Pacolli e nis keq, dy humbje për dy ditë

Aktuale

Pacolli e nis keq, dy humbje për dy ditë

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 10:54
Behgjet Pacolli

Pas ndërmjetësimit të dështuar për ta bindur LDK-në dhe Vetëvendosjen që t’i koordinojnë punët rreth formimit të mundshëm të qeverisë, AKR-ja vendosi të dalë nga koalicioni me LDK-në dhe iu bashkëngjit atij PAN.

Mbetet i çuditshëm fakti se si AKR-ja brenda disa orëve arriti ta prishë koalicionin me LAA dhe të arrijë marrëveshje me koalicionin PAN. Madje u nënshkrua një marrëveshje që parashihte shumë detaje – edhe ndarjen e posteve për ministra dhe zëvendësministra.

Kjo lë të kuptohet se kishte një marrëveshje kornizë mes tyre, që në rast nevoje, të jetë e gatshme.

Por zyrtar të AKR-së kanë mohuar të ketë pasur marrëveshje paraprake mes AKR-së dhe PAN-it.

Humbja e parë e AKR-së pas lidhjes së koalicionit

U përfol se nga marrëveshja politike mes PAN-it dhe AKR-së, kjo e fundit kishte përfituar t’i udhëheqë pesë ministri, ndër to edhe atë të Bujqësisë.

Me t’u arritur kjo marrëveshje, Listës Serbe iu ngjallën apetitet për më shumë pushtet në ‘Qeverinë Haradinaj’. Kërkonte edhe një ministri.

Ai që potencialisht do të duhej ‘të digjej’ në këtë rast ishte AKR-ja, e cila me një fuqi politike prej katër deputetësh, mori pesë ministri.

Pasuan negociatat urgjente dhe intensive mes PAN-it, AKR-së dhe Listës Serbe. Dhe më në fund u vendosë që Ministria e Bujqësisë t’i jepet Listës Serbe, duke lënë tashmë AKR-në me vetëm katër ministri, në proporcion me fuqinë e deputetëve që i ka në Kuvend.

AKR-ja pësoi humbjen e dytë brenda dy dite

Në kohën kur dukej se tashmë AKR-ja dhe PAN-i janë relaksuar pas një dite të lodhshme bisedimesh, vjen edhe goditja tjetër për AKR-në por edhe për PAN-in.

Është deputeti i saj, Korab Sejdiu që njofton për dorëheqjen e tij nga kjo parti dhe funksionimin si deputet i pavarur brenda Kuvendit.

Kjo për shkakun e pakënaqësisë me partinë e tij, AKR, për lidhjen e koalicionit me PAN dhe fuqizimin e rolit të Listës Serbe në formimin e qeverisë.

“Ju njoftoj se sot kam deponuar tek Presidenti Pacolli dorëheqjen time nga AKR dhe nga të gjitha pozitat në strukturë të këtij subjekti, me efekt të menjëhershëm. Unë kam falënderuar Presidentin Pacolli për bashkëpunimin e deritashëm dhe vullnetin e tij të sinqertë që të jem edhe pjesë përbërëse e rrugëtimit të AKR-së në qeverinë e ardhshme. Lus që dorëheqja ime të merret thjeshtë si veprim moral që t’i qëndroj besnik fjalës sime në këtë moment vendimtar për vendin”, ka shkruar deputeti Sejdiu në njoftimin e tij.

Fuqia e zbehtë e koalicionit në Kuvend

Marrë parasysh largimin nga partia të deputetit Korab Sejdiu, tash koalicioni PAN-AKR i kanë gjithsej 62 vota.

Por nëse dikush nga deputetët e mbetur të AKR-së merr ndonjë post politik në ‘Qeverinë Haradinaj’, automatikisht e humb mandatin e deputetit.

Kjo krijon mundësinë që ai të zëvendësohet me një deputet tjetër. Meqë AKR-ja kishte koalicion parazgjedhor me LDK-në, atëherë, deputetët e saj janë të regjistruar në KQZ si deputet të koalicionit, shkruan Insajderi.

Rrjedhimisht zëvendësimi i një deputeti të AKR-së do të bëhej me deputetin që është në radhë e që nuk ka arritur të marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet.

Në bazë të listët zyrtare të KQZ-së, në radhë është kandidati për deputet i LDK-së, Imet Rrahmani, i cili ka qenë ministër i Shëndetësisë.

Nëse kjo ndodh, atëherë fuqia e AKR-së në Kuvend do të mbetet në 2 deputetë, rrjedhimisht koalicioni fitues do ta ketë fuqinë e vetëm 61 deputetëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat