Thaçi: Formimi i Ushtrisë së Kosovës është në binarë dhe do të ndodhë tani

Aktuale

Thaçi: Formimi i Ushtrisë së Kosovës është në binarë dhe do të ndodhë tani

Më: 23 mars 2017 Në ora: 13:27
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi, ka ripërsëritur të enjten se formimi i Ushtrisë së Kosovës është në binarë dhe se do të ndodhë tani, ndërsa shpreh besimin e plotë se Qeveria e Kosovës do ta procedojë projektligjin në Kuvend dhe se këtu nuk sheh ndonjë problem procedural.

Ai konfirmoi se është takuar me ambasadorin e SHBA, Greg Delawie, me të cilin tha se ka pasur një takim të rregullt. Thaçi ka bërë të ditur se kanë takime të rregullta me ambasadorin e SHBA-ve, por edhe me ambasadorët e tjerë të vendeve të Quintit kohë pas kohe në momente të rëndësishëm për vendin.

Presidenti tha se në këto takime diskutohen tema të zakonshme dhe për prioritetet e përbashkëta dhe për të ardhmen e Kosovës, ndërsa mohoi të ketë diçka të veçantë dhe të jashtëzakonshme në takimin me diplomatin amerikan.

Thaçi: Kam besim të plotë që Qeveria do ta procedojë projektligjin për ushtrinë

“Procesi i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës ka filluar, është në rrugë të drejtë, është në binar, është një proces i saktë i proceduar me kohë, do të ndodhë në një periudhë të caktuar kohore që është e përcaktuar me kthimin e opinionit nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në një periudhë 30 ditëshe. Tani është edhe më lehtë për arsye se edhe Ministria e Integrimeve edhe e Financave, edhe e FSK-së, kanë dërguar opinionet e tyre pozitive. Unë kam besim të plotë që Qeveria do ta procedojë, prandaj nuk shoh ndonjë problematikë apo telashe në këtë proces procedural, por as përmbajtjesor të iniciativës që e kam iniciuar si president i vendit për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, tha Thaçi në promovimin e Klubit të bizneseve frankofone në Prishtinë.

Ai ka shtuar se janë edhe për ndryshime kushtetuese dhe se do të vazhdojnë debatin edhe me serbët, shoqërinë civile dhe me gjithë spektrin e gjerë politik, por sipas tij, në të njëjtën kohë do të vazhdojnë të punojnë edhe rreth projektligjit për ushtrinë. 

Thaçi: Nëse serbët vazhdojnë bojkotin, ne do të vazhdojmë sipas projektligjit

“Ne jemi shumë në favor të ndryshimeve kushtetuese dhe do të vazhdojmë debatin edhe me serbët, edhe me shoqërinë civile edhe me mediet dhe me gjithë spektrin politik dhe shoqëror të Republikës së Kosovës, por do të vazhdojmë të punojmë paralelisht edhe në procesin e projektligjit, dhe nëse me të vërtetë do të vonohen serbët, atëherë ne do të vazhdojmë sipas projektligjit. Është me rëndësi që është ndërtuar një konsensus i gjerë shoqëror, qytetar, politik dhe institucional si kurrë ndonjëherë më parë, prandaj është një proces i pandalshëm, i pakthyeshëm dhe do të ndodhë tani”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi: Formimi i ushtrisë do të ndodhë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ripërsëriti se formimi i ushtrisë së Kosovës është në binarë dhe do të ndodhë.

Ai konfirmoi se është takuar me ambasadorin e SHBA, Greg Delawie, me të cilin tha se ka pasur një takim të rregullt. Kështu tha gjatë promovimit të klubit të bizneseve frankofon në Prishtinë.

 Ai ka përgëzuar  formimin e këtij klubi i cili tha se Kosova është shtet i ri me mundësi të mëdha për investime.

 Edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli vlerësoi lart këtë nismë për themelimin e Klubit të ri të Bizneseve, ngase sipas tij në Kosovë ka kushte të favorshme për investime dhe po ashtu bizneseve kosovare t’u mundësohet të investojnë në shtetet frankofone.

 Kryeministri Isa Mustafa duke folur për klubin e ri të bizneseve, tha se Asociacionet e bizneseve në Kosovë luajnë një rol të rëndësishëm për rritje ekonomike. Kryetar i këtij klubi është zgjedhur Rrahim Pacolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat