Krasniqi flet për koalicionin me “urdhëruesit e vrasjeve” dhe kundërshtarët më të mëdhenj të Rugovës

Aktuale

Krasniqi flet për koalicionin me “urdhëruesit e vrasjeve” dhe kundërshtarët më të mëdhenj të Rugovës

Më: 17 maj 2017 Në ora: 14:25
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Jakup Krasniqi, si njëri ndër ish-themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili pas kalimit tek NISMA dhe kritikave që i adresonte drejt Kadri Veselit dhe ish-kryetarit të kësaj partie, Hashim Thaçi, se ata urdhëronin vrasje, arrestime dhe izolime gjatë luftës, tash nuk e sheh si problem koalicionin e arritur me PDK-në.

Jakup Krasniqi, i cili është Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMA-ës, ka thënë se koalicionin në mes PDK-AAK-NISMA, nuk e sheh si një zgjidhje të mirë, po që ishte e domosdoshme.

Në një prononcim për “Insajderin”, Krasniqi ka thënë se “realisht koalicioni i pasdites, në një mënyrë apo tjetër, nuk ishte një zgjedhje e mirë, por që ishte e domosdoshme.

Sipas tij, është dashur shpejt e shpejt të merret një vendim dhe ishte i pranueshëm për shumicën.

“Nuk kishte shumë zgjidhje realisht në përbërjen që u shfaq, nuk kishte ndonjë zgjidhje të kënaqshme dhe si shpejt e shpejt është dashtë me marrë një vendim. Ne ishim në koalicion që Ramushi të ishte kryeministër. Në një mënyrë, edhe ky koalicion do të thotë pranon që Ramushi të jetë kryeministër dhe për shumicën kjo ishte një zgjidhje e pranueshme”, ka thënë Krasniqi.

Ai shtoi se “në politikë vendimi i shumicës duhet të respektohet”.

Mirëpo, Jakup Krasniqi si njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili pas kalimit tek NISMA dhe për kritikat që ua ka bërë ish-bashkëpartiakëve të tij, nuk e sheh si një problem.

Ai ka thënë se nuk ka probleme me subjektin politikë, por me krerët dhe me ish-kreun e PDK-së, Hashim Thaçi.

“Unë kam qenë kritik gjithherë ndaj krerëve të partisë dhe anëtarësisë. Ndaj anëtarësisë unë kam ruajt dhe kam qëndrime të mira edhe sot e kësaj dite, sepse është një anëtarësi që ka sakrifikua shumë. Unë kam pas probleme me krerët ose me kreun e saj të mëhershëm, ndërsa me anëtarësinë dhe me subjektin politik nuk kam pas problem”, është shprehur Krasniqi.

Krasniqi e kishte quajtur ish-kreun e PDK-së, Hashim Thaçin si “më helmues se gjarpri dhe më dinak se dhelpra”.

Ndërsa për Kryetarin e Kuvendit në ikje, Kadri Veselin, kishte thënë se ai së bashku me presidentin Hashim Thaçi, urdhëronin për vrasje, arrestime dhe izolime gjatë kohës së luftës.

“Ata kanë urdhëruar edhe vrasjen e ushtarëve, ju keni dobësuar në çdo segment Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e popullit shqiptar të Kosovës për liri, për mos bashkimin e popullit e të politikës në luftën çlirimtare ishit Ju dy”, kishte thënë Krasniqi.

Përveç kësaj ai kishte akuzuar se Veseli dhe Thaçi ishin dy ideatorët për atentatin ndaj presidentit Ibrahim Rugova.

“A ishin këta dy konstruktorët apo ideatorët e sulmeve dhe atentateve ndaj presidentit Ibrahim Rugova? Para, gjatë e disa vite pas Luftës Çlirimtare, Ju dy, Kadri Veseli e Hashim Thaçi keni qenë kundërshtarët më të mëdhenj të Rugovës, por çdo përpjekje për t’i zbutur raportet me Rugovën dhe LDK-në e keni quajtur tradhti”, kishte thënë Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat