Ministri i Haradinajt së shpejti në bankën e të akuzuarve

Aktuale

Ministri i Haradinajt së shpejti në bankën e të akuzuarve

Më: 14 shtator 2017 Në ora: 17:13
Valdrin Lluka

Ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së shpejti pritet të ulet në bankën e të akuzuarve, pasi ndaj tij rëndon akuza për konflikt interesi.

Së bashku me ministrin Lluka, për veprën e njëjtë penale që nga nëntori i vitit 2016, akuzohet edhe Eljana Naka.

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e mbrojtësve të Valdrin Llukës dhe Eljana Nakës, të paraqitura kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishin refuzuar kundërshtimet e aktakuzës.

Kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se shumë shpejt do ta caktojë datën e shqyrtimin kryesor gjyqësor në këtë çështje penale.

Mbrojtësit e Valdrin Llukës dhe Eljana Nakës, të akuzuar për veprën penale “konflikt i interesit”, në seancën e 3 marsit 2017, kishin kërkuar hedhjen e aktakuzës ndaj klientëve të tyre. Avokati Arton Çerkini dhe avokatja Teuta Zhinipotoku, kishin kundërshtuar provat e parashtruara nga prokuroria, duke thënë se akuza është e pabazuar në prova.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 mars 2017, kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat e avokatëve mbrojtës për hudhjen e aktakuzës.

Ndaj këtij vendimi avokatët mbrojtës kishin paraqitur ankesë në gjykatën e Apelit.

Lluka po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë në MTI, njëkohësisht edhe Kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve, më 23 mars 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ kishte qenë themelues.

Ndërkaq, sekretarja e përgjithshme e MTI-së, Eliana Naka, me 2 qershor 2014, kishte marrë vendim që mjetet prej 20 mijë eurove, t’i ndahen si mbështetje financiare OJQ-së “Jakov Inovation Center”, ku kishte qenë drejtoreshë e Bordit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat