Hanh: Këto janë dy kërkesa për liberalizimin e vizave në Kosovë

Aktuale

Hanh: Këto janë dy kërkesa për liberalizimin e vizave në Kosovë

Nga: Bota sot Më: 11 korrik 2017 Në ora: 10:11
Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn

Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ka thënë se liberalizimi i vizave në Kosovë do të ndodh pasi të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni si dhe pasi ratifikohet marrëveshja e kufirit me Malin e Zi.

Hanh në një intervistë për medien shqiptare është shprehur se Komisoni ka lëshuar një propozim për liberalizimin e vizave me Kosovën në maj të vitit 2016, prandaj këto kërkesa duhet të jenë prioritet i menjëhershëm i qeverisë së re dhe i parlamentit të Kosovës.

“E kuptojmë rëndësinë e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës. Komisioni ka lëshuar një propozim për liberalizimin e vizave me Kosovën në maj të vitit 2016. Ky propozim parashtron dy kërkesat e mbetura: forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. Trajtimi i këtyre kërkesave duhet të jetë prioritet i menjëhershëm i qeverisë së re të Kosovës dhe i parlamentit të saj” thotë Hanh.

Ndërsa, duke folur rreth qeverisë së re të Kosovës, Hanh shprehet se çdo qeveri e re duhet të angazhohet në perspektivën e vendit në BE dhe të kryejë reforma thelbësore në veçanti ato të sundimit të ligjit dhe ekonominë si edhe të angazhohet seriozisht në dialogun me Serbinë.

“Prioriteti për Kosovën tani është të formojë një qeveri të bazuar në shumicën parlamentare, në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat parlamentare. Çdo qeveri e re do të duhet të angazhohet në perspektivën e vendit ne BE dhe të kryejë reforma thelbësore në veçanti ato të sundimit të ligjit dhe ekonominë si edhe të angazhohet seriozisht në dialogun me Serbinë. Ajo duhet të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve të saj dhe liberalizimi i vizave është një nga pritshmëritë kryesore. Këto do të jenë vendimtare për Kosovën që të përparojë në rrugën e saj evropiane për të cilën jemi të angazhuar. Komisioni është i gatshëm të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugës, por përgjegjësia qëndron tek politikanët e Kosovës” theksoi komisoneri Hanh në intervistë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat