Dyshohet se plagosja e Vllasit ishte përgatitur më herët

Aktuale

Dyshohet se plagosja e Vllasit ishte përgatitur më herët

Më: 13 mars 2017 Në ora: 15:58
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani

(E plotësuar) - Murat Jashari është i dyshuari kryesor për tentim-vrasjen ndaj avokatit Azem Vllasi.

Murat Jashari është me prejardhje nga Kumanova dhe është vëlla i dëshmorit të kombit Ismet Jashari-Kumanova dhe jeton në Zvicër. Ai njihet për akuzat publike që ua ka bërë ish-bashkëluftëtarëve të vëllait të tij, si Hashim Thaçit, Xhavit Halitit, etj për “të bëmat në luftë”.

Vllasi është gjuajtur me armë zjarri sot rreth orës 8 të mëngjesit ndërsa Murat Jashari dhe një i dyshuar tjetër me iniciale A.Ll janë arrestuar tek pasdite.

Derisa gjendja e Vllasit është jashtë rrezikut për jetë Policia thotë se arrestimi i dy të dyshuarve u bë edhe me ndihmën e  Agjencisë Kosovare për Inteligjencë.

Ndonëse Policia ende nuk i di motivet  për plagosjen e avokatit Vllasi, dyshimet janë se rasti mund të jetë i përgatitur pasi që gjatë arrestimit tek të dyshuarit është gjetur një revole shurdhuese(silenciator).

Policia është aktivizuar prej mëngjesit për të kapur të dyshuarit dhe në orët e pasdites kanë dalë me një konferencë të jashtëzakonshme për të dhënë detajet për këtë rast.

Kelani: Janë arrestuar dy persona

“Si rezultat i veprimeve të menjëhershme pas lokalizimit të vendit ku janë marrë informacionet për të dyshuarit është arritur  që lidhur me rastin në fjalë të arrestohen dy persona të dyshuar. Pra a personi i parë me inicialet M.J( viti i lindjes  1956) dyshohet se është kryerësi i kësaj vepre, ndërsa personi i dyshuari i dytë me inicialet A. LL. viti 1964 dyshohet të jetë pjesëmarrës në këtë rast”, tha Kelani.

Sipas Kelanit, Policia e Kosovës ka sekuestruar revolen e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.

Kelani: Polica e Kosovës ka sekuestruar revolen

“Dyshohet se është përdorur me një mjet që njihet si mjet shurdhues e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Njësitë policore pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe sigurimit të informacioneve tjera shtesë kanë bërë edhe bastisjen e disa lokacioneve të ndryshme ku janë takuar të dyshuarit. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe disa dëshmi të tjera si dokumentacione, njëkohësisht edhe video incizimet apo kamerat që kanë qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, në mënyrë që të ketë prova më shumë materiale rreth hetimit dhe zbardhjes së këtij rasti”, tha ai.

Sa i përket motiveve zëdhënësi i Policisë Baki Kelani, tha se janë duke punuar intensivisht dhe se në bazë të informacioneve që posedojnë deri tani, ai tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë çështje e cila mund të lidhet me detyrën apo veprimtarinë që ka ushtruar Azem Vllasi në të kaluarën

Por sipas tij dyshohet se ky rast ka qenë i përgatitur.

Kelani: Dyshohet se mund të jetë i përgatitur

“Vet fakti që është sekuestruar një revole e cila është përdorë në këtë rast me pajisjen shtesë silenciator, ajo dyshon se mund të jetë një rast i përgatitur, mirëpo është herët që ne të konstatojmë këtë pasi duhet të presim rezultatet finale nga hetuesit që janë duke u marrë me rastin konkret. Kështu që këto janë informacionet e para që ne i kemi nga vendi i ngjarjes dhe duhet pritur gjithë procesin që të përfundoj për të dal me informacione të tjera që mund të saktësojnë apo të vërtetojnë atë se a ka qenë qëllimi i vrasjes aspo tentim vrasje. Deri në këtë moment rasti është i cilësuar si vrasje në tentativë”, tha zëdhënësi i Policisë.

Pas plagosjes, Vllasi është dërguar në Qendrën Emergjente ku mjekët kanë njoftuar se ai është plagosur në shpatull dhe se nuk ka nevojë për operacion.

Edhe zyrtarët e QKU-së kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme, që rëndom nuk mbahet për rastet tjera duke dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të Vllasit.

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani ka thënë se  gjendja shëndetësore e Azem Vllasit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë dhe është transferuar në Klinikën e Traumatologjisë.

Lenjani: Nuk ka nevojë për operacion

“Sa i përket lëndimit bëhet fjalë për një lëndim në regjionin e shpatullës dhe nuk ka gjakderdhje e cila mund ta komprometojë gjendjen e tij shëndetësore. Ka vetëm një vrimë hyrëse plumbi por nuk ka një vrimë dalëse dhe ekspertët e Klinikës Emergjente, gjegjësisht të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës nuk e kanë planifikuar të kryejnë ndonjë ndërhyjnë operative dhe pritet të absorbohet edhe në 6 orët e ardhshme dhe më pastaj të merret konfirmimi zyrtar për ndërmarrjen e masave mjekësore”, tha Lenjani.

Plagosjen e Vllasit e kanë dënuar presidenti Hashim Thaçi, Qeveria e Kosovës, Oda e Avokatëve të Kosovës dhe figura të ndryshme politike.

***

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona të dyshuar për plagosjen e avokatit Azem Vllasi.

Njëri prej të dyshuarve sipas  policisë është Murat Jashari i lindur më 1956,  ndërsa personi tjetër me iniciale A.Ll i lindur më 1964 dyshohet se ka marrë pjesë në rast.

Baki Kelani, zëdhënës i policisë së Kosovës  në një konferencë për media ka dhënë detajet lidhur me rastin.

Ai tha se sot rreth orës 8:00 të mëngjesit Policia e Kosovës  ka marrë informacion për gjuajtje me armë në rrugën ‘Hajdar Dushi’ në kryeqytet.

“Policia e Kosovës ka arritur të sekuestrojë revolen dhe një shurdhues. Njësitë policore kanë bërë edhe bastisjen në disa lokacione”, tha Kelani.

Ai bëri të ditur se janë sekuestruar edhe  dokumentacioni videoincizimet në mënyrë që të ketë prova materiale.

Ai tha se deri tani nuk dihen motivet, ndërsa rasti cilësohet si  vrasje në tentativë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat