Aktivistët e Vetëvendosjes mohojnë akuzat për terrorizëm

Aktuale

Aktivistët e Vetëvendosjes mohojnë akuzat për terrorizëm

Më: 28 shkurt 2017 Në ora: 13:25
Krasniqi ka theksuar se të gjitha provat tregojnë se ata janë të pafajshëm.

(E plotësuar) - Seanca e parë gjyqësore për katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që akuzohen për terrorizëm nuk ka kaluar pa tensione mes të akuzuarve dhe mbrojtësve në njërën anë dhe prokurorit në anën tjetër.

Derisa i akuzuari Frashër Krasniqi tha se aktakuza ndaj tij dhe tre aktivistëve tjerë është politike dhe e montuar, prokurori i çështjes Abdurrahim Islami e mohoi këtë.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes pati përplasje verbale edhe me kryetarin e Trupit Gjykues  Beqir Kalludra, pasi që Frashër Krasniqi nuk përgjigjej me Po ose Jo në pyetjen e gjyqtarit nëse e pranon fajësinë apo jo, por dëshironte të shpjegonte këtë.

Madje, Kalludra urdhëroi policinë që ta largonin nga salla e gjykimit të akuzuarin Krasniqi, por që e tërhoqi atë, duke ia dhënë një minutë për të folur para se të përgjigjej nëse e pranojnë ose jo akuzën me të cilën ngarkohen.

Krasniqi në fjalën e tij, tha se sot nuk janë duke u gjykuar për sulmin e ndodhur mbi Kuvendin për shkak se pafajësia e tyre është e qartë, pasi këtë e ka thënë forenzika, alibitë e tyre, por edhe prokurori në kundërthëniet e tij.

Sipas Krasniqit, “megjithatë ata janë fajtorë sepse në një vend ku kriminelët janë në pushtet e jo në burg, kushdo që i kundërshton ata, është apriori fajtor”. Krasniqi foli fjalë të rënda edhe për prokurorin që siq tha ai po e mbron pushtetin.

Krasniqi: Jemi fajtor sepse kriminelët janë në pushtet

“ Ama ne nuk brengosemi aspak nëse ju do të na dënoni, për shkak se të dënohemi prej kriminelëve nënkupton se je duke ua zënë rrugën, pasi historia ka treguar se lëvizjet progresive gjithmonë janë dënuar para se të fitojnë, edhe historia ka treguar po ashtu se pushtetet autoritare gjithmonë kanë dënuar njerëz të pafajshëm para se vet të jenë prapa grilave, e ky do të jetë fati juaj prokuror”, tha Krasniqi.

Pas deklarimit të të gjithë të akuzuarve, avokatët mbrojtës kërkuan nga kryetari i trupit gjykues që klientëve të tyre t’iu hiqet masa e arrestit shtëpiak dhe t’iu zëvendësohet me masë tjetër por kjo është refuzuar nga gjyqtari Beqir Kalludra.

Por, avokatët mbrojtës gjatë gjithë kohës më shumë kanë mbajtur fjalime politike, se sa është i dëmshëm demarkacioni me Malin e Zi dhe nëse duhej apo jo të ratifikohet kjo marrëveshje.

Tomë Gashi avokat i Frashër Krasniqi madje bëri një kërkesë të pazakontë, duke thënë se nëse akuzat e prokurorit nuk janë politike, atëherë atij (Gashit) duhet t’i merret licenca e avokatit.

Gashi: Rasti është komplet politik

“Se rasti është krejtësisht politik vërtetohet së paku në dy dokumente. Dokumenti i parë është aktakuza e prokurorit e cila në thelbin e saj përmban vetëm arsye politike dhe mjerisht kjo është shfaqur edhe në vendimin e juaj ku thuaja që janë parashkruar një pjesë e diapozitivit të prokurorit gjë që e bënë këtë situatë jo normale për shkak të konotacionit politik që ka dhe vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak besoj që na dërgon vetëm në një përfundim se këta mbahen në arrest shtëpiak vetëm për arsye politike e jo për arsye të parapara me dispozita të KPK-së...nëse qëky nuk është rast politik atëherë mua duhet të ma marrin licencën”, tha Gashi.

Florije Drevinja avokate e Adea Batushës, më shumë u mor me çështje politike se sa me kërkesën për lirimin nga arresti shtëpiak të klientes së saj.

Ajo, madje mbajti ligjërata se sa është marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi e dëmshme për shtetin, dhe nëse Qeveria i ka apo jo numrat për ratifikim.

Drevinja: Demarkacioni është në dëm të interesit të Kosovës

“Arsyeja nga ana e prokurorisë dhe po ashtu edhe nga ana e Gjykatës së demarkacioni është ende në proces nuk përbën arsye për këto rrethana. Sepse demarkacionin edhe ashtu kështu nuk po mund të vihet në Kuvend sepse vet deputetët nuk duan ta ratifikojnë një marrëveshje që është e dëmshme për Kosovën dhe kjo dihet botërisht, ju mungojnë numrat dhe gjithashtu nuk është arsye mbajtja e katror aktivistëve nën masën e sigurisë”, tha Drevinja.

Ndërsa, Ramiz Krasniqi avokat i Atdhe Arifit i tha kryetarit të trupit gjykues se aktvendimi i tij është prejudikues meqë konstaton se katër aktivistët e VV-së kanë kryer sulmin mbi Kuvendin.

Këto deklarata të avokatëve, prokurori Abdurrahim Islami, i quajti mashtrim të opinionit.

Islami: As një përqind nuk është aktakuza politike

“Edhe pse propozimi ishte për zëvendësimin e masës së arrestit këtu dikush e shfrytëzoi të drejtën për fjalë përfundimtare e dikush për prononcime politike, respektivisht për mashtrim të opinionit kosovar. Në rastin konkret në fjalën e tij mbrojtësi Tomë Gashi thotë, edhe mbrojtja, edhe gjykata por edhe prokurori është i bindur se kjo është politike. Edhe një herë po them, as një përqind e përmbajtjes së aktakuzës nuk është politike, askush nuk mund asnjë gjë politike të më detyroj të bëjë”, tha Islami.

Para se të ndodhnin të gjitha këto, në fillim të seancës, prokurori Islami e lexoi aktakuzën e ngritur kundër Frashër Krasniqit, Adea Batushës, Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit.

Të katërtit akuzohen se më 4 gusht të vitit 2016 kanë sulmuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Këta aktivistë ishin arrestuar disa ditë më vonë e bashkë me ta edhe tashmë i ndjeri Astrit Dehari dhe Petrit Ademi i cili është liruar nga akuzat.

Sipas aktakuzës që e lexoi prokurori Islami  aktivistët e Vetëvendosjes në bashkëkryerje kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës, me qëllim të parandalimit të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin.

Siç thuhet në aktakuzë Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti duke vepruar në grup dhe me role të ndara që nga mesi i muajit korrik i vitit 2016 kanë përgatitur dhe planifikuar veprime përgatitore në drejtim të kryerjes së veprës penale mbi objektin e Kuvendit të Kosovës.

Më pas siç ceket në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria të pandehurit përmes shpalljes merrjep.com kanë vënë kontakte me Heset Ramadanin i cili kishte vënë në shitje motoçikletën të tipit Yamaha 125 CC, të cilën aktivistët e kishin blerë në vlerë prej 500 eurosh.

Sipas prokurorit Islami, të pandehurit kanë krijuar llogarinë [email protected] duke pasur për qëllim që organet e Kosovës, Kuvendi të mos e ratifikojë Demarkacionin dhe të shkaktojë frikë dhe pasiguri te qytetarët me datë 4 gusht nga parkingu mbrapa Kuvendit të Kosovës, përkatësisht në rrugën “Zenel Sadiku” në afërsi të ish Gjykatës Komunale me raketahedhës të dorës kanë kryer sulmin ndaj objektit të Kuvendit me të cilin rast predha ka goditur murin mes sallave 401 dhe 402 në katin e katërt nga i cili sulm nuk kishte dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale.

Në aktakuzë me tutje theksohet se të nesërmen pas sulmit e akuzuara Adea Batusha ka blerë një telefon të markës Samsung prej 15 euro ku me të akuzuarin tjetër Frashër Krasniqin kanë dërguar mesazhin nga emaili i krijuar nga ta, për kinse sulmin e kanë kryer rugovasit.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra refuzoi kërkesën e palës mbrojtëse për heqjen e masës së arrestit shtëpiak.

Seanca e radhës ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes do të mbahet me 30 mars në orën 13:00./B.Syla/

Përleshje verbale në mes Krasniqit dhe gjykatësit në seancën gjyqësore

Avokati i zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqit, ka kërkuar që të ndalohet masa e arrestit shtëpiak ndaj tij, pasi sipas Tomë Gashit nuk ka bazë ligjore për një vendim të tillë.

Kjo kërkesë e tij është refuzuar, andaj gjykatësi vendosi që masa e arrestit shtëpiak të vazhdojë ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo me arsyetimin se ditë më parë është vendosur nga Gjykata që masa e arrestit shtëpiak të vazhdojë edhe për dy muaj.

Tanimë, kërkesa e avokatëve do të shkojë në Gjykatë e Apelit.

Në seancën gjyqësore ndaj aktivistëve të VV-së, ka ndodhur një përleshje verbale në mes gjykatësit të rastit dhe të akuzuarit Frashër Krasniqi.

Në momentin kur gjykatësi e ka pyetur Krasniqin se a pranon fajësinë lidhur me sulmin ndaj Kuvendit, Krasniqi ka filluar ta shpjegojë, ndërkaq gjykatësi i është drejtuar me fjalët “e pranoni apo jo fajësinë”.

Kurse, Krasniqi i është drejtuar se “kam të drejtë të them atë çfarë mendoj për këtë rast. Ju për 6 muaj keni montuar prova”.

Gjykatësi pastaj ka urdhëruar policinë që ta largojë nga seanca Frashër Krasniqin, mirëpo një gjë e tillë në fund nuk ndodhi, dhe gjykatësi i ka lejuar ta shpreh mendimin e tij.

Krasniqi ka theksuar se të gjitha provat tregojnë se ata janë të pafajshëm.

“Me u arrestu prej krimineleve, është nder për neve sepse tregon qe jemi duke ua nxanë rrugën”, ka thënë Krasniqi.

Fajësinë nuk e kanë pranuar as të akuzuarit tjerë Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha.

Kurse avokati Tomë Gashi ka kërkuar ndalimin e masës së arrestit shtëpiak për të gjithë të akuzuarit.

Image
Aktivistët e VV-së

Nis seanca gjyqësore ndaj aktivistëve të VV-së

Ka nisur tashmë seanca gjyqësore ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes.

Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Halili dhe Adea Batusha të cilët po akuzohen për terrorizëm lidhur me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, gjinden në sallë.

Aktivistët në fjalë kanë aktakuzë të ngritur për veprën penale: Kryerja e veprës penale terroriste të Kodit Penal të Kosovës.

Pak para fillimit të seancës, Frashër Krasniqi ka bërë një postim në Facebook, ku ka shkruar “ Vazhdojmë me çmontime”.

Duhet theksuar se avokati i Krasniqit, Tomë Gashi ka shkruar se ky është gjykim haptazi politik dhe të gjitha provat e siguruara nga Prokuroria e vërtetojnë pafajësinë e aktivistëve të VV-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat