitha rastet ndërmerr veprime konform autorizimeve ligjore që ka për parandalimin, hetimin, zbulimin arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin”, thuhet në përgjigjen e Policisë për “Bota sot”.

Selimi: Qeveria i ka amnistuar kriminelët serbë në veri

Për këtë temë ka komentuar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje Rexhep Selimi.

Ai ka pohuar për “Bota sot”, se në veri nuk fshihen vetëm 457 kriminelë, por edhe më shumë. Fajin për këtë sipas tij, e ka Qeveria dhe shumica parlamentare, e cila përmes Ligjit për Amnisti i ka amnistuar edhe ata.

“Ata nuk fshihen fare, sepse nuk i ndjek askush. Por shumë prej tyre, nëse jo të gjithë, i ka amnistuar Qeveria dhe mazhoranca parlamentare me Ligjin për amnisti, të cilin ligj, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar me ngulm. Prandaj, ata nuk po fshihen, por po rriten dhe përditë po dalin sheshit, madje nganjëherë edhe bëjnë ushtrime ushtarake edhe me pëlqimin e Policisë së Kosovës siç ishte ushtrimi "Fenix 2016" kur ata u panë edhe të uniformuar”, është shprehur deputeti Selimi.

Ai tutje ka thënë se strukturat paralele, të cilat kanë në përbërjen e tyre edhe shumë njerëz me të kaluar kriminale, janë problem për shtetin e Kosovës, por edhe për qytetarët serbë të Kosovës në komunat veriore.

“Sa herë flasim për kriminelë atje, ne ju referohemi atyre që kanë kryer krime dhe strukturave të sigurisë së Serbisë, por assesi nuk i konsiderojmë të tillë qytetarët serbë, të cilët e duan paqen dhe jetën e mirë e të qetë në shtëpitë e tyre”, ka sqaruar deputeti i VV-së Rexhep Selimi./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat