Isa Mustafa tregon pse nuk takohen me Ramush Haradinajn

Aktuale

Isa Mustafa tregon pse nuk takohen me Ramush Haradinajn

Më: 10 korrik 2017 Në ora: 13:32
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa

(E plotësuar) - Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i përgjigjet ftesës së Ramush Haradinajt për një takim gjatë ditës së nesërme. Këtë e ka konfirmuar për median, kryetari i LDK-së, njëherit kryeministër Isa Mustafa.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme tha se u ka bërë ftesë për një takim gjatë ditës së nesërme krerëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes, pasi dëshiron që të ketë koalicion sa me të gjerë.  

Por, kreu i LDK-së Isa Mustafa theksoi se nuk kanë nevojë të takohen me mandatarin e koalicionit PAN për kryeministër Ramush Haradinaj, përderisa ata si subjekt politik kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion qeverisës me koalicionin e PDK-së.

Mustafa: Nuk takohemi me Haradinajn

“Jo, se nuk kemi fare nevojë për takime të tilla. Ne si LDK jemi deklaruar qartë edhe si koalicion se nuk do të hyjmë në asnjë marrëveshjen tani me koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës. Ata kanë të drejtën në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të procedojnë,. Ne presim që ata t’i kryejnë të gjitha proceset demokratike që t’i bëjnë. Grupi jonë parlamentar, përkatësisht deputetët e koalicionit tonë do të marrin pjesë në mbledhjen konstituive dhe Kuvendi do të marr vendim meritor”, tha Mustafa.

Mustafa nuk është përgjigjur nëse do ta votojnë kreun e PDK-së, Kadri Veseli për kryetar të Kuvendit, duke thënë se ende nuk kanë propozim dhe se kjo varet nga grupi parlamentar.

Image
Muatafa tha se takimi i kryesisë së Lidhjes Demokratike ishte për të diskutuar rreth zgjedhjeve lokale.

Mustafa: S’kemi propozim për kryetar të Kuvendit

“Nuk kemi asnjë propozim për kryetar të Kuvendit dhe nuk e diskutojmë këtë përderisa ai mos të propozohet. Kur të propozohet varet prej grupit parlamentar”, theksoi ai.|

Gjatë ditës së sotme LDK ka mbajtur takimin e kryesisë së saj, ku kanë diskutuar rreth zgjedhjeve dhe rezultateve të tyre. Mustafa tha se në këtë takim kanë diskutuar edhe për përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Mustafa: Me kryesinë diskutuam për rezultatin e zgjedhjeve

“Kemi diskutuar lidhur me zgjedhjet, presim që ta bëjmë një analizë të thuktë të zgjedhjeve, edhe nga shtabi qendror edhe nga degët, nga komunat lidhur me gjithë faktorët dhe rezultatet. Kemi diskutuar po ashtu për përgatitjet për zgjedhjet lokale edhe aty do të fillojmë shpejt me degët në mënyrë që të kemi propozimet për kryetar të komunave dhe sa më shpejt të japin propozimet qoftë për një pjesë qoftë për të gjithë në mënyrë që të fillojmë me ta aktivitetin në teren”, u shpreh Mustafa.

LDK në zgjedhjet e 11 qershorit doli subjekti i tretë pas koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosjes, ani pse ishte në koalicion me AKR-në e Behgjet Pacollit dhe Alternativën e udhëhequr nga Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda. 

***

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, tha se nuk do t’i përgjigjen ftesës së Haradinajt për takim pasi kanë thënë njëherë se nuk do të hyjnë në asnjë koalicion me PDK-në.

Ai tha se ata si koalicion do të presin që PAN të provojë ta formojë Qeverinë.

Muatafa tha se takimi i kryesisë së Lidhjes Demokratike ishte për të diskutuar rreth zgjedhjeve lokale. 

Në një konferencë për media të mbajtur sot, kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinaj ka treguar se i dërguar një letër kryetarit të Vetëvendosjes Visar Ymeri, kryetarit të LDK-së Isa Mustafa dhe krerëve të Listës Serbe me qëllim që deri sot një javë të mbahet seanca konstituive dhe pas saj të mbahet seanca për formimin e Qeverisë.

Haradinaj pret që nga sot deri të hënën tjetër të përfundojnë punët në mënyrë që t’i ipet Kosovës Qeverinë në afat rekord.

“Për nesër kam propozuar takim me Visar Ymerin dhe Isa Mustafën. Kam propozuar që takimi të mbahet në zyrat e Kuvendit.  Nuk do të ndalemi me fol me çdo deputet të zgjedhur të Kuvendit.  U siguroj që Qeverinë do ta kemi në afat rekord. Si i nominuar përparësi i jap një koalicioni sa më të gjerë”, ka thënë Haradinaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat