Thaçi: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të dalë në referendum

Aktuale

Thaçi: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të dalë në referendum

Më: 31 gusht 2017 Në ora: 17:16
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar sërish mbështetjen e gjithë spektrit politik për idenë e formimit të një ekipi gjithëpërfshirës, në kohën kur Bashkimi Evropian po përgatitet që dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ta kalojë në një fazë të re.

Duke folur për RTV Dukagjinin, ai ka ftuar partitë politike që t’i lënë anash interesat e ngushta dhe që secili të japë kontribut e të marrë përgjegjësi, i bindur se propozimi i tij do të marrë mbështetjen e duhur.

“Tash secili duhet të japë kontributin e vet, në bazë të mundësive dhe potencialit që ka. Kemi obligim të marrim përgjegjësi për të ardhmen e vendit. Ata që kanë zëra kritik, ne do t’i respektojmë dhe do t’i marrim edhe vlerësimet e tyre për t’i integruar në proces. Është shumë lehtë të kritikohet dhe të akuzohet, por le të urdhërojnë secili dhe ta marrë përgjegjësinë”, ka thënë ai.

Thaçi ka premtuar që marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të hedhet në referendum. Sipas tij, marrëveshja për normalizim dhe pajtim të plotë do të aprovohet nga vullneti qytetar.

“Kosovës do t’i jepet mundësia për herë të parë, me propozimin tim, që marrëveshja përfundimtare e normalizimit dhe pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë të jetë e aprovuar nga vullneti i qytetarëve të Kosovës. Kësaj radhe do të shkojmë përtej Parlamentit; do të propozoj që kjo marrëveshje të diskutohet, të vihet në diskutim publik, por edhe të kalojë përmes procedurave të deklarimit të qytetarëve të Kosovës – përmes referendumit”, ka thënë ai.

Presidenti i Kosovës është takuar në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq. Që të dy, në prani të shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, janë pajtuar që marrëveshja për Drejtësi të zbatohet plotësisht nga tetori i këtij viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat