Kurti: Kjo është mënyra e vetme që PAN ta formojë Qeverinë

Aktuale

Kurti: Kjo është mënyra e vetme që PAN ta formojë Qeverinë

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 11:46
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për situatën politike në Kosovë, në veçanti për situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Kurti ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshim, duke e nxjerr Vetëvendosjen të parën e PDK-në të tretën.

“Zgjedhjet dëshmuan se populli i Kosovës ka votuar masivisht ndryshimin. Subjekti që është rritur më së shumti në këto zgjedhje është Lëvizja VETËVENDOSJE! (LV), e cila ka dyfishuar numrin e votave të saj, po ashtu edhe atë të deputetëve, duke kaluar kështu prej subjektit të tretë që ishte më përpara, në subjektin e parë, më të madh në Kuvendin e Kosovës. LV u rrit pa pasur nevojë për koalicione, madje pikërisht pse nuk hyri në koalicione parazgjedhore. Konsistenca jonë në qëndrimet tona, mosndryshimi ynë përkundër gjithë presioneve që na janë bërë, por edhe koherenca politike e programit tonë qeverisës të shprehur në 40 masa konkrete gjatë kësaj fushate, janë shpërblyer me besimin në rritje tek një numër i madh votuesish. Nga ana tjetër, partitë e vjetra janë ndëshkuar, e më së shumti është ndëshkuar PDK, e cila prej subjektit të parë që ishte dikur, tashmë është bërë subjekt i tretë”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, e vetmja mënyrë që PAN të formojë Qeverinë është, siç thotë ai, “trafikimi” i ndonjë deputeti nga koalicioni LAA si dhe nga mbështetja e Listës Serbe.

A do të tentoni të formoni qeverinë e re në rast se PAN nuk arrin të formojë qeverinë?

“Populli ka folur, dhe subjekti më i madh në Kosovë është Lëvizja VETËVENDOSJE!. PAN (PDK me AAK dhe Nisma) nuk i ka numrat, kështu që të vetmen shpresë e ka në ”trafikimin” e deputetëve prej koalicionit LAA (LDK me AKR, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi), si dhe tek mbështetja prej Listës Serbe të kontrolluar drejtpërdrejt nga Beogradi. Për Kosovën ky është një film i vjetër, që e kemi parë e që ia dimë fundin e hidhur”, ka thënë Kurti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat