Dhomat e Specializuara mohojnë takimin me Presidentin e Serbisë

Aktuale

Dhomat e Specializuara mohojnë takimin me Presidentin e Serbisë

Më: 18 korrik 2017 Në ora: 17:13
Selia e Gjykates Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës mohojnë se ka pasur takime në mes të zyrtarëve të Speciales dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq. Shqetësimin për këto takime e ngriti të shtunën ambasadori i Kosovës në Beograd Valdet Sadiku. Ministria e Drejtësisë tha se nuk ka informata për një veprim të tillë por Ministria e Punëve të Jashtme deklaroi se janë duke e përcjell nëse diçka e tillë ka ndodhur.

Një informatë e zyrtarit nga Kosova në Beograd, Valdet Sadiku se përfaqësuese të Speciales janë duke zhvilluar aktivitete të shtuara në Beograd përfshirë edhe takimin me presidentin serb Vuçiq, ka nxitur reagime të shtunën në Kosovë.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara Avis Benes ka thënë se asnjë zyrtarë i tyre nuk ka pasur takime me presidentin serb.

“Asnjë zyrtar i Dhomave të Specializuara të Kosovës nuk është takuar me Presidentin e Serbisë, Vuçiq”, ka sqaruar ajo.

Në Ministrinë e Drejtësisë të Kosovës nuk kanë informacion se zyrtarë të Gjykatës Speciale janë takuar me udhëheqësit e Serbisë në Beograd.

Nga kjo e fundit u tha të shtunën  se në momentin që kanë diçka zyrtare, atëherë do të reagojnë në bazë të asaj shkrese.

Në mediat në Kosovë të shtunën janë publikuar dy korrespodenca të Valdet Sadikut drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme. Aty, sqarohet aktiviteti i shtuar i Gjykatës Speciale në Serbi.

Me letrën e parë, Valdet Sadiku e ka informuar MPJ’në se mbështetur në një burim të tij, përfaqësues të Gjykatës Speciale ditëve të fundit kanë pasur takime në Beograd, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Aty ka bërë të ditur se Vuçiq ka premtuar se shteti i Serbisë do t’i ofrojë mbështetje maksimale Gjykatës, si në aspektin logjistik, ashtu edhe sa i përket bashkëpunimit me institucionet serbe.

Dhe, ka kërkuar të dijë se si të sillet në raport me këtë institucion që vetëm formalisht është i Kosovës.

Megjithatë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka klasifikuar si të pakonfirmuar informatën e Ambasadorit kosovar në Beograd, Valdet Sadiku, lidhur me takimet e zyrtarëve të Gjykatës Speciale me Presidentin Aleksander Vuçiq.

Ata sqaruan të shtunën se kjo informatë është jo e konfirmuar por e mbështetur në burime.

Prandaj, sipas tyre, edhe ambasadori është udhëzuar ta ndjekë më tutje këtë çështje dhe të kërkojë sqarime edhe zyrtarisht se për çka bëhet fjalë, ashtu sikurse është kërkuar edhe nga ambasadat të tjera të Kosovës. që ndërlidhen me çështjen në fjalë, ta ndjekin këtë informatë.

Reagim për këtë kishte pasur edhe Jakup Krasniqi, i cili tha se tashmë është vonë të shqetësohemi për këtë takime.

Sidoqoftë, Gjykata Speciale është funksionalizuar para një jave dhe mund të fillojë me aktakuzat e para ndaj të dyshuarve për krimet e kryera para dhe pasluftës në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat