Hoti premton fuqizimin e të drejtave pronësore të grave, 4 shtyllat për fuqizimin e femrës në shoqëri

Aktuale

Hoti premton fuqizimin e të drejtave pronësore të grave, 4 shtyllat për fuqizimin e femrës në shoqëri

Më: 30 maj 2017 Në ora: 11:23
I nominuari për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të martën në Gjakovë, se programi i tij qeverisës në fushën e barazisë gjinore përbëhet nga katër shtylla, ndërsa pjesë e rëndësishme e programit është garantimi i të drejtave pronësore të grave dhe vajzave.

“Pjesa e parë e programit për gratë dhe vajzat ka të bëjë me fuqizimin e grave nëpërmes ligjeve. Ne kemi nxjerrë plot ligje që janë në përputhje me standardet evropiane, por kemi ngecje në zbatimin e tyre, prandaj do të punojmë në këtë drejtim. Do të punojmë që gratë të jenë të përfaqësuara jo vetëm në parlament, por edhe në të gjitha institucionet dhe fushat tjera. Do të përkushtohemi për regjistrimin e çdo prone të re në bashkëpronësi, të merret parasysh aplikimi i barazisë gjinore”, ka thënë Hoti në Gjakovë.

Ai ka shtuar se është i nderuar që merr pjesë në këtë tubim me zonja, zonjusha, familjare, për të treguar përkushtimin tonë, që ka koalicioni i fitores për fuqizimin e grave në ekonomi dhe shoqëri.

“Jam i bindur që ky koalicion do ta marrë shumicën dhe do të kemi mundësi që gratë maksimalisht të përfaqësohen në politikbërje dhe vendimmarrje. Në listën tonë kemi plot vajza dhe gra të nderuara. Unë jam i bindur që do të kemi përfaqësim të denjë në Kuvendin e Kosovës. Këto gra janë të të gjitha profileve, në mesin e tyre dhe doktoresha  të shkencave”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se shtylla e dytë e përkrahjes së grave dhe vajzave ka të bëjë me mbështetjen e grave përmes arsimit. “Do të sigurohemi që femrat të kenë pjesëmarrje të barabartë në arsimin e mesëm dhe të lartë. Do të kujdesemi për ato që kanë mbetur mbrapa me arsim, përmes arsimit joformal ato të kenë një diplomë në profile të ndryshme që u interesojnë. Po ashtu do të ofrojmë mbështetje të veçantë për vajzat që tregojnë aftësi të veçanta”, ka thënë Hoti.

“Shtylla e tretë është mbështetja në shëndetësi dhe mbrojtja sociale. Ndërsa shtylla e katërt e fuqizimit të grave në shoqëri ka të bëjë me ekonominë”, ka thënë Hoti.

Kandidati për kryeministër ka thënë se përmes masave aktive të tregut të punës do të nxitet punësimi i grave, të rinjve, punëkërkuesve afatgjatë, si dhe përfituesve të kategorive sociale.

Ai ka thënë se buxheti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale do të rritet në mënyrë progresive dhe përmes masave aktive të tregut të punës, si: subvencionimi i pagave, trajnimi në punë, praktika në punë, përmes granteve të vetëpunësimit do të targetohen gratë, të rinjtë, të papunët afatgjatë, si dhe përfituesit e ndihmave sociale.

“Projekti për subvencionimin e pagave, i implementuar në të kaluarën nga MPMS-ja, ka treguar se mbi 50% e personave që kanë qenë pjesë e projektit, kanë gjetur punë afatgjatë. Shuma e shpenzuar për krijimin e një vendi të punës përmes këtij projekti ka qenë pak më shumë se 2000 euro”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se prioritet i qeverisë së tij do të jetë sigurimi i mbrojtjes së të drejtave përkatëse pronësore të pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë, si dhe garantimi dhe fuqizimi i të drejtave pronësore për gratë.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se me kënaqësi kemi qenë bashkë në përfshirjen e pikave të programit për fuqizimin e grave, për arsye se ajo çfarë edhe ne jemi munduar në nivelin lokal përkon me atë që synohet në nivelin qendror, shpresoj me shumë zell, vullnet dhe energji pozitive pas 11 qershorit.

“Një grua në vendimmarrje është shumë më e ndjeshme me problemet. Jam shumë e lumtur që kemi ndjekur një linjë të përbashkët në rrafshin demokratik, politik e qeverisës dhe besoj e shpresoj dhe jam e bindur se të gjitha bashkë do të dalim në anën tjetër fituese, duke e ndjerë se barazia në shoqëri vjen nga fakti duke kontribuar të gjithë, pa marrë parasysh gjininë, përkatësinë etnike, fetare apo shtresën shoqërore që i përket”, ka thënë Kusari Lila.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, mbajti takim me gratë e Gjakovës.

Hoti tha se sot janë mbledhur në një takim në Gjakovë për të treguar përkushtimin që ky koalicion ka për shoqërinë.

Avdullah Hoti shpalosi katër shtyllat që kanë përpiluar për fuqizimin e femrës në shoqëri.

"Programi përbëhet prej 4 shtyllash. Ligjet e shkruara, që garantojnë të drejta të barabarta të grave në shoqëri. Shtylla e dytë ka të bëjë me mbështetjen e grave përmes arsimit. Janë disa drejtime që janë suficit dhe ne do të kujdesemi që të rrisim numrin e vajzave përmes bursave në disa drejtime të veçanta. Shtylla e tretë është mbështetja në shëndetësi dhe mbrojtja sociale. Ne parashohim që gratë lehona të marrin 12-të muaj me pagesë të cilat do të paguhen me një fond të veçantë, duke mos e ngarkuar sektorin privat. Ne do të kemi kujdes edhe për viktimat e dhunës nga lufta si dhe viktimat e dhunës familjare. Për këto do të kujdesemi që të parandalojmë raste të tilla e jo vetëm të mbështesim viktimat. Shtylla e 4-të është subvencioni në bujqësi, për të mbështetur bizneset që zhvillohen nga gratë e kujdes të veçantë do të kenë gratë që janë kryefamiljare", u shpreh ai.

Edhe Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, tha se komuna e Gjakovës ka pasur një kujdes të veçantë për gratë viktima të dhunës në luftën e fundit në Kosovë.

Kusari-Lila më shumë foli për të arriturat që janë bërë në Komunën e Gjakovës prej se ajo është kryetare.

Ajo theksoi se Komuna e Gjakovës është duke aplikuar buxhetimin gjinor me ç'rast intensivisht është punuar që në Gjakovë të përcaktohet një buxhet ndaj nevojave sensitive që kanë gratë dhe vajzat.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat