Ja si ndodhi vrasja në Pejë, dorasi e qëlloi shokun e tij me thikë dhe plumba

Aktuale

Ja si ndodhi vrasja në Pejë, dorasi e qëlloi shokun e tij me thikë dhe plumba

Më: 7 mars 2017 Në ora: 18:36
Majtas: Mentor Zekaj, viktima, Djathtas: Kreshnik Haliti, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen

39 vjeçari Mentor Zeka nga Peja, pasditen e të hënës, u qëllua për vdekje me dy plumba në trup pas një përleshje brenda veturës së tij, me shokun e tij Kreshnik Haliti. Ngjarja ndodhi para lokalit të viktimës, në lagjen “Fidanishte” të Pejës. Përleshja mes tyre dyshohet se ka nisur për shkak të një shume parash që dorasi ia kishte marrë me fajde viktimës. Policia ka arrestuar të dyshuarin, 39 vjeçar, po ashtu nga Peja. Derisa familjaret e asnjërës palë nuk komentojnë ngjarjen e djeshme. 

Një zënkë mes dy shokëve pejanë Kreshnik Haliti dhe Mentor Zeka ka përfunduar me fatalitet për 39 vjeçarin Zeka, pasi u qëllua disa herë me thikë, e më pas me dy plumba nga i dyshuari Haliti. Ngjarja ka ndodhur të hënën, rreth orës 16:00, në lagjen “Fidanishte” të Pejës, pranë një kafeneje pronë e viktimës. 

Deri tek vrasja kishte ardhur pas një konflikti të momentit që kishte nisur mes tyre, brenda veturës së viktimës. I dyshuari 38 vjeçar më pas ishte larguar nga vendi i krimit, me po të njëjtën veturë, për t’u arrestuar disa orë më pas. 

“I dyshuar në këtë vrasje është: K.H (1979)- i arrestuar mbrëmë rreth orës 22:00 pas arratisjes nga vendi i ngjarjes. I dyshuari me urdhër të prokurorit të Shtetit mbahet nën masën e ndalimit policor prej 48 orëve, për të vazhduar me procedura ligjore”, ka njoftuar të martën në mëngjes, Policia. 

E gjithë ngjarja është kapur nga kamerat e sigurisë së lokalit të viktimës, me anë të së cilës edhe është identifikuar i dyshuari Kreshnik Haliti. 

Media, të martën, nga hetuesia ka arritur të sigurojë informacione për përmbajtjen e filmimeve, të cilat tregojnë sesi ka ndodhur ngjarja. Në to, sipas burimeve brenda hetuesisë, shihet sesi viktima dhe i dyshuari deri sa ndodheshin në veturën e të parit, nisin një fjalosje mes vete. Për një moment Zeka ka nxjerrë armën e tij “PJETRO BERETA” të cilën Haliti kishte arritur të i’a kapte nga duart dhe më pas kishte shkrepur dy plumba në trupin e Mentor Zekës, shpjegohet rasti. 

Burimet kanë treguar se shkrepja e plumbave ka ndodhur jashtë veturës, derisa i njëjti person i dyshuar ka qëlluar disa herë me thikë viktimën, derisa përlesheshin në makinë. 

Sipas burimeve të gazetës brenda Prokurorisë Themelore të Pejës, shkaku që ka çuar deri tek konflikti e më pas vrasja, ka të bëjë me një shumë parash që dyshohet se Haliti i kishte marrë me fajde tek Zeka. 

Prokurori kujdestar Haxhi Sinanaj nuk ka dhënë shume detaje rreth vrasjes. Ai vetëm ka konfirmuar se viktima përveç me armë zjarri disa herë është qëlluar edhe me thikë. 

 “Viktima ka pasur goditje edhe me thikë në trup disa herë. Nuk e di ende nëse është konfiskuar ajo thikë ngase në atë moment kam qenë duke u marrë me kamerat e sigurisë”, ka thenë Sinanaj përmes telefonit. 

“I dyshuari ende nuk është intervistuar ngase ai në bashkëpunim me prokurorin ka vendosur që të mbrohet në heshtje”, ka treguar tutje ai.

Vendi ku ka ndodhur vrasja e djeshme në Pejë

Një ditë pas sulmit, në familjen e viktimës nuk kanë pranuar të rrëfejnë për atë se çka ditë për vrasjen e Mentor Zekës. Njëjtë, ka vepruar edhe familjarët e 38 vjeçarit të dyshuar. Vëllait i të dyshuarit kërkoi t’i drejtohemi avokatit Bahtir Troshupa për sqarime. 

Por i njëjti reagon ndaj lidhshmërisë që po i bëhen vëllait të tij, me dy kushërinjtë politikanë, anëtarë të PDK’së, deputetin Xhavit Haliti dhe ish-kandidatin e të njëjtës parti për kryetar të Pejës, Muhamet Haliti. 

Nga ana tjetër, Avokati Bahtir Troshupa, i kontaktuar nga Express pohon se klienti i tij ishte vetë dorëzuar në Polici pak orë pas krimit. Porse deklaratën e ka dhënë të martën, pasi natën kur u krye vrasja, sipas avokatit, i dyshuari ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore e psikike. 

“Klientin tim për shkaqe shëndetësore mbrëmë nuk e kam lejuar që të japi deklaratë. Ka qenë i stresuar”, tha avokati Troshupa. 

Ai deklaron se klienti qëlloi viktimën shkaku i një borxhi, e nuk e përmend fajden. 

“Shkaku ka qenë i një borxhi, klienti im i ka pasur një borxh viktimës. Ekspertiza mjeko-ligjore do ta vërtetojë të gjitha”, ka thënë Troshupa.

“Arma nuk ka qenë e klientit tim, por e viktimës”, ka pretenduar avokati mbrojtës i të dyshuarit për vrasje, Kreshnik Halitit.

Policia ka njoftuar se përveç armës “PJETRO BERETA” të kalibrit 7.65mm, në vendin e ngjarjes ka konfiskuar dhe 1 karikator të zbrazët të armës përkatëse me të cilën dyshohet se kryesi e ka përdorur gjatë kryerjes se veprës penal. Por, në raportin e policisë nuk përmenden fare të goditurat me thikë ndaj viktimës, e as nëse arma e ftohtë është konfiskuar.

Ndryshe, për zyrtarët e sigurisë në Pejë, viktima Mentor Zeka ka qenë i njohur dhe me disa dosje në Polici e Prokurori, për raste të tilla si “sulm”, “vrasje në tentativë” e “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Precedentë më të lehta penale ka të regjistruara në Polici edhe i dyshuari Kreshnik Haliti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat