Veseli: Të shtunën seanca për Qeverinë

Aktuale

Veseli: Të shtunën seanca për Qeverinë

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 14:58
Kadri Veseli

(E plotësuar) - Kadri Veseli është rikthyer në postin e kryetarit të Kuvendit për një mandat të dytë, por janë dashur të mbahen gjashtë seanca që kreu i PDK-së, të marrë mbështetjen e deputetëve për ta udhëhequr organin më të lartë ligjvënës edhe për një mandat.

Në vazhdimin e gjashtë të seancës konstituive, të filluar më 3 gusht, Veseli mori 62 vota për, derisa 52 deputetë votuan kundër tij.

Vazhdimi i seancës konstituive, e paraparë për orën 11:00, nuk filloi meqë koalicioni PAN, AKR-ja dhe deputetët e minoriteteve nuk erdhën në sallë, duke shtyrë kryesuesin e seancës Adem Mikullovci që ta shtyjë seancën për në orën 14:00. Kjo vonesë, sipas zyrtarëve të koalicionit PAN u bë pasi nuk erdhën me kohë disa deputetë të tyre.

E në këtë orë, në sallë erdhën të gjithë deputetët, ku edhe u konstitua Kuvendi i Kosovës.

Mirëpo, kur kryesuesi i seancës Adem Mikullovci ftoi Veselin që të ulet në karrigen e kryetarit të Kuvendit, Vetëvendosje e LDK, lëshuan sallën plenare.

Kjo nuk e pengoi kryetarin e ri të legjislativit, Kadri Veseli që të ftoi gjithë spektrin politik në vend që të kenë unitet, bashkëpunim dhe harmonizim të qëndrimeve për pesë çështje jetike për Kosovën.

Madje, sipas Veselit, konsensusi është i mundur dhe i domosdoshëm sepse qëllimi që i bashkon është fuqizimi i shtetit të Kosovës.

Veseli: Të bëhemi unik për implementimin e 5 reformave

“Të kemi qëndrim unik për implementim të reformave që mundësojnë zhvillim ekonomik dhe punësim. Të kemi qëndrim unik në implementimin e reformave në arsim dhe shëndetësi. Të kemi qëndrim unik për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Të kemi qëndrim unik në implementimin e kritereve për liberalizimin e vizave. Të kemi qëndrim unik për agjendën tonë të integrimit euroatlantik dhe për dialogun me shtetin fqinj, Serbinë”, tha Veseli. 

Kreu i legjislativit shtoi se do të përpiqet që zyra e tij të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve për unitet, për bashkëpunim dhe mirëkuptim mes partive politike parlamentare.

Veseli: Ta kthejmë Kuvendin nga vend inatësh në vend bashkëpunimi

“Së bashku mund dhe duhet ta kthejmë Kuvendin e Kosovës nga vend inatesh personale në vend bashkëpunimi, nga shesh akuzash në forum idesh e ligjesh për zhvillimin e vendit. Nuk kemi kohë për të humbur, duhet të orientohemi në çështje të interesit strategjik të vendit, forcimin e shtetit, rikthimin e madh të besimit qytetar në institucione dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarit tone”, ka thënë Veseli.

Kreu i Kuvendit shtoi se disa nga çështjet që kanë rënduar situatën politike në dy vitet e fundit, nuk mund t’i zgjidh vetëm një subjekt politik, pasi janë çështje që lidhen me të ardhmen e Kosovës dhe jetën e qytetarëve të saj.

Veseli: Është obligim i kësaj gjenerate të mbyllë çështje të hapura

“Sa më shumë vonohemi, humb Kosova, sa më shumë konfliktohemi, vetëm sa ndjellim vetizolimin dhe mos zhvillimin tonë. Është obligim i kësaj gjenerate të mbyllë çështje të hapura, është mençuri të largohemi nga kohëra dhe momente që mund të vejnë dilema në shtetin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve të Kosovës”, theksoi Veseli.

Veseli paralajmëroi që të shtunën mund të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së Kosovës, pasi sot do ta dërgoi për mandatim kandidatin e koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Veseli: Të shtunën mund ta kemi seancën për votimin e qeverisë

“Minutat e parë pas përfundimit të kësaj seance konstituive do të bëjë edhe mandatarin si kryetar i koalicionit PAN për mandatimin e kryeministrit të ardhshëm, Ramush Haradinaj dhe pres shumë shpejt orientimisht ditën e shtune të ta kemi seancën e konstituimit të Qeverisë së Kosovës”, deklaroi Veseli.

Në vazhdimin e kësaj seance, janë zgjedhur edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit. Xhavit Haliti nga PDK-ja, Aida Dërguti nga Vetëvendosje, Kujtim Shala nga LDK-ja, Slavko Simiç nga Lista Serbe dhe Mufera Shinik nga grupit parlamentar 6+, e cila do të mbajë këtë post për një mandat gjashtë mujor, pasi është me rotacion.

****

Kryetari i ri i Kuvendit Kadri Veseli në fjalën e tij pas zgjedhjes në krye të legjislativit tha se sot është një ditë e madhe pasi 27 vjet më parë deputetët e atëhershëm nxorën Kushtetutën e Kosovës.

Veseli theksoi se është nder për të ta drejtojë  institucionin më të lartë ligjvënës.

Ai tha se dallimet politike nuk mund ta justifikojnë bllokimin e shtetit. Sipas Veselit Kosova nuk ka kohë për të humbur, por duhet të orientohen në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Problemet e dy viteve të kaluara, si ajo e demarkacionit, Veseli tha se nuk janë qështje të vetëm një partie, por e një shteti, madje sa më shumë vonohen aq më shumë humbë Kosova. Kreu i Kuvendit shtoi se duhet t’i mbyllin çështjet e hapura.

Kryetari tashmë i ri i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë fjalimit të tij drejtuar deputetëve të koalicionit PAN, ka thënë se seanca për votimin e Kryeministrit, Ramush Haradinaj, do të mbahet së shpejti, të shtunën.

Veseli ka bërë thirrje për qëndrim unik, shëndetësi, arsim, ushtri e dialog.

Me fjalimin e tij, është mbyllur edhe seanca konstituive e kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat