Hoti: Koalicioni i palëkundur, nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverie me PDK-në

Aktuale

Hoti: Koalicioni i palëkundur, nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverie me PDK-në

Nga: B.S Më: 12 qershor 2017 Në ora: 20:02
Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka komentuar procesin e djeshëm zgjedhur, ku ka falënderuar qytetarët për votimin.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se koalicioni LDK-AKR-Alternativa është i palëkundur në qëndrimet e tij dhe se nuk do të jenë pjesë e asnjë qeverie në të cilën është PDK-ja, përcjell Bota sot.

Postimi i tij i plotë:

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi

Pas zgjedhjeve të përgjithshme, të mbajtura të dielën, drejtuesit e subjekteve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi janë takuar të hënën dhe kanë e vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor.

Drejtuesit e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi vlerësojnë lart dhe falënderojnë qytetarët e Republikës së Kosovës për një proces të rregullt zgjedhor, për kulturën e treguar dhe për mbështetjen që i kanë dhënë koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi.

Partnerët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, pas procesit të djeshëm, presin certifikimin e rezultatit nga ana e KQZ-së, për të ditur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Koalicioni përsërit qëndrimin e palëkundur se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, në të cilën është edhe PDK-ja.

LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi theksojnë se koalicioni është unik në të gjitha qëndrimet. Koalicioni është pajtuar që kryetari i LDK-së ta përfaqësojë këtë koalicion.

Zyra për Informim e LDK-së./BS/

Image
Koalicioni LDK-AKR-Alternativa
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat