Prokurori i rastit jep detaje për vrasjen e Aulon Zekës

Aktuale

Prokurori i rastit jep detaje për vrasjen e Aulon Zekës

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 10:12
Aulon Zeka

Dy persona janë arrestuar dje për vrasjen e 16-vjeçarit, Aulon Zeka, në afërsi të shkollës “Model” në Prishtinë.

Njëri nga të arrestuarit, i dyshuari kryesor i vrasjes së 16-vjeçarit është i mituri Guxim Hadri, i njohur ndryshe si djali i ish-drejtorit të Muzeut të Kosovës, Arbër Hadrit.

E dyshuara tjetër e arrestuar për këtë rast është vajza e cila edhe dyshohet të ketë qenë motiv për arritjen deri te vrasja e Aulon Zekës, e që saktësisht bëhej fjalë për një lidhje dashurie.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Valdet Gashi, ka thënë se rasti në fjalë tashmë ka kaluar te Prokuroria për të mitur.

Gjithashtu, sipas tij, ende nuk është bërë kërkesa për masën e shqiptimit të arrestit por që pritet të bëhet së shpejti pasi janë në afate ligjore.

“Afati ligjor është 24 orë kur edhe duhet të dalë para Gjykate i mituri. Tanimë e dini se janë dy persona të dyshuar për vrasjen e 16-vjeçarit, njëri është mashkull dhe tjetra femër, që të dy të mitur. Rasti ka kaluar nga unë në prokuroren për të mitur. Prandaj në momentin që ka ndodhur rasti për të miturit rastin e merr prokurori i posaçëm”, ka shtuar Gashi.

Gashi ka thënë, po ashtu, se pas marrjes së rastit të prokurores për të mitur brenda 24 orëve do të bëhet edhe kërkesë në Gjykatë për masën e shqiptimit të arrestit.

“Prokuroria vetëm e bën kërkesën për caktimin e masës së shqiptimit të arrestit, Gjykata është ajo që e shqipton. Me siguri prokurori tash do të bëjë kërkesën brenda afatit të caktuar ligjor. Ne kemi ende afat për këtë”, ka përfunduar Gashi.

Duhet përkujtuar që viktima Aulon Zeka, 16 vjeç, dyshohet të ishte kërcënuar haptazi ditë më parë përmes rrjeteve sociale nga i dyshuari Guxim Hadri, ku më pas u gjet i vrarë në një nga rrugët e Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat