Katër dëshmitarë rrëfejnë për sulmin në Kuvendin e Kosovës

Aktuale

Katër dëshmitarë rrëfejnë për sulmin në Kuvendin e Kosovës

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 20:06
Pamje nga video

Katër dëshmitarë folën sot në gjykimin e katër aktivistëve të LVV-=së për sulmin në Kuvend.

Dy shitës telefonash, një taksist dhe një roje ishin dëshmitarët e ftuar nga prokurori special Abdurrahim Islami në gjykimin ku për sulmin në Kuvendin e Kosovës të akuzuar janë katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Mentor Krasniqi shitës i telefonave të përdorur në Prishtinë, tha se ishte ftuar nga prokuroria për të dhënë një deklaratë lidhur me një telefon që e kishte shitur.

“Unë telefonin Samsung e kam pasur në pronësi për një muaj, ndërsa pastaj ia kam ndërruar një personi që nuk ia di emrin, ndërsa pseudonimin e ka ‘Charli’”,tha Krasniqi.

“Charli” dëshmoi të martën në gjykim, ndërsa prokuroria pretendon se nga telefoni për të cilin foli dëshmitari u shkrua e-maili i pranimit të përgjegjësinë për sulmin në Kuvend.

Pas shitësit të telefonave, në cilësinë e dëshmitarit u ftua Remzi Zogiani- taksist nga Prishtina,  i cili u ftua për të dëshmuar lidhur me një bartje të një vajze që prokuroria pretendon se ishte e akuzuara Adea Batusha.

I pyetur nga avokati Ramiz Krasniqi, dëshmitari Zogiani tha se nuk ishte i sigurt se kë e kishte transportuar, por shtoi se kujtesën ia kishin ndihmuar kiflet.

“Policia më thanë se ka qenë duke i hangër disa kifle, pastaj mu kujtua se e kam transportuar rrugës dhe pastaj mu kujtua se ma ka dhanë një kifle dhe mu kujtua se ku e kam dërguar”, sqaroi dëshmitari.

Megjithatë, dëshmitari tha se nuk ishte i sigurt që vajza fotografinë e së cilës e identifikoi në polici kishte hipur në taksinë e tij.

Dëshmitari i fundit në gjykim ishte roja e Agjensionit Pyjor të Kosovës Skender Imeri, që e kryen punën e tij në objektin afër vendit nga u sulmua Kuvendi i Kosovës.

“Kam qenë në ndërrimin e natës dhe kam qenë afër një shitore te shkolla ‘Elena Gjika’, ku pastaj kam dëgjuar një krismë dhe jam nisur në drejtim të vendit të punës”, tha Imeri.

Imeri tha se e ka parë një motor duke lëvizur në drejtim të kundërt me të, ndërsa në të ishin të vendosur dy persona por nuk ishte shumë i sigurt.

Imeri gjatë dëshmisë së tij  tha se deklaratën që e kishte dhënë në polici nuk e kishte lexuar sepse nuk kishte pasur syze, ndërsa policët nuk ja kishin lexuar sepse tha se kishin qenë për ngutë.

Seanca e radhës do të mbahet në muajin shtator, ndërsa gjyqtari paralajmëroi se do të lëshojë urdhëresë për sjellje me forcë për tre dëshmitarë që nuk iu përgjigjën gjykatës./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat