AKR akuzon PDK-në për kopjim të “Fillimit të ri”

Aktuale

AKR akuzon PDK-në për kopjim të “Fillimit të ri”

Më: 22 maj 2017 Në ora: 12:50
Behgjet Pacolli

Partia Demokratike e Kosovës, ka zgjedhur slloganin “Fillimi i ri” për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

Por këtë sllogan, dikur pikërisht për zgjedhje e kishte përdorur Aleanca Kosova e Re, e Behgjet Pacollit, madje kur për herë të parë po i hynte garës për zgjedhjet e përgjithshme.

Këtë e ka konfirmuar nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu.

“Slloganin ‘Një fillim të ri’ e kemi pasur ne në zgjedhjet e vitit 2007”, ka thënë Sejdiu.

Më tej ai konsideron se nuk bëhet fjalë veç për kopjim të slloganit, që sivjet po e përdorë PDK e Kadri Veselit.

“AKR është vazhdimisht viktimë e kopjimeve edhe programore, në veçanti në sektorin ekonomik”, ka shtuar ai.

“Pjesa dërrmuese e programeve ekonomike që janë munduar t’i zbatojnë konkurrentët politikë të AKR-së, kanë burimin në programin tonë ekonomik”, ka shtuar Sejdiu.

“Fatkeqësisht edhe pse janë munduar të kopjojnë, konkurrentët politikë nuk kanë pasur kapacitete intelektuale për t’i zbatuar ato”, ka pohuar më tej ai.

Por në PDK e thonë se sllogani i tyre i sivjetmë “Fillimi ri”  nuk është i bazuar askund për që ai buron në kërkesat e qytetarëve të Kosovës.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë janë qytetarët e Kosovës janë në kërkim të një fillimi të ri.

“Rrjedhimisht, ky sllogan, i qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm i PDK-së”, ka thënë Krasniqi.

“Si ‘Fillim i ri’ mund të jetë përdorur në kontekste të ndryshme, nga njerëz dhe organizata të ndryshme në kohë të ndryshme”, ka shtuar ai.

Por “Fillimin e ri” Krasniqi e lidh edhe me të kaluarën e tij në muzikë.

“Kur jam marrë me muzikë, në vitin 2002, këngën e parë në album e kam quajtur ‘Fillimi i ri”, ka pohuar Krasniqi.

Kjo nuk do të thotë që as unë as kush tjetër e ka të drejtën ekskluzive për ta përdorur këtë sllogan”, ka shtuar ai.

Në fund Krasniqi ka thënë se as që i kujtohet që AKR e Pacollit të ketë pasur slogan me “Fillimin e ri”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat