Dëshmitari flet për truprojën e Limajt

Aktuale

Dëshmitari flet për truprojën e Limajt

Më: 10 prill 2017 Në ora: 18:39
Fatmir Limaj

Në gjykimin kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve që akuzohen për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre, ka dëshmuar Ali Aliu, i cili njëherë kishte qenë i akuzuar në këtë rast e më pas prokuroria i kishte tërhequr akuzat ndaj tij.

Dëshmitari Aliu nga prokurori Charles Hardaway kryesisht u pyet për njohjen e tij me të akuzuarin Shpëtim Telaku, i cili është edhe truproje i të akuzuarit kryesor, ish-ministrit të Transportit dhe të Telekomunikacionit (MTPT), Fatmir Limaj.

Aliu pohoi ta ketë njohur Telakun gjatë luftës dhe tha se kishin qenë bashkëluftëtarë.

Dëshmitari shtoi se e dinte që Telaku më 2008 ka punuar si truproje e Limajt, i cili në atë kohë ishte ministër i MTPT-së.

I pyetur se a dinte nëse në vitin 2008 Telaku ka pasur ndonjë përgjegjësi për tenderët e ndërtimit të rrugëve, dëshmitari tha se nuk dinte për diçka të tillë. “E di vetëm se ka qenë truproje dhe të ju them të vërtetën as që më ka interesuar”, tha ai.

Në pyetjen e prokurorit se a e keni njohur Fatmir Limajn në atë kohë, dëshmitari tha se e ka njohur në luftë dhe gjatë vitit 2008 vetëm si ministër.

Më tutje, dëshmitari pohoi se gjatë luftës, Limajt i është referuar me “Daja”, ndërsa me “Shef” nuk iu kujtua.

Aliu theksoi se asnjëherë nuk ka punuar në kompani të cilat kanë udhëhequr ndërtimin e rrugëve të Kosovës.

Ai shtoi se ishte përpjekur të punojë me zhavorr dhe ka pasur bashkëpunim me kompaninë “Burimi”.

Më tej, prokurori e ballafaqoi dëshmitarin edhe me disa SMS, të cilat i kishte shkëmbyer me Telakun.

Fillimisht u pyet se a ka dëgjuar ndonjëherë për kompaninë “Eskavatori”, e dëshmitari tha se ka dëgjuar për të, por nuk e di se kush ka qenë pronari i kompanisë.

Pastaj, prokurori e ballafaqoi me disa SMS ku përmendej kompania në fjalë.

“Shpëtim a mujm mu taku dikur kur ti ki mundësi, ska dert edhe nëse osht vonë?”, ishte mesazhi i dërguar sipas prokurorit nga dëshmitari më 9 shkurt 2008.

“Veç të hënën se jemi shumë nxanë, plus jemi tu i kontrollu rrugët me ekspert”, ishte përgjigjur i akuzuari Telaku sipas prokurorit.

“Pikërisht ktu ashtu puna merre parasysh se në kompaninë “Eskavatori” jam. Dëgjohemi.”, ishte mesazhi vijues i dëshmitarit Aliu sipas prokurorit.

Pas ballafaqimit me këto SMS, prokurori Hardaway e pyeti se a ka punuar me kompaninë “Eskavatori” në lidhje me mirëmbajtjen verore të rrugëve në tregun e Ferizajit.

E për këtë, Aliu tha se nuk i kujtohet se çfarë ka qenë në pyetje.

“E kam pasur qëllimin që me ma gjetë një punë. Gjithmonë kam insistuar ta takoj Telakun kokë më kokë. Por, Telaku ka ikë prej meje, po s’ka mujt për hatër t’shoqnisë”, tha Ali Aliu.

Dëshmitari Aliu do të vazhdojë dëshminë në seancën e radhës e cila do të mbahet në fund të muajit prill.

Në këtë proces, Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik./Kallxo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat