Havolli: Institucionet e drejtësisë janë goditur nga Qeveria

Aktuale

Havolli: Institucionet e drejtësisë janë goditur nga Qeveria

Më: 24 prill 2017 Në ora: 15:00
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës Osman Havolli

(E plotësuar) - Oda e Avokatëve të Kosovës ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ka pezulluar rregulloren e nxjerrë nga OEK-u, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësorë të Kosovës, Këshillin Prokurorial dhe Policinë e Kosovës, për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli tha se sistemi gjyqësor, në këtë rast KPK-ja, KGJ-ja dhe OAK-u, janë goditur rëndë nga Qeveria e Kosovës me pezullimin e kësaj rregulloreje.

Sipas tij, për herë të parë një qeveri interferon në mënyrë direkte në punën dhe bashkëpunimin e krijuar tashmë, mes KGJK-së, PKP-së, PK-së dhe OAK-së.  

Havolli: Qeveria ndërhyri në sistemin gjyqësor

“Oda e Avokatëve të Kosovës shpreh indinjatën e saj të thellë me vendimin e Qeverisë së Kosovës e cila duke marrë për bazë nenin 44 të ligjit të Avokatisë, ka pezulluar të njëjtin. Që kur ekzistojnë dhe janë formuar institucionet e Kosovës, është hera e parë që një Qeveri, interferon dhe cenon pavarësinë e OAK-ut si një institucion i pavarur. Pavarësia e OAK-ut është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, ekzekutivi përmes këtij vendimi ka interferuar në mënyrë direkte në bashkëpunimin tashmë të krijuar mes KGJ-së, KPK-së, PK-së dhe OAK-ut dhe ka ndikuar në uljen e kualitetit të përfaqësimit sipas detyrës zyrtare të palëve në procedurë”, tha Havolli.

Havolli theksoi se Qeveria ka ra në lajthitje me marrjen e këtij vendimi me të cilin do të shkaktojë dëme të pariparueshme në sistemin juridik të vendit, duke atakuar të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë.  

Havolli: I bëjmë thirrje qeverisë ta tërheq vendimin

“Pasojat e dëmshme të këtij vendimi të marrë nga Qeveria e Kosovës janë evidente duke marrë për bazë edhe vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 24 nëntor 2016 në departamentin për çështje administrative, me të cilin është refuzuar caktimi i masës së përkohshme, pezullimi i ekzekutimit të kësaj rregulloreje, vendim ky i vërtetuar nga Gjykata e Apelit më datë 12 janar 2017, me këtë rast vendimi i Qeverisë bie ndesh me vendimet gjyqësore. Kjo paraqet ndërhyrje të Qeverisë në sistemin gjyqësorë...Me këtë rast OAK-u i bënë thirrje Qeverisë që në mbledhjen e radhës ta shqyrtoj dhe tërheq vendimin e marrë”, theksoi ai.

Kreu i OAK-ut shtoi se këtë rregullore e kanë kundërshtuar një numër i vogël i avokatëve, të cilët kanë bërë ankesë në institucione të ndryshme për pezullimin e kësaj rregulloreje.

Havolli: Rregulloren e kundërshtuan 45 avokatë

“700 avokatë i ka Kosova, po të kishte ndodhur 700 avokatë ta kundërshtojnë e 45 të përmbahen prej saj, atëherë kishim me thanë se këta qenkan në rregull, por ka ndodhur e kundërta, ka ndodh diçka e kundërt. Nuk mund të jap përgjigje, por nuk mund t’i vije një erë e mirë edhe kësaj çështje”, shtoi Havolli.

Havolli bëri të ditur se nuk do të ndalen deri në heqjen e këtij vendimi nga Qeveria e Kosovës dhe do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore.

Havolli: Do ta sfidojmë rrugën ligjore

“Tani neve na mbetet që të kërkojmë me parashtresë të posaçme Qeverisë së Kosovës që ta tërheq këtë vendim sepse paraqet ndërhyrje në sistemin gjyqësor në Kosovë...Oda e Avokatëve të Kosovës është e vëmendshme për punën që bënë dhe njëkohësisht është në respektin e autoriteteve të Kosovës edhe të Qeverisë, pavarësisht se vendimi ka ardhur si ka ardhur por neve do ta sfidojmë edhe rrugën ligjore”, tha Havolli.

Rregullorja parasheh që avokatët që caktohen sipas detyrës zyrtare e që paguhen nga shteti, të caktohen në departamentin e përgjithshëm avokatët e rinj deri në tri vjet përvojë, derisa mbi tri vjet përvojë të caktohen për krime të rënda.

Kjo rregullore ishte hartuar pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes OAK-ut, KGJK-së, KPK-së dhe Policisë së Kosovës, me inicimin e OSBE-së.

Rregullorja kishte hyrë në fuqi me 1 gusht të vitit 2016, pasi me 30 qershor Këshilli Drejtues i OAK-ut, ka miratuar këtë rregullore në të cilën parashiheshin të gjitha kriteret, procedurat, të drejtat dhe detyrimet e avokatëve.

Gjatë vitit 2016, OAK-u kishte angazhuar avokatë sipas detyrës zyrtare në 9 mijë e 563 raste, për nevojat e gjykatës, prokurorisë dhe policisë. 

OAK kundër vendimit të Qeverisë, kërkojnë anulimin e tij

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës Osman Havolli, tha se sistemi gjyqësor, në këtë rast KPK-ja, KGJ-ja dhe OAK-u janë goditur nga qeveria e Kosovës me pezullimin e rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare.

Ai tha se OAK-u shpreh indinjatën e thellë rreth këtij vendimi të Qeverisë, derisa theksoi se është hera e parë që një Qeveri interferon në OAK.

Havolli theksoi se Qeveria ka rënë në lajthitje me këtë vendim dhe paraqet një ndërhyrje në sistemin gjyqësor, ndaj edhe ka bërë thirrje  për  tërheqjen e këtij vendimi.

Havolli theksoi se 700 avokatë i ka Kosova,  ndërsa 45 e kanë kontestuar këtë rregullore.

Rregullorja parasheh që avokatët që caktohen sipas detyrës zyrtare e që paguhen nga shteti, të caktohen në departamentin e përgjithshëm,  avokatët e rinj deri në tri vjet përvojë, derisa mbi tri vjet përvojë të caktohen për krime të rënda. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat