Ymeri: Ku është nisur Hashim Thaçi?

Aktuale

Ymeri: Ku është nisur Hashim Thaçi?

Nga: A.M. Më: 30 gusht 2017 Në ora: 16:42
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka dal kundër formimit të Grupi të Unitetit për dialogun me Serbinë të iniciuar nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Po ashtu, ai ka shkruar në Facebook se dialogu kërkon koncensus shoqëror dhe se Thaçi nuk e ka kredibilitetin e përgatitjen politike e intelektuale për një gjë të tillë.

Postimi i plotë:

Hashim Thaçi paska paralajmëruar formimin e një Grupi të Unitetit për dialogun me Serbinë. A thua ku është nisur?! Siç duket, Thaçi nuk ka marrë lajme tash 3 muaj. Le t’i tregojë dikush se ky dialog që prodhoi “Zajednicën” ka marrë një refuzim masiv popullor. Politika e strucit nuk ndihmon në trajtimin e situatës. Sa më thellë koka në rërë, aq më të vështirë do ta ketë kundrimin e realitetit jashtë. Pas këtij rezultati zgjedhor, askush nuk mund të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Metodat e përdorimit të termave që perceptohen si shenjues pozitivë nuk mund ta maskojnë më procesin e dëmshëm. Vërtet është gjë e mirë bashkimi, por përpara kësaj duhet të shohim se cili është projekti rreth të cilit po bashkohemi. Bashkim për t’u rreshtuar para kërkesave të Vuçiqit?! Jo faleminderit! Bashkim për të diskutuar modalitetet e ndarjes së brendshme?! Jo faleminderit!

Dialogu duhet ridefinuar nga e para. Ai duhet të ndryshojë në premisa, dhe jo thjesht në përbërje. Ajo që ka ndodhur deri tash duhet të hetohet nga Kuvendi dhe të zbardhen të gjitha prapaskenat e këtij dialogu që na ka sjellur deri këtu. Secili dialog eventual në të ardhmen duhet të bazohet mbi parimin e barazisë e reciprocitetit midis palëve, si parime që definojnë fqinjësinë e mirë.

Dialogu kërkon koncensus shoqëror. Por Thaçi as nuk e ka kredibilitetin e as përgatitjen politike e intelektuale për një gjë të tillë. Ai është përgjegjësi kryesor prapa Zajednicës, dhe nënshtrimit të gjithëmbarshëm politik karshi interesave të Serbisë. Ai personifikon të kundërtën e vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë më 11 qershor.

Sot është 30 gushti, Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve. Ndërkohë që Thaçi vërtitet për ta vazhduar avazin e vjetër të dialogut me Serbinë, 1685 persona figurojnë ende të zhdukur…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat