Ish-komandanti i FSK-së: Nuk ka arsye të ndalohet formimi i ushtrisë

Aktuale

Ish-komandanti i FSK-së: Nuk ka arsye të ndalohet formimi i ushtrisë

Më: 8 mars 2017 Në ora: 17:10
Ish kreu i FSK-së Kadri Kastrati

Ish kreu i FSK-së Kadri Kastrati beson se ndërkombëtarët nuk do t’ia kthejnë shpinën Kosovës për themelimin e ushtrisë, pavarësisht se këta të fundit sot shprehen shqetësime për mënyrën se si FSK synohet që të transformohet në ushtri.

Kastrati shprehet i sigurt se përkrahja e ndërkombëtarëve nuk do të mungojë. Ai nuk sheh ndonjë arsye se përse duhet të ndalohet një gjë e tillë.

“Unë mendoj që ndërkombëtarët nuk do të na kthejnë shpinën as Kosovës e as FSK-së, ata gjithmonë kanë qenë me neve. Absolutisht që do të na përkrahin, sepse ne nuk po punojmë asgjë për të keqen e askujt por po punojmë për të mirën tonë dhe të gjithëve”, tha ish kreu i FSK-së, Kastrati.

Madje ai sqaroi se roli i ushtrisë do të jetë një forcë mbrojtëse, një forcë që siç thotë ai, do të reflektojë stabilitet në Ballkan.

“Forca nuk po punohet për te keqen e askujt, por ajo është një forcë multientike e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe nuk ka arsye pse dikush duhet të jetë kundër. Jemi shtet i pavarur e kemi të drejtën e ndërtimit të ushtrisë”, shtoi ai ndër tjerash.

Ndryshe, kujtojmë se sot kryesia e Kuvendit, projektligjin e dorëzuar nga presidenti Thaçi e ka proceduar për në Qeveri dhe e njëjta pritet të dërgohet edhe në Kuvend që të votohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat