Si iu përgjigj Isa Mustafa mbrëmë Vuçiqit në Sarajevë

Aktuale

Si iu përgjigj Isa Mustafa mbrëmë Vuçiqit në Sarajevë

Më: 16 mars 2017 Në ora: 14:39
Darka e Kryeministrave të Ballkanit Përendimor

Çështja e regjistrimit të pronave të RSFJ-së si prona të Kosovës ka nxitur tensione gjatë një darke në Sarajevë ku protagonistë kanë qenë Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq.

Në tavolinë me ta ka qenë edhe kryeministri Rama dhe kryesuesi i Presidencës boshnjake si nikoqir. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka ngritur tonet derisa ka debatuar me homologun e tij kosovar, Isa Mustafa. Por, si i është përgjigjur Mustafa Vuçiqit, media sjell detaje... 

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, që po e shoqërojnë kryeministrin Isa Mustafa në Samitin e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Sarajevë, kanë konfirmuar se Aleksandar Vuçiq ka ngritur tonet gjatë të mërkurës mbrëma gjatë një darke në një restorant të kryeqytetit boshnjak.

Në tavolinë përveç Mustafës dhe Vuçiqit, në restorantin "Libertas" kanë qenë të ulur dhe kryeministri Edi Rama dhe kryesuesi i Presidencës Boshnjake.

Vuçiq është çartur për shkak të vendimit të Mustafës që të gjitha pronat e Serbisë dhe RSFJ-së të regjistrohen si të Kosovës. Mustafa këtë vendim e ka marrë një ditë para se të shkonte në Sarajevë.

Por çfarë ka ndodhur në restorant?

Sipas zyrtarëve të Kosovës, të pranishëm në Sarajevë, Mustafa i është përgjigjur toneve tensionuese të Vuçiqit me “thumbime duke ruajtur qetësinë”. 

“Serbia nuk pyetet për Kosovën prej vitit 1999”, dhe “Këto janë vendime sovrane të një shteti të pavarur”, tregojnë zyrtarë të Kosovës, t'u ketë përgjigjur Mustafa kundërshtimeve të Vuçiqit, rreth vendimit të Qeverisë për pronat, që Vuçiq e kishte cilësuar si plaçkitje, dhe themelimin e ushtrisë. 

Skandali i Vuçiqit gjatë kësaj darke mori jehonë të madhe në të gjitha mediat e Ballkanit, një natë më parë, pak orë pasi kishte ndodhur. 

 Ndryshe, sot kryeministrat e 5 vendeve të rajonit dhe zyrtarë të BE-së kanë mbajtur pjesën formale të Samitit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat