Kurti: Na presin beteja të reja sepse do të kemi fitore të reja

Aktuale

Kurti: Na presin beteja të reja sepse do të kemi fitore të reja

Nga: B.S Më: 10 korrik 2017 Në ora: 23:43
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas shpalljeve të rezultateve përfundimtare është takuar me aktivistë, komisionerë e vëzhgues, për të cilët thotë se janë më meritorët e fitores së partisë së tij.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka publikuar fjalët falënderuese në mbrëmjen festive me ta, përcjell Bota sot.

Ndër të tjera, Kurti ka thënë se Lëvizja do të ketë vështirësi, pengesa, sfida e beteja, pasi do të kenë suksese e fitore.

Postimi i tij i plotë:

Dje, në një mbrëmje festive, u takuam me aktivistët, komisionerët e vëzhguesit, të cilët janë meritorët kryesorë për fitoren tonë. Atyre u drejtova disa fjalë falënderuese, të cilat po i botoj edhe këtu, që të kenë mundësi t'i lexojnë edhe ata që nuk patën mundësi të vinin mbrëmë në ndejë:

"Të dashur aktivistë të Lëvizjes,
Të nderuar komisionerë e vëzhgues të VETËVENDOSJE!-s,

Para saktësisht katër javëve, pikërisht në këtë orë si sonte, na vinin njoftimet nga terreni prej jush, se qytetarët kanë guxuar masivisht, se njerëzit kanë votuar me zemër, se e kanë bërë Lëvizjen VETËVENDOSJE! partinë më të madhe në Kosovë, se subjekti ynë politik është i pari në vend. Urime edhe një herë e përgëzime përë këtë fitore demokratike për ndryshime politike në Republikën e Kosovës.

Më lejoni t’ju falenderoj të gjithë juve e çdonjërin prej jush për punën e angazhimin, për sakrificën, kontributin e vetëmohimin, për secilën ditë të këtyre viteve të Lëvizjes, për secilën orë të ditëve të fushatës zgjedhore, dhe, për secilin minut të 11 qershorit. Ju e mbrojtët edhe vullnetin e qytetarëve pa dallim edhe demokracinë e Republikës pa përjashtim.

Dikur moti, para 11 qershorit, jo pak njerëz na thoshin se nuk ia vlen të angazhohesh meqë edhe ashtu nuk ndryshon dot gjë. Mirëpo, mosndryshimi vjen pikërisht nga mosangazhimi. Vazhdimësia degraduese vjen nga pasiviteti si zakon. Aktiviteti e sjell ndryshimin. Ju e keni përbërë ndryshimin sepse ju me zemër e mbrojtët ndryshimin.

Të nderuar pjesëmarrës,

Lëvizja i lidh njerëzit. Njerëzit e lidhur me njëri-tjetrin zgjidhen prej regjimit. Lëvizja i bashkon njerëzit. Njerëzit e bashkuar me njëri-tjetrin ndahen prej regjimit. 11 qershori i vitit 2017 shënon datën historike kur qytetarët u ndanë me guxim prej regjimit dhe u bashkuan me zemër me Lëvizjen.

Do të kemi edhe vështirësi, pengesa, sfida e beteja të tjera para nesh. Sepse do të kemi rezultate, suksese, arritje e fitore të reja para nesh. Ne kemi fituar, ne po fitojmë, ne duhet të fitojmë, ne do të fitojmë, sepse ne mund të fitojmë. E, ne mund të fitojmë, sepse ne e duam Kosovën më shumë sesa që politikanët e duan vetveten. Ne mund të fitojmë sepse ne e duam Republikën më shumë sesa që të korruptuarit e duan paranë. Ne mund të fitojmë sepse ne e duam popullin më shumë sesa që karrieristët e duan karrigen. Më shumë dashuri do të thotë më shumë bashkësi. Më shumë bashkësi do të thotë më shumë mundësi. Më shumë mundësi do të thotë më shumë begati.

Ashtu qysh e keni mbrojtur ju votën me 11 qershor ashtu do ta mbrojmë të gjithë bashkë çdo ditë rrugën e drejtë të Lëvizjes sonë progresiste, rrugën e ligjit për drejtësi, rrugën e solidaritetit për barazi, rrugën e zhvillimit për punësim, rrugën e idealit për bashkim.

Faik Konica thoshte “Kush e shkon kohën me ëndrra të bukura, ka frikë të zgjohet.” Qytetarët nuk kanë më frikë. Sepse qytetarët kanë zemër. Ata e duan edhe realitetin të bukur, e jo vetëm ëndrrat e bukura. Republika është zgjuar dhe qytetarët janë bashkuar. Ata janë në këmbë për ndryshime progresive. Le të mos ndalemi pra. Na presin beteja të reja sepse na presin fitore të tjera. Na presin fitore të reja sepse na presin beteja të tjera.

Ju falemnderit përzemërsisht"./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat