Portugalia përfundon misionin në KFOR

Aktuale

Portugalia përfundon misionin në KFOR

Më: 29 prill 2017 Në ora: 23:22
Portugalia

18 vjet pas zbarkimit në territorin e Kosovës në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s, në emërtimin KFOR, ushtarët portugezë kanë përfunduar misionin e tyre, ka konfirmuar Nënkoloneli Helder Perdigão, shef i stafit të Forcave të Armatosura portugeze (CEMGFA).

“181 ushtarët e Batalionit të Mekanizuar të Këmbësorisë (1BIMec (R)) po nis procesion e tërheqjes nga operacionet fushore në Kosovë”, ka thënë zyrtari ushtarak.

Kjo tërheqje e forcës kombëtare portugeze është lajmëruar tetorin e vitit të kaluar nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Azeredo Lopes, i cili e kishte arsyetuar vendimin me “ndryshimin e kushteve strategjike dhe operacionale, domethënë kushtet e sigurisë dhe stabilitetit në territor, që janë më të favorshme për një Kosovë me zhvillim normal”.

“Performanca e misionit portugez është konsideruar e jashtëzakonshme, që korrespondon me standardet e larta të NATO-s, duke kontribuuar me vendosmëri në stabilitetin shoqëror dhe politik në territorin e Kosovës”, pati thënë ministri aso kohe.

Misioni kryesor i ushtrisë portugeze ka qenë “të kryejë operacione në mbarë territorin e Kosovës” me qëllim të “krijimit dhe mbajtjes së një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe që të sigurojë liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët”, ka thënë Hélder Perdigão.

Portugalia i është bashkuar operacioneve tokësore të NATO-s në korrikun e vitit 1999.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat