Kurti: Ja pse do të fitoj Vetëvendosje

Aktuale

Kurti: Ja pse do të fitoj Vetëvendosje

Nga: H.O. Më: 21 maj 2017 Në ora: 20:43
Albin Kurti

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvenddosje, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se Vetëvendosje do të fitojë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Kurti thotë se kur nuk ka zgjedhje populli është rezistencë demokratike, kur ka zgjedhje popullsia është intervenim demokratik.

Postimi i plotë:

Ne jemi në anën e të vërtetës, të drejtës, të mirës e të dobishmes. Prandaj duhet të fitojmë e do të fitojmë sepse kështu fiton populli ynë që ka vuajtuar tepër gjatë e tepër shumë. 18 muaj nuk janë pak, porse 18 vjet janë tepër shumë. Asnjë qytetar nuk e ka merituar këtë gjendje. Secili qytetar do ta ketë shansin ta ndryshojë këtë gjendje. Kur nuk ka zgjedhje populli është rezistencë demokratike. Kur ka zgjedhje popullsia është intervenim demokratik. Le të bëhemi bashkë, të gjithë bashkë, krejt bashkë, të lëvizim bashkë, për fitoren e VETËVENDOSJE!-s, për fitoren e Kosovës.

Në qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s me tri reformat e paraqitura në këtë fjalim, do të arrijmë deri te shteti zhvillimor.

#Albini2017

Ky është fjalimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës,

Të dashur aktivistë të Lëvizjes,

I nderuari kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri,

I nderuari kryetar i kryeqytetit, Shpend Ahmeti,

I nderuari axha Avni, teta Xhemile dhe familjarë të Monit e të Arbenit,

Të nderuar deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës,

Zonja e zotërinj, motra e vëllezër,

Sot tri javë, më 11 qershor, janë zgjedhjet e nesër tri javë, më 12 qershor, festojmë trefish: festojmë fitoren e VETËVENDOSJE!-s, festojmë 18 vjetorin e çlirimit dhe festojmë 12 vjetorin e Lëvizjes sonë.

Në dy mandate si opozitë e kemi bërë Kuvendin vend të debateve të thella e të rezistencës parlamentare. Në legjislaturën e fundit, të pestën me radhë, e kemi parandaluar ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe faljen e tokës Malit të Zi, pra e kemi sprapsur bosnjëzimin e Kosovës dhe nuk e kemi lejuar ndryshimin e kufirit të Kosovës. Më lejoni që t’iu përgëzoj të gjithëve që jeni këtu dhe shumë e shumë të tjerëve që nuk janë këtu për këtë fitore madhore me të cilën ne tash ecim drejt fitoreve të reja.

Që nga zgjedhjet e fundit, pra ato të qershorit të vitit 2014, Lëvizja VETËVENDOSJE! është dëshmuar se nuk është ekskluzive, se ne bashkëpunojmë me të tjerët kundër planeve të Serbisë, kundër korrupsionit në Kosovë e për të mirën e qytetarëve të republikës. Mirëpo, ne nuk bashkëpunojmë me të tjerët për të keqen e popullit e për luksin e pushtetarëve.

Pushteti në Kosovë ka ndarë e përçarë popullsinë kurse i ka bashkuar të korruptuarit e kriminelët. Ne duhet t’ia shërojmë plagët popullit që ia kanë shkaktuar qeveritë njëra pas tjetrës. Për këtë gjë kemi edhe gatishmëri edhe vullnet, edhe program edhe guxim, edhe arsye edhe interes, edhe dije edhe imagjinatë.

Në Kosovën e pasluftës, kurrë populli ynë nuk e ka pasur më vështirë në aspektin socio-ekonomik dhe kurrë nuk e ka pasur më kollaj ndryshimin e dëshirueshëm. Ky ndryshim ka datë dhe emër, data është 11 qershori, ndërsa emri është vetëvendosja.

Populli nuk të do nëse nuk e don. Populli nuk të braktis, pa e braktisur ti njëherë atë. Neve populli na ka ndihmuar shumë, jo vetëm duke marrë pjesë aktivisht në protesta: prej mikpritjes nëpër shtëpitë e tyre për tubimet e shumta që i zhvillonim dhe qiratë falas për zyrat tona, e deri te votat në zgjedhje e qepët në demonstrata që na i hedhnin nga ballkonet. Tash, populli po na don si asnjëherë më parë. Ne duhet ta duam popullin më shumë se kurdoherë. 11 qershori është ditë me zemër, ditë e dashurisë, ditë e fitores së dashurisë, ditë e fitores së popullit tonë të dashur.

Ne jemi në anën e të vërtetës, të drejtës, të mirës e të dobishmes. Prandaj duhet të fitojmë e do të fitojmë sepse kështu fiton populli ynë që ka vuajtuar tepër gjatë e tepër shumë. 18 muaj nuk janë pak, porse 18 vjet janë tepër shumë. Asnjë qytetar nuk e ka merituar këtë gjendje. Secili qytetar do ta ketë shansin ta ndryshojë këtë gjendje. Kur nuk ka zgjedhje populli është rezistencë demokratike. Kur ka zgjedhje popullsia është intervenim demokratik. Le të bëhemi bashkë, të gjithë bashkë, krejt bashkë, të lëvizim bashkë, për fitoren e VETËVENDOSJE!-s, për fitoren e Kosovës.

Në qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s me tri reforma arrijmë deri te shteti zhvillimor:

 

Shpërbërja e Agjencisë së Privatizimit dhe themelimi i Fondit Sovran të Republikës së Kosovës (FSRK) me mandat të investimit, përmirësimit, ristrukturimit dhe rritjes së profitabilitetit të aseteve me rëndësi strategjike industriale të Republikës së Kosovës. FSRK do të bëhet aksionari kryesor i të gjitha ndërmarrjeve të mëdha publike të Kosovës (KEK, PTK, Trepça), me mundësi zgjerimi në industri të tjera.

FSRK themelohet nga Kuvendi dhe i përgjigjet atij, me bord monitorues të emëruar nga ai, kryeministria, presidenca dhe me nga një përfaqësues nga shoqatat e biznesit dhe të BSPK-së.

Bordi drejtues zgjedh drejtorin ekzektutiv (CEO) të FSRK-së i cili është figurë apartiake me përvojë globale ekzekutive në biznes dhe drejton FSRK-në në baza korporative (në formën e një fondi investues).

 

Themelimi i Agjensionit Zhvillimor të Republikës së Kosovës (AZhRK). AZhRK ka mandat implementimin dhe monitorimin e Programit Zhvillimor të Republikës së Kosovës, të miratuar nga Kuvendi.

AZhRK drejtpërsëdrejti mbështet sektorin privat dhe shtetëror të Kosovës në arritjen e synimeve strategjike zhvillimore përmes rritjes së kapaciteteve të biznesit vendor, promovimit të investimeve të jashtme dhe të eksportit. AZhRK koordinon politikat zhvillimore ndërmjet ministrive dhe udhëheq me agjensionet e pavarura zhvillimore që kalojnë nga kompetencat e ministrive tek AZhRK-ja.

AZhRK i përgjigjet drejtpërsëdrejti kryeministrit. Bordi drejtues i AZhRK përbëhet nga ministritë përkatëse (të Zhvillimit Ekonomik, Financave, Industrisë dhe Tregtisë, e Infrastrukturës, Bujqësisë, Arsimit etj.) dhe agjensionet e veçanta (FSRK, Agjencia Kosovare për Promovimin e Investimeve, Agjencia Kosovare e Standardizimit, Agjencia për Promovimin e Eksporteve [do të themelohet] etj.). Drejtori ekzekutiv i AZhRK është figurë apartiake që zgjidhet nga kryeministri me mandat 7 vjeçar.

AZhRK do të ketë edhe Këshillin e biznesit ku përfshihen shoqatat e biznesit dhe BSPK-ja përmes të cilit AZHRK koordinon aktivitetet dhe politikat me sektorin privat dhe sindikatat.

 

Themelimi i Bankës Zhvillimore të Republikës së Kosovës (BZhRK). Banka Zhvillimore ka mandat mbështetjen financiare të sektorëve strategjikë industrialë të Kosovës, të sektorit privat dhe shtetëror, të identifikuar në Programin Zhvillimor.

Kapitali fillestar i BZH furnizohet nga Republika e Kosovës kurse financimi i BZh bëhet përmes shitjes së bonove të garanatuara nga Republika e Kosovës.

BZH i përgjigjet Kuvendit, i cili emëron bordin drejtues të bankës me nga një përfaqësues nga BQK-ja dhe shoqata e bankave të Kosovës.

BZH ofron kushte të lira financimi për kredi afatgjata të investmeve të mëdha që ofrojnë potencial të qartë zhvillimor për vendin.

Çka i premton qeverisja jonë ndërmarrësve tanë? Ne ju premtojmë një sektor publik efektiv dhe pa korrupsion, një fuqi punëtore më të përgatitur, një sistem tatimor konkurrues, një mbrotje efektive nga konkurrenca e pandershme, qasje të mjaftueshme dhe atraktive në financa, kërkesë agregate shtesë përmes projekteve publike dhe programeve sociale që adresojnë uljen e varfërisë, qasje preferenciale në prokurimin publik dhe tregjet e reja.

E çka presim ne nga komuniteti i ndërmarrësve tanë? Ne presim nga ta më shumë investime, më shumë vende pune, më shumë kreativitet, zbutje të nivelit shqetësues të disbalancit tregtar, më shumë fokus në përdorimin e teknologjive që e ruajnë ambientin, pajisje me kontrata të të gjithë punëtorëve dhe kalim masiv në formalitet, respektim të orareve të punës, avancim të vazhdueshëm të barazisë gjinore në politikat e tyre të punësimit, dhe, avancim të përgjegjësisë sociale.

VETËVENDOSJE! është makina që asfaltin e gati 18 viteve të fundit e zëvendëson me pemë e perime, me prodhime vendore e shëndetësi për qytetarin. Qeverisja jonë 10% e tenderëve të politikanëve të PLDKAAK të 18 viteve të fundit do ta zëvendësojë me ushqim në shkolla për fëmijët tanë, me shtesa fëmijësh e vende nëpër çerdhe, me bursa për studentë e hulumtime për shkollarë, me grante për fermerë e kredi për ndërmarrës.

Çka i ofron qeverisja e VETËVENDOSJE!-s mërgatës sonë? Me ne në qeverisje, bashkatdhetarët nuk do të zhvatet më nëpër kufij sa herë që të marrin rrugën për Kosovë. Me ne në qeverisje mërgata nuk do të shihet vetëm si burim për kërkesë shtesë për mallra dhe shërbime, por si potencial për investime e zhvillim, për prurje të teknologjive e përvojave të reja, dhe, me siguri, me ne në qeverisje, mërgata nuk do të përjashtohet nga e drejta e votës përmes bllokimeve artificale të KQZ-së.

Të nderuar të pranishëm,

Kosova ka tepër shumë varfëri të heshtur, njerëz që tash e tre breza nuk arrijnë të dalin nga varfëria. Po ashtu, edhe klasa e mesme, përgjithësisht, shumë më të mëdha i ka gjasat që të varëfrohet sesa të pasurohet. Sepse i gjithë sistemi politik dhe institucionet shtetërore nuk janë vënë në shërbim të jetës më të pasur për të gjithë, por të pasurive përrallore për disa.

E, njerëzit e varfër janë të varfër jo pse kështu ka thënë zoti apo pse kështu e ka kushtëzuar natyra. Njerëzit e varfër janë të varfër për shkak të disa njerëzve të tjerë që me pushtetin e tyre i varfërojnë të tjerët dhe e pasurojnë veten e tyre. Kështu, pakica ka shumë e shumica ka pak. Dikush në Kosovë nuk po ka as të drejtë për mbijetesë e dikush ka edhe privilegje për luks. Dikujt nuk po i plotësohen as nevojat e dikujt po i plotësohen edhe dëshirat. Shteti është bërë nënë e dashur për të pasurit dhe njerkë e hidhur për të varfërit. Me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s kjo merr fund njëherë e përgjithmonë.

E, megjithëkëto, Kosova nuk është vend i varfër por populli i Kosovës është popull i varfër. Nuk i kemi qytetarët të varfër e të papunë kurse pushtetarët të pasur e të korruptuar pse jemi vend pa pasuri, popull pa histori e shoqëri pa kulturë, por pse dogma e privatizimeve të egra të industrisë prodhuese dhe e ndërtimeve të egra në tokë bujqësore është instaluar në shtet. Na thuhet se jemi çliruar e tash jemi të lirë, mirëpo, emigrimi masiv i këtyre tri viteve të fundit tregon se qytetarët e lirë të Kosovës po arratisen nga dogma e lirisë së tyre! Në vend se ta mbajmë pronësinë publike e shtetërore të ndërmarrjeve strategjike dhe ta ndërrojmë menaxhmentin e korruptuar, privatizimi në Kosovë shpesh e ka ndërruar pronarin dhe e ka mbajtur atë menaxhment! Me neve në qeverisje, industria e punësimi ecin bashkë: Kosova ka nevojë për investime në Trepçë, për ndërtimin e Termocentralit të ri dhe rivitalizim të Kosovës A, pra që do të hapin vende pune, ashtu sikurse edhe rivitalizimi i sistemit të ujitjes Ibër-Lepenc.

Ne e shohim shtetin si Republikë dhe ne e duam shtetin si republikë. Republika na mundëson që të jemi qytetarë me të drejta, punëtorë me mirëqenie, njerëz të arsimuar dhe banorë të shëndetshëm. Në programin tonë janë elaboruar gjerë e gjatë, shteti republikan dhe sundimi i të drejtës, politikat fiskale dhe mbrojtja sociale, sistemi pensional dhe sigurimet shëndetësore, punësimi dhe investimet, arsimi dhe shkenca, industria dhe bujqësia, sektori privat dhe ndërmarrjet e biznesit, mbrojtja e vendit dhe siguria për qytetarët, politika e jashtme dhe reciprociteti, integrimi evropian dhe mërgata, pushteti lokal dhe planifikimi hapësinor, kultura dhe trashëgimia kulturore, edukimi dhe sporti.

Demokracia mundësohet nga Republika dhe mirëmbahet nga socialdemokracia. Me demokraci shteti ynë bëhet shtet i shumicës, me drejtësi për të gjithë, shteti i shumicës që garanton të drejtat e pakicave. Ne ecim përpara me vetëbesimin që thotë se e ardhmja nuk është një stacion që na pret, por e ardhmja është një hapësirë që e krijojmë dhe një kohë që e fitojmë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është:

Lëvizje PËR Zhvillim; Lëvizje KUNDËR Korrupsionit.

Lëvizje PËR Barazi; Lëvizje KUNDËR Privilegjeve.

Lëvizje PËR Prodhim Vendës; Lëvizje KUNDËR Varfërisë.

Lëvizje PËR Punësim; Lëvizje KUNDËR Migrimit.

Lëvizje PËR Drejtësi; Lëvizje KUNDËR Krimit.

Lëvizje PËR Bashkim të shqiptarëve; Lëvizje KUNDËR agresionit të Serbisë.

Lëvizje PËR Pakicat; Lëvizje KUNDËR Diskriminimit.

Lëvizje PËR Solidaritet; Lëvizje KUNDËR Përçarjeve.

Lëvizje PËR Paqe; Lëvizje KUNDËR Luftës.

Ne nuk duhet ta kërkojmë atë që është e mundur por duhet ta bëjmë e do ta bëjmë të mundur atë që po e kërkojmë. Bashkësia gjithmonë e lind shpresën sepse e lind mundësinë. Dhe, mandej, bashkë realizohen mundësitë. Ne duhet të bëhemi bashkë, ne  po bëhemi bashkë, ne do të fitojmë bashkë sepse neve na nevojitet një shtet i bashkuar që bashkon.

Poeti i madh irlandez, William Butler Yeats, mbase më i madhi i tyre, ka një varg të shkëlqyeshëm e drithërues:

“But I, being poor, have only my dreams;

I have spread my dreams under your feet.”

(Por unë, duke qenë i varfër, kam veçse ëndrra;

I kam shpërndarë ëndrrat e mia nën këmbët e tuaja.)

A nuk e kanë bërë pikërisht këtë gjë rilindasit dhe dëshmorët tanë? Ata i kanë shpërndarë ëndrrat e tyre nën këmbët tona. Le të mos i shkelim ëndrrat e tyre me këmbët tona. Le t’i lëvizim këmbët tona sipas ëndrrave të tyre. Le të lëvizim bashkë, le të vendosim vetë, sepse kështu fitojmë bashkë!

Lëvizja jonë është shumë më e madhe sesa c?donjëri prej nesh, Lëvizja është më e madhe edhe sesa të gjithë ne së bashku, prandaj të gjithë ne bashkë, prandaj secili me njëri-tjetrin, duhet të lëvizim edhe shumë, edhe gjatë, edhe drejtë, edhe mirë, edhe pandalshëm, përpara!

Duajeni popullin me zemër, duajeni njëri-tjetrin përzemërsisht, duajeni Kosovën Republikë!

 

Ju falemnderit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat