Analistët e shohin të mundshëm koalicionin Vetëvendosje-LDK

Aktuale

Analistët e shohin të mundshëm koalicionin Vetëvendosje-LDK

Më: 28 gusht 2017 Në ora: 22:46
Ilustrim

Koalicioni mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje shihet i mundshëm nga analistët nëse dy subjektet do ta respektojnë vullnetin e qytetarit për ndryshim.

Një prej pikave të përbashkëta që këto dy parti do t’i shpinte deri te një produkt final, është qeverisja e vendit duke e lënë një pjesë të PAN-it në opozitë.

Visare Gorani, analiste politike, tha për KALLXO.com se bisedimet për mundësinë e krijimit të koalicionit LDK-LVV  parimisht janë të orientuara drejt zgjidhjes së problemit.

Sipas saj, ana pozitive e këtyre bisedimeve është niveli më i lartë i transparencës, ku publiku tanimë e di që palët po bisedojnë.

“Këto bisedime ka gjasë të mos jenë të lehta, por megjithatë po bisedohet. Nga përvoja që kemi pasë deri më tani, kemi mësuar se qeveritë dhe koalicionet mund të bëhen e të zhbëhen brenda nate, ku për parime e për programe as që bëhej fjalë. Përvoja jonë me ‘zhbllokime dhe qeveri instante’ dhe me çdo kusht por pa parime flet vetë nuk na kanë lënë shumë ‘lezet’”, tha Gorani.

Sipas saj bisedimet politike mund të jenë të sikletshme, por edhe të shëndetshme për demokracinë në vendin tonë.

“Dialogu si instrument për identifikim dhe zgjidhje të problemeve është gjithmonë i mirëseardhur dhe është treguesi më i mirë i frymës parlamentare. Demarkacioni, dialogu me Serbinë si dhe transformimi i FSK janë çështje mbipartiake dhe rrjedhimisht edhe bisedimet për këto çështje duhet të reflektojnë këtë”, tha ajo.

Sipas Goranit, hyrja në këto bisedime, duke ditur se për disa çështje qëndrimet e palëve ndryshojnë diametralisht, tregon ngritje të  vetëdijesimit politik.

Ajo vlerëson se pika që i bashkon këto dy subjekte duhet të jetë respektimi i vullnetit të votuesve që në zgjedhjet e 22 qershorit votuan për ndryshime.

Ndërkaq, Rasim Alija nga D4D, tha për Kallxo.com se një prej pikave të përbashkëta që këto dy parti do t’i shpinte deri te një produkt final, që do rezultonte me një marrëveshje në mes tyre, është qeverisja e vendit duke e lënë një pjesë të PAN-it në opozitë.

“Të gjitha përpjekjet e LVV dhe LDK për një koalicion të mundshëm, do të varen nga sakrificat që do t’u duhej t’i bëjnë këto dy parti në shkrirjen në një platformë qeverisëse të qëndrimeve dhe programeve të tyre si dhe rolet udhëheqëse në një qeveri të mundshme. Secili version tjetër do të rezultonte me dështim të çdo lloj takimi a iniciative për të qeverisur së bashku”, tha Alija.

Edhe Alija mendon se janë dy pika problematike, dialogu me Serbinë dhe programi i zhvillimit ekonomik që duhet të harmonizohen për të dhënë një koalicion të mundshëm në mes të LVV dhe LDK.

Sipas tij në programet e LVV dhe LDK vërehen diferenca të mëdha sa i përket formave dhe instrumenteve për zhvillimin ekonomik të vendit. Të njëjtat dallime LVV dhe LDK sipas tij, i kanë edhe me mënyrën e të bërit dialog me Serbinë.

“Çështjet si Demarkacioni dhe Asociacioni i Komunave Serbe, FSK-ja dhe liberalizimi i vizave nuk duken që do të jenë problem i patejkalueshëm për ta lidhur një koalicion të mundshëm”, u shpreh Alija.

Alija tha se si temë tjetër e deklaruar problematike që duhet sqaruar sipas LDK nga LVV është çështja e dosjeve, por kjo duket të jetë vetëm sa për konsum të jashtëm, veçanërisht tani në periudhën e zgjedhjeve lokale.

Ndryshe, më 25 gusht, janë takuar i nominuari për Kryeministër nga VV-ja, Albin Kurti dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, për të diskutuar një bashkëpunim të mundshëm në formimin e institucioneve./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat