Lidhjet e Albert Veliut me Ambasadën e Kosovës përbëjnë ‘rrezik për ikje”’

Aktuale

Lidhjet e Albert Veliut me Ambasadën e Kosovës përbëjnë ‘rrezik për ikje”’

Më: 11 korrik 2017 Në ora: 13:15
Albert Veliu

Shoferit të konsullatës së Kosovës në Nju Jork, i akuzuar për shitjen e armëve, drogës dhe pastrim të parave, i është mohuar lirimi për shkak të frikës se lidhjet e tij diplomatike do ta ndihmonin të ikte.

Autoritetet amerikane kanë refuzuar kushtin për Albert Veliun, shoferin zyrtar të konsullatës së Kosovës në Nju Jork, sepse ai mund të jetë në gjendje të sigurojë një pasaportë të re dhe status diplomatik nëse do të lirohej nga 11paraburgimi, ka mësuar BIRN.

Veliu, një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, akuzohet nga Departamenti i Drejtësisë se ka qenë kontrabandues armësh, tregtar droge dhe pastrues parash, duke ruajtur lidhjet me organizatën kriminale Cosa Nostra dhe figurat shqiptare të krimit të organizuar në Nju Jork dhe Republikën Çeke.

Në një deklaratë me shkrim të marrë nga BIRN, prokurori Bridget Rohde argumentoi se Veliu nuk është liruar me kusht pasi ai paraqiste një “rrezik për komunitetin” dhe “rrezik se mund të largohet”. Gjyqtari Stiven Gold u pajtua, dhe e ktheu Veliun në paraburgim.

Rohde ka shkruar se Veliu ishte mburrur në raste të shumta në agjencinë e fshehtë të Departamentit të Zbatimit të Drogës, DEA, që ai mund të transportojë “kontrabandë përmes aeroporteve për shkak të vendit të tij të punës në konsullatë”.

Prokurori shtoi: “Është shqetësuese për qeverinë që lidhjet e Veliut me konsullatën kosovare do t’i mundësojnë atij të marrë dokumente zëvendësuese të udhëtimit dhe kredencialet diplomatike”.

Në një deklaratë me shkrim, Ambasada e Kosovës në Uashington DC, e cila është përgjegjëse për konsullatën e Nju Jorkut, tha se Veliu kishte qenë shofer që nga viti 2010, por u shkarkua me “efekt të menjëhershëm” pas arrestimit të tij.

“Konsullata e Përgjithshme do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet amerikane, siç bëri Policia e Kosovës në lidhje me këtë rast”, thuhej në deklaratë.

“Para punës së tij në Konsullatën e Përgjithshme ai ka sjellë dëshmi se nuk kishte asnjë dosje penale” shtoi Ambasada.

“Z. Veliu nuk ishte diplomat i Kosovës dhe ai nuk kishte në posedim pasaportë diplomatike/ID”, këmbënguli ambasada.

Si pjesë e operacionit të DEA-s, Veliu thuhet se i ka shitur një agjenti të fshehtë 15 AK-47 dhe një raketahedhës Zolja të epokës jugosllave.

Ai kishte siguruar armët gjatë një udhëtimi në Kosovë në qershor përpara se të kthehej në Nju Jork më 21 qershor, nga ku drejtoi operacionet.

Me 27 qershor, katër prej bashkëpunëtorëve të tij u arrestuan në Klinë, në perëndim të Kosovës, me armë, ndërsa Veliu dhe pesë të tjerë u arrestuan në Nju Jork.

Veliu tha se kartelet meksikane kishin nevojë për armë për të luftuar drogën pranë kufirit me SHBA-në.

34-vjeçari thuhet gjithashtu se ka pastruar 800,000 dollarë të supozuara të drogës përmes një numri kompanish me ndihmën e bashkëpunëtorëve, përfshirë vëllain e tij, Alban Veliu.

Alban Veliu, Dilber Kukic, Ekram Sejdija, Xhevat Gocaj dhe Agim Rugova gjithashtu janë akuzuar për pastrim parash.

Në një seri takimesh me agjentë të DEA-s, Veliu u mburr se kushëriri i tij ishte Alex Rudaj, një udhëheqës i njohur i krimit të organizuar shqiptar në Nju Jork, sipas aktakuzës së marrë nga BIRN.

Në vitin 2006, Rudaj u dënua për mashtrim dhe u dënua me 27 vjet burg në SHBA.

Veliu dhe një tjetër i pandehur, Christopher Curanovic, një bashkëpunëtor i La Cosa Nostra, gjithashtu janë akuzuar për ndërmjetësimin e shitjes së rreth dy kilogram marihuanë në një burim konfidencial të DEA-s.

Anthony Noterile, një bashkëpunëtor tjetër i bandës kriminale italiane, është akuzuar për pastrim të parave.

Richard Levitt, avokati i Veliut, i tha BIRN: “Ne nuk kemi asnjë koment në këtë kohë.”

Të akuzuarit ende nuk kanë dalë para gjykatës për t’u përgjigjur ndaj akuzave. /Kallxo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat