FSK-ja në Ushtri, edhe në mungesë të Listës Serbe

Aktuale

FSK-ja në Ushtri, edhe në mungesë të Listës Serbe

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 mars 2017 Në ora: 16:45
Forcat e Sigurise se Kosoves

Deputetja nga radhët e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu thotë se Franca duhet ta përmirësojë gabimin dhe ta lirojë kreun e saj, Ramush Haradinajn.

Haxhiu në një intervistë për “Bota sot” ka folur rreth arrestimit të Haradinajt dhe pritjeve që ata i kanë pasur që ai të lirohet brenda 40 ditëve.

“Unë tani juriste nuk jam, nuk e di si shkojnë procedurat, sado që kemi pyetur shumë herë për vendimin e parë. Ne kemi pritur që brenda 40 ditëve maksimumi ai do të lirohet, për ne kjo është krejt e pakuptimtë dhe me të vërtetë është një gabim shumë i madh i Francës si shtet mik i yni, që këtë e  ka treguar me njohjen në ditët e para të pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka treguar që është shtet mik.  Prandaj, e them personalisht që gabimin që e ka bërë Franca do të duhej edhe ta përmirësonte dhe ta lironte z.Haradinajn” u shpreh Haxhiu.

Përkundër që ka vazhduar dialogu me Serbinë edhe gjatë kohës që ka qenë i arrestuar, Haradinaj, deputetja Haxhiu thotë se tashmë është dokumenti që Kosova nuk guxon të dialogojë me Serbinë, gjersa lirohet Haradinaj.

“ Ky është dokumenti  (rezoluta) që e obligon tani. Tani, Repubika e Kosovës nuk ka të drejtë, pra nuk guxon të bëjë bisedime me Serbinë në Bruksel, deri në lirimin e Haradinajt” pohon Haxhiu.

Ndërsa sa i përket krizës politike dhe liberalizimit të vizave, Haxhiu thotë se nuk duhet pritur që krizën ta zgjidhin ndërkombëtarët, kurse sipas Haxhiut liberalizimi do të duhej të ndodh në mënyrë që Kosova të mos mbetet oazë në Ballkan.

“ Ne nuk duhet të mësohemi që pretendojmë që për t’i zgjidhur problemet tona të thërrasim dikë nga jashtë. Pra, secili lider politik, secili kryetar partie apo personalitet nga secili subjekt politik qoftë  edhe në krye të qeverisë, duhet t’i di privilegjet, por edhe përgjegjësit që i ka. Prandaj, do të duhej të reflektonte gjithmonë që krizat politike të zgjidheshin duke i vendosur në tavolinë të gjitha të panjohurat për ta zgjidhur problemin që shtrohet nga ato të panjohurat” thekson Haxhiu.

“Qytetarë të Republikës së Kosovës për vite kanë qenë të injoruar sa i përket liberalizimit të vizave. Premtimet e vazhdueshme kemi pasur edhe nga ndërkombëtarët, por mbi të gjitha edhe të z.Thaçi që aktualisht është President. Për 5 vite qytetarët e kanë të freskët, me data të caktuar premtimet se kur do të ndodh liberalizimi i vizave dhe kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi edhe informata se ky kriter ka shkuar pikërisht prej krerëve të shtetit, është kërkuar të hyjë si kriter se gjoja se lehtë do të kalojë, pra është vënë kriter padrejtësisht, nuk është vënë si kriter tek vendet tjera, prandaj nuk duhet dhe qytetarëve nuk iu intereson që të falin tokë që të bëhet liberalizimi. Liberalizimi do të duhej të ndodh dhe Kosova të mos mbetej një oazë në Ballkan” vazhdon Haxhiu.

Sipas Haxhiut, FSK-ja mund të shndërrohet në Ushtri edhe në mungesë në Listës Serbe.

“Edhe pse nuk jam eksperte në këtë fushë, por me ligj po mund të bëhet. Sot isha në bisedë me disa që më tepër e njohin këtë fushë, edhe Gjermania edhe disa vende tjera  ushtrinë e kanë  bërë në këtë formë, prandaj nuk i ndryshohet emri me Kushtetutë kërkohet që t’i ndryshohet emri me ushtri, në këtë rast i mbetet. Forcat e armatosura të Kosovës siç është, por rregullohet përmes ligjit si ushtri e Kosovës. Kosovës i duhet ushtria, normalisht se kanë kaluar shumë vite nga pas lufta dhe si një shtet që është njohur nga një numër i madh i botës, nuk guxojmë të vonohemi më tepër në këtë drejtim dhe ne jemi për t’u bërë kjo ushtri” pohon Haxhiu.

Deputetja e AAK-së, ka folur edhe rreth figurës së presidentit, Hashim Thaçi, sipas saj përfaqësimi i Jahjagës ka qenë më i mirë sesa i Thaçit.

“Personalisht e kam kundërshtuar mënyrën se si është zgjedhur, është një shembull jo i mirë, është një shembull që do të mbahet mend për të keq, pra në kohën kur ka pasur edhe protesta jashtë, më shumë ka ardhur përmes kërcënimeve si President i vendit. Unë tani e bëj krahasim me znj. Jahjaga, me të vëretë tani në mënyrë se si ka ardhur znj. Jahjaga ndoshta nuk ka qenë personi më i duhur, mirëpo për momentin, nuk do të ndalem në punën e saj sepse e kam kritikuar, megjithatë imazhi i Kosovës përmes përfaqësimit të znj. Jahjaga jashtë ka qenë shumë më i mirë sesa sot, Hashim Thaçi” shprehet Haxhiu.

Duke folur rreth pozitës së gruas në Kosovë, Haxhiu mendon se nuk është e kënaqshme, ajo pohon se duhet protestuar për të drejtat e barabarta.

“ Pozita e gruas në Kosovë është jo e kënaqshme. Duke e ditur përqindjen e gjinisë femërore në Kosovë, pozita e gruas nuk është në nivelin e duhur. Kërkoj që gratë në këtë ditë sikur 8 Marsi të protestojnë dhe të kërkojnë të drejtat më shumë, kur them të drejtat them gjithmonë krahas përgjegjësive, domethënë femrat janë më shumë të përkushtuar të japin më shumë se gjinia mashkullore, prandaj mos të ndahen të drejtat me përgjegjësit. Ngritja e vetëdijes për të protestuar duhet të jetë edhe në ditët tjera jo vetëm në 8 Mars, domethënë për të kërkuar punësim të barabartë, edhe pse kemi ligjet që janë mirë të miratuar, por nuk zbatohen, kemi ligjin për barazi gjinore por nuk zbatohet sa duhet” thekson Haxhiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat