Prishtina dhe Mitrovica mund të shkojnë në zgjedhje të parakohshme

Aktuale

Prishtina dhe Mitrovica mund të shkojnë në zgjedhje të parakohshme

Më: 22 maj 2017 Në ora: 14:49
Ilustrim

Shumica e subjekteve politike, tashmë jo zyrtarisht kanë bërë publike listën me emrat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në mesin e kandidatëve për deputet në këto lista, janë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe nënkryetari i saj, Dardan Sejdiu nga radhët e Vetëvendosje po ashtu edhe kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri.

Në rast se ata fitojnë votat për t’u bërë deputet, atëherë këto dy komuna do mbesin pa udhëheqës, pasi ata nuk mund t’i mbajnë dy poste njëkohësisht.

Kështu thonë njohësit e çështjeve juridike, të cilët megjithatë potencojnë se kandidimi i tyre për deputet është krejtësisht i ligjshëm.

Avokati, Tomë Gashi thotë se në këtë rast ata duhet të zgjedhin se cilin post do ta mbajnë.

“Nëse dikush që është kryetar i një komune zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës, ai ka dy mundësi: që të heq dorë nga zgjedhja e vet për deputet dhe të mbetet në funksionin që ka, apo të heqë dorë në njërën nga postet, por nuk mund t’i mbaj dy postet njëkohësisht, në bazë të dispozitave ligjore”, ka thënë Gashi.

Njëjtë thotë edhe njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu.

Në një prononcim për Indeksonline, Baraliu shton se nëse ata vendosin të zgjedhin postin e deputetit, duhet të heqin dorë nga postet e udhëheqësve në këto komuna.

Në këtë rast, sipas tij, në këto komuna do të duhej të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme.

“Në qoftë se, në garën e zgjedhjeve fitojnë postin dhe pas verifikimit ata zgjedhin të bëhen deputet, atëherë ata duhet të japin dorëheqje nga postet që kanë në komuna dhe atje për këtë periudhë duhet të shpallën zgjedhjet e parakohshme edhe pse kemi pak kohë deri në përfundim të mandatit”, ka thënë Baraliu.

Ndryshe, zgjedhjet lokale me rregull janë të parapara të mbahen në vjeshtë, atëherë kur edhe përfundon ky mandat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat