Veliu i përgjigjet Zekës, pas deklaratës për futjen e LDK-së në qeverinë “Haradinaj”

Aktuale

Veliu i përgjigjet Zekës, pas deklaratës për futjen e LDK-së në qeverinë “Haradinaj”

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 22:24
Agim Veliu

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, zyrtarët e koalicionit PAN shpresojnë që ditën e shtune do të procedohet edhe me qeverinë me mandatarin Ramush Haradinaj.

Mirëpo, deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka paralajmëroi gjatë ditës së sotme se ekziston mundësia që të ketë riformatim të qeverisë Haradinaj pas zgjedhjeve lokale.

Madje, sipas tij, partia e Isa Mustafës, LDK-ja, do t’i bashkohet qeverisë “Haradinaj”.

Mirëpo, të njëjtit mendim nuk kanë edhe në LDK.  Nënkryetari i këtij subjekti, Agim Veliu e ka kundërshtuar një gjë të tillë duke thënë se ky subjekt politik është i përkushtuar tanimë vetëm për zgjedhjet lokale. Ai thotë se tani më po vërehet pasiguria e koalicionit PAN për formimin e Qeverisë.

“LDK momentalisht është e përkushtuar për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Qeveri Kosova ende nuk ka edhe këtu po e shoh pasigurinë e atij koalicioni që ende pa e formu Qeverinë po mendojnë diçka tjetër’’, ka thënë Veliu për ‘Indeksonline’.

Tutje, Veliu ka shtuar se LDK nuk i bashkohet asnjë grupacioni parlamentar. Ai thotë se do të punojnë fuqishëm në opozitë në mënyrë që kjo qeveri të ketë jetë sa më të shkurtër.

‘’LDK nuk do t’i bashkohet asnjë grupimi parlamentar as tash as pas zgjedhjeve. Ne do të punojmë fortë si opozitë që eventualisht nëse kjo qeveri formohet të ketë jetë sa më të shkurtër, por asnjë mënyrë që ne ti bashkohemi një grupacioni apo disa subjekteve politike që tash janë bërë bashkë edhe po tentojnë ta formojnë një Qeveri pa kurrfarë kriteresh të mirëfillta, pa kurrfarë të mire për qytetarët e Kosovës’’, ka përfunduar Veliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat