Misioni Special Monitorues në Siri: Lavdrim Muhaxheri është vrarë

Aktuale

Misioni Special Monitorues në Siri: Lavdrim Muhaxheri është vrarë

Më: 8 qershor 2017 Në ora: 12:55
Lavdrim Muhaxheri

Lavdrim Muhaxheri, qytetar nga Kaçaniku i Kosovës raportohet të jetë vrarë në luftimet e fundit në Siri. Ai njihet si një udhëheqësi i shqiptarëve në formacionet terroriste të të ashtuquajturit Shteti Islamik [IS].

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një qytetar i Kosovës është vrarë në Siri, por ajo nuk ka dhënë informacione mbi identitetin e të vrarit...

“Policia e Kosovës posedon informacion për vrasjen e një personi në Siri, i cili është nga Kosova. Mirëpo, referuar situatës në Siri, Policia e Kosovës nuk posedon informacion apo dokumentacion zyrtar për vrasjen e tij”, thuhet në një deklaratë të Zyrës për Media të Policisë së Kosovës.

Një përgjigje identike me Policinë e ka dhënë për Radion Evropa e Lirë, edhe Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës.

Lajmi për vrasjen e Muhaxherit, është publikuar fillimisht përmes disa profileve në rrjetin social Facebook.

Kjo nuk është hera e parë që është raportuar për vrasjen e tij në Siri.

Në muajin gusht të vitit 2014, mediat patën raportuar me një ndjenjë “lehtësimi” për vrasjen e Lavdrim Muhaxherit,

Një video shqetësuese, e shpërndarë më 21 maj 2015 nga një grup i fshehtë aktivistësh sirianë që veten e quajnë “Raqqa Is Being Slaughtered Silently”, [RSS], Muhaxheri dukej duke e vrarë një sirian me raketë anti-tank [RPG].

Muhaxheri kishte shkaktuar bujë më herët me postimin e disa fotografive të tij në rrjetin social Facebook, ku shihej duke i hequr kokën një njeriu.

Ai kishte promovuar në shtator të vitit 2015 atë që u tha se ishte valuta zyrtare e IS-it, Dinari i Artë.

Në rolin e strategut

Muhaxheri njihet si një militant me famë, që ka vepruar si ndërlidhës ndërmjet Shtetit Islamik dhe shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Ai thuhet të ketë punuar në kampin e forcave amerikane Bondsteel, afër Ferizajt, ndonëse nuk është ende e qartë se çfarë saktësisht ka punuar aty.

Në vitin 2010, raportohet nga mediat vendore në Kosovë se është angazhuar përmes një kompanie private, për të punuar për dy vite në kampet e NATO-s në Afganistan.

Me t’u kthyer në Kacanik, Muhaxheri ishte angazhuar në një qendër lokale “Rinia Islame në Kaçanik”, para se të merrte rrugën për në Siri. Autoritetet e rendit në Kosovë besojnë se udhëtimi i tij i parë atje ka ndodhur në vitin 2012, prej nga është kthyer në Kosovë një vit më vonë. Në këtë periudhë - në vitin 2013 - Policia e Kosovës nis hetimet mbi të dhe ai sërish udhëton drejt Sirisë.

Së paku, 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra.

Strukturat e sigurisë në vend kanë theksuar se në fushëbetejat e huaja janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona.

Kosova tashmë ka miratuar ligjin, i cili sanksionon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja dhe që parasheh dënimin me burg deri në 15 vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat