Ymeri: PDK po shpif se është në panik

Aktuale

Ymeri: PDK po shpif se është në panik

Më: 25 korrik 2017 Në ora: 11:41
Visar Ymeri

(E plotësuar) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, i ka quajtur shpifje të gjitha kritikat që PDK, dega në Prishtinë, ka bërë në adresë të qeverisjes së VV-së në Prishtinë, për punësime partiake.

Ymeri tha se këto shpifje flasin për panikun që ka kapluar tashmë PDK-ja pas humbjes që ka pësuar në zgjedhjet e 11 qershorit, e cila po ua rrezikon pushtetin që kanë pasur deri tani.

PDK  në panik

“ Këto shpifje të PDK-së flasin për dy gjëra. Njërën anë që PDK-ja është në panik. Dhe natyrisht që është në panik. PDK është subjekti që më së shumit ka pësuar humbje gjatë këtij procesi zgjedhor të 11 qershorit dhe si e tillë asaj i rrezikohet pushteti politik, që e ka pasur deri tash. Natyrisht që pushteti politik për PDK në e veçanërisht për klanin Pronto brenda kësaj partie demokratike,  që drejtohet nga Kadri Veseli që praktikisht është struktura e SHIK-ut  i rrezikohet jo vetëm pushteti politik, por edhe mundësia e përfitimeve financiare  që ata e kanë përdor deri tash. Keqpërdorimet  e parasë publike. Uzurpimet e pronës publike, të kolonizimit dhe keqpërdorimit të ndërmarrjeve publike. Ky panik i PDK-së vjen nga kjo dhe natyrisht tash PDK në panik e sipër,  nuk zgjedh mjete përmes së cilave i sulmon kundërshtarët e vet. E në këtë rast veçanërisht VV-në, sepse lëvizjen VV e sheh si të vetmin subjekt politik,  i cili me ta themeluar qeverinë do të ia këpus të gjitha këto mundësi të organizimit të krimit të organizuar, që e ka në dorë SHIK-u dhe korrupsionit që po ashtu e kontrollon Shik- u dhe Kadri Vesel. Dhe si i tillë i rrezikon dhe pasurimin e tyre të mëtutjeshëm. Por në anën tjetër përmes konfiskimit të pasurisë dhe arrestimit e dërgimit në burg rrezikon dhe lirimin e tyre, në krimin e organizuar”, tha Ymeri.

E sa i përket asaj se a do të ia jap mandatin VV-së presidenti Thaçi, nëse PAN s’mund ta bëjë qeverinë Ymeri tha se Thaçi nuk është mbret, por president për të cilin ka rregulla kushtetuese.

Ymeri: Thaçi nuk është mbret, por president

Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje mërgimtarëve, që në mënyrë masive të votojnë në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen me 22 tetor.

Kryetari i Vetëvendosjes  Visar Ymeri, në një konferencë për media tha se megjithëse mërgata kishte treguar interesim të madh për të votuar dhe në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit, pjesëmarrja e tyre ishte tejet e ulët,  për shkak të procedurave të cilat  ua pamundësuan atyre realizimin e kësaj të drejte. Ymeri thotë se mërgimtarët nuk kanë mundur të votojnë  për shkak të pengesave dhe vështirësive të shumta, që u janë bërë vazhdimisht në procesin e regjistrimit.

E gjithë kjo sipas tij  është bërë me qëllim nga qeverisjet e njëpasnjëshme në Republikën e Kosovës pas luftës, pasi që ky pushtet sipas Ymerit i frikësohet votës së lirë të mërgimtarëve.  Ai thotë se të gjitha arsyet ekzistojnë që të ketë një pjesëmarrje shumë më të madhe të mërgatës në zgjedhje, por kjo gjë po pamundësohet nga një qasje e gabuar e institucioneve.

Ymeri: Ky pushtet i frikësohet votës së mërgatës

“Me vlerësimin më të lartë për kontributin e deritashëm të mërgatës, veçmas për rolin e tyre të rëndësishëm që mund ta luajnë dhe e kanë luajtur në jetën tonë politike, zhvillimin e demokracisë dhe arritjen e një shteti siç e meritojmë të gjithë së bashku, shfrytëzoj rastin që përmes jush ta ftoj mërgatën që në mënyrë masive të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë, për të qenë pjesë e këtyre zgjedhjeve, qoftë duke ardhur personalisht në Kosovë të votojnë, apo duke u regjistruar gjatë këtij muaji për ta fituar pastaj të drejtën për të votuar përmes postës dhe ta realizojnë këtë të drejtë. Vota e mërgatës është votë njëkohësisht të cilën pushteti i deritashëm nuk e do, se edhe është votë e lirë edhe është votë e cila as nuk mund të kushtëzohet as të blihet. Prandaj ky pushtet i frikësohet kësaj vote, sepse vjen nga një pjesë e shqiptarëve, nga një pjesë e shtetasve të Kosovës të cilët gjykimin për zhvillimet politike në vend, e kanë të pavarur dhe nuk e kanë të kushtëzuar nga interesat klienteliste të këtij pushteti në rënie e sipër”, tha ai.

Ndërkaq Adnan Rrustemi anëtar i VV së në KQZ tha se duke qenë se këto zgjedhje janë të rregullta, periudha e regjistrimit është më e gjatë dhe kjo është një mundësi më e madhe për pjesëmarrje më të madhe të mërgatës në votim. Ndërsa kërkoi nga institucionet që të mobilizohet dhe t’u ofrohet mërgimtarëve e drejta për të votuar.

Rrustemi: Të mobilizohen institucionet

“Periudha për t’u regjistruar votuesit nga mërgata ka filluar me  16 korrik dhe përfundon me 23 gusht. Gjatë periudhës së regjistrimit bashkatdhetarët mund të pajisen me formularët e regjistrimit nga faqja zyrtare e KQZ së në internet. Mund të kërkojnë formular nga ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në vendet e tyre por dhe mund të pajisen nga shoqatat dhe organizatat e ndryshme që shërbejnë si pika shpërndarëse kudo në botë.  Formularin e plotësuar së bashku me dokumentin që dëshmon shtetësinë mund ta dërgojnë në KQZ përmes e-mailit, përmes fax apo direkt përmes postës. Në funksion të pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhje dhe ofrimit të lehtësisë dhe informacionit të nevojshëm, unë ftoj dhe kërkoj nga institucionet shtetërore, duke filluar nga KQZ nga Ministria e Diasporës, por dhe nga ambasadat dhe konsullatat e republikës që të mobilizohen dhe të jenë në gatishmëri të plotë për t’i ofruar bashkatdhetarëve mbështetjen e nevojshme për të marrë pjesë në zgjedhjet e 22 tetorit dhe shmangien e vështirësive dhe pengesave që ndodhen gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat