Lansohet nisma për fëmijë “Siguria ime varet nga ti!”

Aktuale

Lansohet nisma për fëmijë “Siguria ime varet nga ti!”

Më: 15 maj 2017 Në ora: 15:27
Ilustrim

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës bashkë me SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë dhe KEC, lansuan nismën në mbrojtje të fëmijëve “Siguria ime varet nga ti!”

Sipas Komunës së Prishtinës, kjo nismë do të realizohet në bashkëpunim me disa shkolla fillore në Prishtinë dhe ka për qëllim që përmes aktiviteteve edukative dhe avokuese të ndikojë në krijimin e shkollave më të sigurta, më mbrojtëse dhe më miqësore për çdo fëmijë.

 Aktivitetet edukative-avokuese për mbrojtje të fëmijëve do të realizohen në tri shkolla të Komunës së Prishtinës SHFMU “Gjergj Fishta”, SHFMU “Hilmi Rakovica” si dhe në SHFMU “Faik Konica”.

 “Përmes këtij bashkëpunimi do të bëhen përpjekje që të fuqizojmë funksionalizimin e mekanizmave për të ngritur vetëdijen, ndihmuar parandalimin, inkurajuar raportimin dhe lehtësuar reagimin ndaj çdo forme të dhunës dhe ngacmimeve”, thuhet në një komunikatë për media të komunës.

Drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se siguria e fëmijëve dhe krijimi i shkollave me klimë miqësore është prioritet i Komunës së Prishtinës.

“Mbrojtja dhe sigurimi i mirëqenies së fëmijëve është përgjegjësi e të gjithëve: e familjes; e shkollës; e institucioneve dhe e komunitetit. Duke pasur parasysh rolin dhe përgjegjësitë e secilit në këtë proces për mbrojtje dhe siguri të nxënësve e veçanërisht në institucione arsimore, mbrojtja e nxënësve duhet të jetë prioritet për secilën shkollë dhe duhet të jetë në thelb të gjitha aktiviteteve të shkollës”, ka thënë ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat