Frika e bashkëshortes së Ismail Morinës: Ai mund të vetëflijohet

Aktuale

Frika e bashkëshortes së Ismail Morinës: Ai mund të vetëflijohet

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 19:50
Federica Lo Troto

Ekstradimi në Serbi i Ballist Morinës, që tashmë është në dorën e ministrit kroat të Drejtësisë Drazen Bosnjakovic, mund ta çojë njeriun që ngriti flamurin me dron në stadiumin e Beogradit në vetëflijim.

Këtë e pranoi bashkëshortja e tij italiane Federica Lo Troto.

“Nëse realisht gjithçka përfundon kështu, si vendimet e deritanishme, që Ballist Morina të ekstradohet drejt Serbisë. Frika ime më e madhe, më duhet ta pranoj, është që ai të vetëflijohet në Kroaci. Ai nuk ka ndërmend të shkojë në Serbi, të niset për në Serbi. Kjo është thelbësore dhe këtë unë dua ta shmang me çdo kusht. E ka thënë. E ka thënë që prej fillimit.

Dhe kohët e fundit, kur e kam vënë re që ai po dorëzohet dhe po e lëshon veten, kur ai thotë “unë e refuzoj azilin dhe nuk dua të shkoj në Serbi””, ka treguar ajo për Top Channel.

Bashkëshortja e Ismailit, tregon se ai ndodhet në kushte të vështira fizike dhe psikologjike, në një qeli 10 m katror me disa persona të tjerë.

Federica Lo Troto, thotë se po përgatit dokumentet për azilin, por shpreson qe ballisti të përfitojë lirimin me kusht në vendimin që do të jepet javën e ardhshme.

“Unë pres për javën e ardhshme lajm për lirimin me kusht, që do të përbënte një pjesë të zgjidhjes. Dhe brenda muajit shtator pres të kuptoj se çfarë ka ndërmend të bëjë ministri i Drejtësisë kroate, sepse tashmë jemi në duart e politikës.  Organet gjyqësore janë shprehur dhe tani është ministri që duhet të vendosë se çfarë do të bëjë. Nëqoftëse do ta firmosë këtë ekstradim, pra ta bëjë të zbatueshëm apo jo. Unë vazhdoj të përgatis dokumentet për procedurën e azilit. Duhet t’i përfundoj edhe këto brenda javës së ardhshme në mënyrë që t’i japim një nxitje të mëtejshme kësaj procedure dhe që përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur”, shprehet ajo.

Gruaja e Ismail Morinës, shpreson që ndërhyrjet e shtetit shqiptar të bëra së fundmi, të ndikojnë se paku për lirimin e tij me kusht, për të ndjekur më pas procedurat e mëtejshme për çështjen e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat