Mustafa: Kushtetuta garanton zbatimin e të drejtave të njeriut

Aktuale

Mustafa: Kushtetuta garanton zbatimin e të drejtave të njeriut

Më: 7 prill 2017 Në ora: 17:25
Kryeministri Isa Mustafa

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Kushtetuta garanton zbatimin e të drejtave të njeriut pa asnjë dallim.

Ai e ka cilësuar Kushtetuën si kurorë të shteti të Kosovës.

“Kushtetuta është kurorë e shtetit të Kosovës. Ajo garantion zbatimin e të drejtave të njeriut pa asnjë dallim”, është shprehur Mustafa.

Ai ka theksuar se ky dokument është akt i cili do ta drejtojë Kosovën drejt rrugës evropiane dhe drejt zhvillimit ekonomik.

Veseli: Kushtetuta është identitet i shtetit të pavarur

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli në fjalimin e tij për nder të nëntë vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka thënë se Kushtetuta është identiteti i shtetit tonë të pavarur dhe sovran.

Veseli tha se historia e Kushtetutës është e gjatë dhe e dhimbshme që ndërlidhet edhe me të kaluarën.

Tutje, Veseli ka përkujtuar sfidat e studentëve dhe minatorëve gjatë viteve të 80-ta për të realizuar ëndrrën e shtetit të pavarur.

“Prilli 2008 kjo ëndërr u bë realitet, u krijua Kushtetuta për të zbatuar deklaratën e Pavarësisë dhe  vullnetin e popullit”, tha Veseli.

Sipas tij Kushtetuta përmban standardet më të larta të lirive dhe të drejtave të njeriut, por që ende ka  sfida që këto të drejta të respektohen plotësisht.

Hoxha: Miratimi i Kushtetutës vuri themelet e shtetit tonë

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në nëntë vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka thënë se në këtë përvjetor assesi nuk duhet të harrohen ata që sakrifikuan gjithçka dhe kontribuuan që sot të gëzojmë Kushtetutën e vendit.

Hoxha po ashtu ka thënë se miratimi i Kushtetutës, përveç vuri themelet e shtetit të Kosovës, po ashtu vuri themelet e vlerave dhe parimeve demokratike të cilat populli ynë i përqafoi.

Më poshtë është fjalimi i plotë i ministres Hoxha: 

Në këtë përvjetor si çdo herë kujtojmë me krenari të gjithë ata që kontribuuan dhe dhanë shumë që ne të arrijmë të kemi një Kushtetutë moderne.

I kujtojmë me krenari studentët që ngritën ndër të parët zërin e rinisë për liri dhe pavarësi.

Kujtojmë minatorët që u vunë në ballë të kërkesave të popullit kundër rrënimit të rendit Kushtetues.

Kujtojmë mësuesit që për asnjë çast nuk u lëkundën nga besimi se arsimimi i brezave të rinj do ti shërbej një ditë Kosovës së pavarur.

Kujtojmë me krenari luftën e UÇK-së, dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë tonë.

Të gjitha këto përpjekje dhe lufta çlirimtare u kurorëzuan me pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Kurorëzim ky i një lufte të gjatë dhe të dhimbshme, luftë për liritë dhe të drejtat e njeriut, luftë për krijimin e një shteti modern, evropian dhe demokratik ku sundon ligji.

Miratimi i Kushtetutës përveç që vuri themelet e shtetit tonë si akti më i lartë juridik, po ashtu vuri themelet e vlerave dhe parimeve demokratike të cilat populli ynë i përqafoi.

Respektimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sundimi i ligjit është obligim i të gjithë qytetarëve.

Të  gjithë ne duhet të besojmë në vlerat dhe parimet kushtetuese, duhet të besojmë fuqishëm në shtetin tonë dhe të ardhmen e tij evropiane.

Shënohet Dita e Kushtetutës (Drejtpërdrejt)

Me një ceremoni po shënohet 9 vjetori i Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Nëntë vjet më parë, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend, ndërsa ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat