Flet mjeku, kjo është gjendja shëndetësore e Azem Vllasit

Aktuale

Flet mjeku, kjo është gjendja shëndetësore e Azem Vllasit

Nga: Bota Sot Më: 13 mars 2017 Në ora: 08:54
Azem Vllasi

(E plotësuar) - Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani ka treguar detaje lidhur me plagosjen e avokatit Azem Vllasi.

“Në Klinikën Emergjente rreth orës 8:15 është sjellë një i plagosur me autoambulancë nga shërbimet spitalore”.

“I lënduari është trajtuar në Klinikën Emergjente, janë marrë masat diagnostike dhe masat tjera si dhe janë bërë konsultimet e duhura me ekspertë derisa për momentin i lënduari pas trajtimit mjekësor transferohet në Klinikën e Traumatologjisë”.

Ai ka treguar se avokati Vllasi është plagosur në pjesën e shpatullës.

Lenjani në një konferencë për media ka treguar poashtu se avokati Vllasi nuk i është nënshtruar asnjë operimi.

“Ka vrimë hyrëse plumbi dhe jo vrimë dalëse, nuk ka ndërhyrje operative deri tani por pritet obeservimi edhe gjashtë orët e ardhshme”.

“Ekspertët e degëve kanë parashikuar që për momentin nuk duhet të ketë ndërhyrje operative, por të bëhet vëzhgimi së paku edhe gjashtë orë”.

Image

Policia jep detaje për plagosjen me armë zjarri të Azem Vllasit

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, lidhur me plagosjen e ndodhur sot në Prishtinë, në rrugën “Hajdar Dushi”, me ç’rast plagë të lehta në kraharor mori Azem Vllasi, përcjell Bota sot.

Më poshtë raporti i plotë i Policisë:

“Sot rreth orës 08:00, policia ka marrë informacionin se në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje në tentativë ku nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima:

A. V, mashkull, 68 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Flet ndërmjetësi që e dërgoi personin te Azem Vllasi: Ja çka më tha…

I dyshuari për plagosjen e Azem Vllasit, ka shkuar në takim nëpërmjet një personi tjetër. R. M. ka ndërmjetësuar për takimin në mes të Vllasit dhe të dyshuarit. Ai ka thënë se sapo është kontaktuar nga policia për të shkuar në stacion policor.

Ai ka thënë se nuk e njeh këtë person, sepse vetëm me telefon ka komunikuar.

“Më ka thirru dikush në telefon dhe është prezantuar se është nga Matiqani dhe jeton në Zvicër. Më ka kërkuar që t’i lë një takim me avokatin Vllasi të cilin e kam shok që nga fëmijëria”, ka thënë R. M. për Insajderin.

“E kam thirru Vllasin dhe ka thënë se le të vijë të hënën në orën 8. Nuk ia di emrin as kush është”, ka thënë më tutje R. M.

Zbulohet arsyeja e plagosjes së Azem Vllasit

Burime nga Policia kanë thënë se avokati Vllasi është plagosur nga një person i cili ka shkuar për ta angazhuar në një rast.

Vllasi nuk ka pranuar që ta përfaqësojë, ndërkohë gjatë fjalosjes, i dyshuari ka nxjerrë revolen dhe e ka plagosur Vllasin.

Avokati ka marrë plagë në krahun e majtë. Policia është afër zbulimit të të dyshuarit.

Policia e di se kush e ka dërguar këtë person te avokati.

QKU: Vllasi jashtë rrezikut për jetë

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar njofton se në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, pas orës 8:00 të mëngjesit të sotëm, është pranuar për trajtim një pacient si pasojë e plagosjes me armë zjarri në krah.

I plagosuri  menjëherë ka marrë ndihmën mjekësore nga ana e mjekëve të Klinikës Emergjente dhe është jashtë rrezikut për jetë. 

 Pas ekzaminimeve mjekësore, vërtetohet se  bëhet fjalë për plagosje me armë zjarri.    

 “I njëjti është dërguar për ekzaminim me Tomografi të kompjuterizuar (CT)  dhe pas ekzaminimeve pritet të ndërmerren masat e  nevojshme për trajtim të mëtejmë shëndetësor”, thuhet në komunikatë.

***

Avokati Azem Vllasi është plagosur me armë zjarri sot në mëngjes rreth orës 8 në afërsi të shtëpisë së tij.

Policia ka konfirmuar për “Bota sot” se Vllasi është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Sipas burimeve të gazetës, Vllasi është jashtë rrezikut për jetë.

Plagoset me armë zjarri  Azem Vllasi, policia jep detajet

Avokati Azem Vllasi është plagosur me armë zjarri mëngjesin e sotëm.

Lajmin për gazetën “Bota sot” e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se plagosja ka ndodhur në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë dhe se Vllasi është dërguar për tretman në QKUK.

“Në mnëgjes kemi marr informatën për plagosjen me armë në rrugën “Hajdar Dushi në Prishtinë. Menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe kemi hasur në një person të plagosur dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK”, ka konfirmuar Ahmeti për "Bota sot".

Ajo ka thënë se ekipet e nevojshme policore janë duke u marr me rastin, duke mos zbuluar shkakun e plagosjes dhe detaje të tjera të rastit.

Plagoset me armë zjarri Azem Vllasi

Avokati  Azem Vllasi është plagosur me armë zjarri mëngjesin e sotëm. Rastin e ka konfirmuar për media zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Vllasi është dërguar në Emergjencë për kurim të metejm, ndërsa policia ndodhet në vendin e ngjarjes duke u marrë me rastin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat