A do ta arrestojë Kosova gjeneralin serb që vrau 1400 civilë shqiptarë?

Aktuale

A do ta arrestojë Kosova gjeneralin serb që vrau 1400 civilë shqiptarë?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 26 shkurt 2017 Në ora: 09:52
Policia e Kosovës, Ljubisa Dikoviq

Udhëheqësi i Shtabit të Ushtrisë së Serbisë Ljubisa Dikoviq, i cili kohë më parë kishte vizituar Kosovën, përkatësisht bazën e KFOR-it, dyshohet se është përgjegjës për 1400 vrasje të civilëve shqiptarë në Kosovë.

Kështu thuhet në një dokumentar të përgatitur nga Fondaconi për të Drejtën Humanitare që drejtohet nga Natasha Kandiq.

Dokumentari i Fondacionit për të Drejtën Humanitare titullohet, “Gjenerali Dikoviq dhe brigada e 37 në Kosovë”.

Në zonën e përgjegjësisë të brigadës 37 të ushtrisë së Jugosllavisë në vitin 1999 në Kosovë janë vrarë rreth 1.400 civilë. Mbetjet mortore të një numri të viktimave janë zbuluar në varrezat masive në Serbi. Me brigadën në atë kohë ka komanduar shefi i tanishëm i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë Lubisha Dikoviq. As ai e as pjesëtarët e njësisë së tij nuk janë përgjigjur kurrë për ato krime.

Në filmin e Fondit për të Drejtën Humanitare “Lubisha Dikoviq dhe brigada e 37 në Kosovë” janë paraqitur provat mbi prezencën dhe rolin e Ushtrisë së Jugosllavisë në vrasjet masive të civilëve në Izbicë, Qirez, tek Shavarinat, Rezallë dhe fshatrat e tjera të rajonit të Drenicës, e të cilat më parë janë prezantuar në dosjet “Lubisha Dikoviq” dhe “Rudnica”.

Por, organet shtetërore në Kosovë, ende nuk kanë lëshuar ndonjë fletarrest për personin që dyshohet se i priu masakrave në Izbicë, Qirez, tek Shavarinat, Rezallë dhe fshatrat e tjera të rajonit të Drenicës.

Prokuroria: Po presim momentin e duhur për lëshimin e flet-arrestit

Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e Kryeprokurorit të shtetit ka thënë për gazetën “Bota sot”, se në momentin që të plotësohen kushtet e parapara me Kodin e Procedurës Penale , do të kërkohet nga gjyqtari kompetent  i procedurës penale, lëshimi i flet-arrestit dhe letër rreshtimit.

“Ju informoj se për çdo person që dyshohet se ka kryer vepra penale të krimeve të luftës apo krime të tjera, nëse është në arrati apo i pa arritshëm, në momentin që plotësohen kushtet e parapara me Kodin e Procedurës Penale do të kërkohet nga gjyqtari kompetent  i procedurës penale, lëshimi i flete arrestit dhe letër rreshtimit”, ka thënë Kozmaqi për gazetën “Bota sot”.

Barani: Kemi prova të mjaftueshme për krimet e çetnikëve serbë mbi popullatën shqiptare

Halit Barani, kryetar i Këshillit Rajonal për të Drejtat e Njeriut në Mitrovicë ka thënë për gazetën “Bota sot”, se posedon incizime dhe fakte të mjaftueshme të veprave kriminale të çetnikëve serbë mbi popullatën e pafajshme shqiptare.

“Sa i përket filmave, mund të prezantoj unë personalisht shumë filma, përkatësisht incizime të ndryshme që flasin për krime të kriminelëve çetnik serbë mbi popullatën shqiptare, por çfarë efekti arrihet me këtë. Sa i përket Fondacionit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, unë kam dëgjuar se kanë shfaqur një film të tillë edhe se do të përgjigjet një fare Ljubisha Dikoviç, shtrohet pyetja se kush dhe ku do të gjykohet. Të gjithë ata që duhet të dalin apo përgjigjen për krime ishte dashur të dalin para drejtësise aty ku është kryer krimi, e jo krimi është bërë në tjetër shtet e autori i krimit të përgjigjet para drejtësisë në një shtet tjetër, ky është një absurditet”, ka thënë Barani për “Bota sot”.

Sipas Baranit, Kosova është dashur të arrestojë vet ata kriminelë që janë duke shëtitur rrugëve të Kosovës si Mitrovicë, Graçanicë, Padezh etj.

“Ata shëtisin para syve të familjarëve që këta kriminelë ua patën vrarë anëtarët e familjeve, madje disa sish që jo një herë KMDLNJ, Qendra Rajonale në Mitrovicë i pati publikuar emrat e tyre që tani mbajnë uniforma të policisë së Kosovës e dreqi e di për kënd punojnë...?! Udhëheqja e lartë e Kosovës ishte dashur të lëshoj fletë arreste për të gjithë ata kriminelë që dihet për krimet e tyre të kryera mbi popullatën shqiptare civile të pa mbrojtur”, ka thënë Barani.

“Qeveria të mos kotet për krimet e luftës në Kosovë”

Sipas tij, Kosova deri më tani asgjë nuk ka ndërmarrë në këtë drejtim.

“Unë jam i bindur se as që iu bie në mend se çka ka ndodhur para pak viteve e jo të lëshojnë fletë arreste për kriminelë. Atyre iu bie ndërmend atëherë kur dikush ua përkujton dhe atë e mbajnë në mend derisa të takohen me kundërshtarët politikë. Këta farë "burrash" besoj se vazhdimisht mendët i kanë se kur do të shkojnë në zgjedhje, kush do të fitojë, kush do të bëhet kryeministër, kush ministër etj”, ka nënvizuar ai.

Ndërkaq, sipas analistit Islam Krasniqi, të gjithë e dinë të vërtetën rreth gjeneralit serb Ljubisa Dikovic, i cili është përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë, mirëpo, siç thekson ai, “Qeveria e Kosovës rreth kriminelëve serb, vetëm është kotur gjithmonë, si në Kosovë, ashtu edhe në bisedimet në Bruksel”.

“Filmi i publikuar nga Fondaconi për të Drejtën Humanitare është një pasqyrë që tregon qartë për krimet dhe gjenocidin që ka kryer shefi i ushtrisë serbe në Kosovë, dhe ai vjen përsëri midis Prishtinës, e mban takime me KFOR-in e Qeveria e Kosovës vetëm heshtë. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të lëshojë flet arreste për shefin e ushtrisë serbe Ljubisa Dikoviç dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë, të cilët kryen krime gjatë luftës në Kosovë, e jo të krenohet që i ndalnin nga një herë vizitat e tyre në Kosovë. Institucionet tona nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim, ato vetëm sa i kanë koklavitur këtë çështje edhe më shumë, të cilat kohëve të fundit po tentonin t’i shfajësojnë ata me pajtim”, ka nënvizuar ai.

Burjani: Krimet e luftës, të diskutohen edhe në Bruksel

Ndërkaq, analisti Blerim Burjani, ka thënë se Kosova mund të lëshojë vetëm fletë arreste në Kosovë për këta kriminelë.

“Deri më tash as këtë nuk e ka bërë Kosova e që ishte dashur të bëjë kaherë. Por, kjo ka qenë e çuditshme pse nuk ka pasur deri tash fletë-arreste të nxjerra nga Policia e Kosovës , përderisa Kosova nuk e ka ngrit këtë temë as në Bruksel në bisedime e as në qarqe ndërkombëtare, madje as nuk ka dorëzuar asnjë listë deri tash të kriminelëve serb për krimet e bëra në Kosovë”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Ndryshe, muajin e kaluar autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë shpallur në kërkim 57 të dyshuar serbë për krime lufte në Kosovë. Ata dyshohen se gjatë viteve 1998-1999 kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile shqiptare./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat