Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, lidhur me plagosjen e ndodhur sot në Prishtinë, në rrugën “Hajdar Dushi”, me ç’rast plagë të lehta në kraharor mori Azem Vllasi, përcjell Bota sot.
Më poshtë raporti i plotë i Policisë:
“Sot rreth orës 08:00, policia ka marrë informacionin se në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.
Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje në tentativë ku nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima:
A. V, mashkull, 68 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”./BS/