Abrashi iu premton zjarrfikësve pagesën e punës jashtë orarit dhe gjatë festave

Aktuale

Abrashi iu premton zjarrfikësve pagesën e punës jashtë orarit dhe gjatë festave

Më: 27 shtator 2017 Në ora: 13:50
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një vizite që iu bëri sot zjarrfikësve të Prishtinës, ka thënë se përfundimisht duhet të gjendet një zgjidhje për statusin e zjarrfikësve.

Ai ka thënë se pasi që zjarrfikësit të kalojnë në kompetenca të komunës do të përkujdeset që ata të paguhen për punën që bëjnë jashtë orarit të punës, gjatë natës dhe punën që bëjnë gjatë festave.

“Propozimi ynë është që qendrat e zjarrfikësve të kthehen në kompetenca të komunave. Vetëm atëherë ne do të mund të krijojmë kushte të favorshme për ata. Unë kam respekt të jashtëzakonshëm për punën që zjarrfikësit bëjnë në shërbim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve, pasurisë publike dhe private. Zjarrfikësit nuk shuajnë vetëm zjarre, ata janë në ballë të çdo fatkeqësie natyrore dhe fatkeqësi tjera me të cilën përballen qytetarët”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se mjetet e punës dhe veshmbathjet me të cilat punojnë zjarrfikësit janë joadekuate dhe rrezikojnë jetën e tyre për çdo ditë. Ai është zotuar se nën qeverisjen e tij, posa zjarrfikësit të kalojnë në kompetenca të komunës do ta kompletojë këtë shërbim me gjithë pajisjet adekuate për punë.

Gjatë bashkëbisedimit me Abrashin, zjarrfikësit kanë përmendur problemin që kanë me paqartësi për kompetenca në mes komunave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjegjësisht Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME). Ata janë ankuar se nuk kanë as sigurim shëndetësor dhe as invalidor në raste të lëndimit në punë.

Abrashi ka thënë se këto kërkesa do të gjejnë zgjidhje gjatë mandatit të tij katërvjeçar

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat